Nga politika, te këmbët e Aleksandër Sadikajt, një popull i copëtuar

Nga politika, te këmbët e Aleksandër Sadikajt, një popull i copëtuar

Pamjet e tmerrshme të Aleksandër Sadikajt, ndërsa pa këmbët e tij doli nga makina e hedhur në erë për të shpëtuar, duket sikur janë simbol i një populli të tërë, me trup të copëtuar, por me shpirtin e fortë që kërkon të mbijetojë nga fati i keq që vetë krijoi apo ja krijuan. Aleksandër Sadikaj nuk ia doli, po ne? Sa janë në të vërtetë djemtë dhe vajzat shqiptare peng të fatit apo veprimeve të veta që presin një ditë të shkatërrohen apo të vetëshkatërrohen në një rrugë që mendojnë se është ajo drejt normalizimit, drejt rregullimit, drejt ngjitjes së copëzave të hedhura në erë e të grimcuara?

Në këtë pikë, kërkohen mjeshtra që dinë të ngjisin me durim, dashuri, këmbëngulje këto pjesw fizike dhe shpirtërore të hedhura në erë rrugëve të Shqipërisë e Kosovës, njëherë në Tiranë, njëherë në Shkodër, njëherë në Vlorë, njëherë në Sarandë, njëherë në Durrës, pastaj në Prishtinë e kështu me radhë. Duhen të tjerë shqiptarë që të kenë dëshirën të shohin shqiptarët të harmonizuar dhe jo të izoluar në istikamë me mure të lartë, ngritur me tulla të urrejtjes e të hakmarrjes që sa vjen dhe zmadhohet.

Nuk di se si mund të matet pika më e ulët që një moral shoqëror arrin në rrugëtimin e tij, por a ka gjë më makabre sa të hidhen në erë shqiptarë nga të tjerë shqiptarë në mes të rrugës dhe a ka gjë më të shëmtuar që njerëzit të presin si me sëpatë të tjerë njerëz nga marrëdhëniet qofshin ato shoqërore, institucionale apo familjare?

Ku është dhe kush mund të jetë ai apo ajo shqiptare që mund të bëjë hapin e parë për të vendosur bashkë, me një ngjitës të artë dhe rezistues, copëzat e shpirtit të hedhura në erë pikësëpari nga urrejtja, e më pas nga eksplozivët rrugës?

Politika? Eshtë e ngujuar për vetë në istikamët e saj; ajo më e suksesshmja, kujdeset mirë për t’u mbrojtur për vete e për t’u shtuar, ndërsa ajo, humbësja, hedh helmin më të hidhur në çdo plagë e konflikt, duke e masakruar. Pa menduar që të dyja bashkë, kanë një sëpatë të dukshme e të padukshme që vetëm largon, ndan.

Media? E rreshtuar haptazi apo fshehurazi gërryen me më të fortin dhe më të rrezikshmin acid marrëdhënie dhe jetë njerëzore, duke mos u shqetësuar për pasojat që ka cdo fjalë dhe çdo pamje në urrejtjen e përgjithshme që shumëfishohet, duke krijuar një rreth vicioz ku sot viktimizon e nesër viktimizohet.

Feja? Kur cinizmi dhe ndasia zë vend edhe mes shërbëtorëve me këtë uniformë, cilat mund të jenë mesazhet shëruese të shpirtërave tashmë të vrarë? Të gjitha fetë bashkojnë njerëzit në Shpirtin e Shenjtë e kush bën të kundërtën, nuk është një fetar, thjeshtë një politikan i maskuar.

Ndoshta në këtë moment, nga shumica e shqiptarëve që deri më sot kanë qëndruar në hije, ata që vazhdojnë me nder dhe përkushtim ekzistencën e pazhurmshme, mund të dalë ngjitësi më i mirë shpirtëror e fizik i shqiptarëve, sot të ndarë e të copëtuar. Deri ateëherë, sa akoma do të copëtohen e do të copëtojnë?

a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Vonesa dhe kontrolle në Portin e Vlorës, bllokohet zbarkimi i makinave! Moti i keq pezullon nisjen e tragetit

Vonesa dhe kontrolle në Portin e Vlorës, bllokohet zbarkimi i makinave! Moti i keq pezullon nisjen e tragetit