Shqipëria po merr vëmendje ndërkombëtare si një nga vendet më mikpritëse për turistët. Prestigjiozja britanike The Telegraph e ka renditur vendin tonë në mesin e 10 destinacioneve që mirëpresin vizitorët me entuziazëm, në një kohë kur shumë vende po përballen me protesta kundër turizmit masiv.

Në artikull theksohet se Shqipëria po përjeton një boom turistik vitet e fundit, duke u kthyer në një nga destinacionet më tërheqëse të Mesdheut.

Një rol kyç luan Riviera shqiptare, me ujërat e saj të kristalta dhe ngjyrë bruz, që po tërheqin gjithnjë e më shumë turistë, sidomos gjatë sezonit veror. Ndërkohë, zhvillimet infrastrukturore, si aeroporti i ri i Vlorës, pritet ta rrisin edhe më tej fluksin e vizitorëve.

Por sipas “The Telegraph”, Shqipëria nuk është vetëm det. Turizmi po zhvendoset drejt një modeli më të qëndrueshëm gjatë gjithë vitit, ku përfshihen edhe trashëgimia historike dhe kulturore.

Shkrimtarja e udhëtimeve Heidi Fuller-Love e cilëson Shqipërinë si një destinacion ideal edhe jashtë sezonit, madje duke e krahasuar me Turqinë.

Kështjellat bizantine dhe rrënojat romake përmenden si atraksione të veçanta që e bëjnë Shqipërinë një destinacion unik në Ballkan.

Krahas Shqipërisë, në listën e vendeve më mikpritëse për turistët përfshihen edhe Xhamajka, Vietnami, Maroku, Irlanda, Paraguaji, Gambia, Kanadaja, Uzbekistani dhe Lituania.