Shqipëria mban të pandryshuar vlerësimin sovran nga agjencia ndërkombëtare “Standard & Poor’s”, duke marrë sërish notën “BB” me perspektivë të qëndrueshme, një sinjal që ekonomia po qëndron në këmbë pavarësisht sfidave. 

Lajmin e ka bërë të ditur Miinstria e Financave. 

raportin e publikuar të hënën , agjencia thekson se vendi ka treguar rezistencë ndaj goditjeve të forta të viteve të fundit që nga tërmeti i 2019-ës, te pandemia dhe deri tek kriza energjetike.

Ekonomia shqiptare pritet të vijojë në rritje. Sipas parashikimeve, prodhimi i brendshëm bruto (PBB) do të rritet me rreth 3.7% në vitin 2025 dhe mbi 3% në vitet në vijim. Në këtë ecuri, turizmi mbetet “motori” kryesor, duke sjellë më shumë të ardhura dhe duke ulur gradualisht deficitin e jashtëm.

Nga ana tjetër, financat publike parashikohet të mbeten të kontrolluara. Deficiti buxhetor pritet të jetë rreth 2.4% e PBB-së në 2026, ndërsa në afatmesëm të stabilizohet pranë 2%. Edhe borxhi publik pritet të ulet dhe të qëndrojë rreth nivelit 50% të PBB-së.

Një tjetër pikë e fortë që evidentohet është avancimi drejt Bashkimit Europian. Hapja e të gjithë kapitujve negociues konsiderohet një hap i madh përpara në procesin e integrimit.

Në planin financiar, rezervat valutore kanë shënuar rritje të ndjeshme, duke arritur në 8.7 miliardë dollarë në janar 2026, të mbështetura nga turizmi, remitancat dhe investimet e huaja.

Edhe sektori bankar paraqitet i qëndrueshëm, me nivel të ulët të kredive me probleme dhe rritje të aktivitetit kreditues.

Në tërësi, sipas Ministrisë së Financave, konfirmimi i vlerësimit nga S&P shihet si një sinjal pozitiv për investitorët e huaj dhe një tregues se ekonomia shqiptare po ecën në një trajektore të qëndrueshme.

U.D/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 20 Mars, 13:11

    Qeveria rikthen Bordin për naftën, a besoni se do mbahen çmimet nën kontroll?