Çdo mëngjes merr motorin dhe niset drejt Oblikës, fshati ku jep mësim prej 23 vitesh. Gjatë rrugës që përshkon në Shkodër, bien në sy lehtësisht muralet e Teuta Lagjës, mësuesja artiste që ditët i ka aktive.

"Aktualisht unë jap mësim në dy klasa kolektive fillore, klasa e parë dhe e katërt, gjë që është shumë e vështirë. Ndërthurja e artit besoj është diçka që vjen natyrshëm sepse fëmijët e fillores i adhurojnë ngjyrat, duan të ndërveprohet me vizatimet. Është shtuar interesi për veprimtaritë kulturore. Pas një dite të lodhshme, ardhja në studio të jep relaksim, kënaqësi, pra ndihesh ndryshe dhe kërkon të shprehësh atë që ndjen. Lidhja e mësuesisë me artin më ka krijuar me raste barriera nga lodhja ditore, kur nuk jam e zonja të shpreh atë që kam dëshirë. Më ka krijuar favore në momentet kur kemi kryer aktivitetet kulturore me fëmijët", tregon Teuta ndërsa shton se ka krijuar balancën punë-jetë.

"Midis të qenit mësuese, prind, piktore dhe organizuese eventesh apo bashkëpunuese me piktorë të tjerë dhe pjesë e shoqërisë civile nuk ështe e lehtë. Duhet të jesh një njeri i strukturuar, i mirëmenaxhuar ku alarmi të bie vazhdimisht për takimet e ditës. Besoj se ia kam dalë goxha mirë përderisa kam arritur deri këtu ku jam.", tregon me krenari.

Lulet e borës, biçikletat, kalaja, Ura e Mesit dhe Shiroka gjejnë vend në telajot e artistes, e cila sjell këndvështrimin e saj dhe promovon vendlindjen përmes pikturës.

"Ne duhet të shprehim të bukurën, mos ta mbajmë nga brenda. Ne artistët jemi me një mision ku duhet të shohim botën ndryshe. Atë që njerëzit nuk e shohin dot, artisti duhet ta sjellë me poezi, me pikturën sepse është pak detyrim moral ndaj njerëzimit. Nuk mendoj se do të ketë një piktor që e ndjen veten rehat pa i sjellë simbolikat e Shkodrës në piktura.", shprehet Teuta Lagja.

Në një qytet ku arti i ka rrënjët e forta, duket se konkurrenca ka sjellë vështirësi për të siguruar të ardhura të kënaqshme.

"Pavarësisht se dy profesionet kanë lindur me mua, qoftë mësimdhënia e qoftë piktura, do të ishte e bukur ndoshta të jetoja vetëm me këtë të fundit meqë është më argëtuese, por është goxha e vështirë. Duke qenë se Shkodra ka shumë artistë, nuk mund të jetohet vetëm me pikturën. Duke qenë se pasioni im është i ndërthurur pse të mos i përdor të dyja.", thotë Teuta e cila bën dy punë që të mbajë familjen.