Kalendula, e njohur ndryshe si kumaku, është një nga bimët medicinale më të vlerësuara për vetitë e saj shëruese. E cilësuar si një “diell i vogël” në Tokë, kjo lule nuk ofron vetëm bukuri estetike, por edhe vlera të jashtëzakonshme për shëndetin.
Edhe pse në pamje të parë duket si një lule e zakonshme, kalendula përfaqëson një thesar natyror që prej shekujsh përdoret për të shëruar trupin dhe për të qetësuar shpirtin. Nga plagët e vogla dhe ekzemat, deri te ulçerat, infeksionet bakteriale dhe inflamacionet e brendshme, kjo bimë është një aleate e fuqishme për çdo familje. Sot, edhe shkenca moderne po konfirmon atë që mjekësia popullore e ka ditur prej kohësh, veçanërisht në fushën e kozmetikës: kalendula ose ndryshe kumaku, nuk është thjesht një lule, por një ilaç i vërtetë nga natyra.
Për këtë bimë medicinale u ndalëm me specialistin e bimëve mjekësore Ylli Merja, në “Rreze Dielli” në Report Tv.
“Kalendula ose kumaku është një bimë njëvjeçare, me lule në nuanca nga e verdha në portokalli. Ajo bashkon bukurinë estetike me fuqinë shëruese – një diell i vogël në tokë që përmban një ‘laborator’ natyror të gjallë. Është një balsam që qetëson lëkurën dhe ndihmon në rigjenerimin e saj”, thekson Merja.
Përbërësit kimikë të bimës
Kalendula përmban një sërë përbërësish aktivë që i japin vlerat e saj terapeutike:
- Flavonoide
- Kuercetinë (antioksidant që lufton stresin oksidativ)
- Karotenoide
- Saponina triterpenike (me efekt anti-inflamator dhe rigjenerues)
- Vajra esenciale
- Acide fenolike (si acidi kafeik, ferulik dhe klorogjenik) me veprim antibakterial dhe anti-inflamator
- Polisakaride që mbështesin sistemin imunitar dhe përshpejtojnë shërimin e plagëve
Falë këtyre përbërësve, kalendula ka veti të shumta farmakologjike: është anti-inflamatore, antibakteriale, antifungale, antioksidante dhe spazmolitike.
Si përdoret kalendula
Sipas specialistit, kalendula mund të përdoret në dy forma kryesore:
- Përdorim i jashtëm: për plagë, puçra, irritime të lëkurës dhe infeksione mykotike
- Përdorim i brendshëm: për gastrit, ulçera të lehta, inflamacion të zorrëve dhe parazitë
Përdorimet mjekësore
- Për sëmundje të brendshme: Në 0.5 litër ujë zihen 3–4 lule kalendule. Fëmijët mund të konsumojnë 2–3 filxhanë çaj, ndërsa të rriturit mund të përgatisin 1 litër çaj me 8–10 gramë kalendulë të tharë.
- Për qetësimin e dhimbjeve menstruale: Në 0.5 litër ujë zihen për 2 minuta 3–4 lule kalendule dhe një dorë bishtamithi.
- Për infeksionet mykotike: Në 1 litër ujë zihen 3–4 lule kalendule, një dorë rigon dhe një lugë trumzë. Konsumohen 2–3 filxhanë në ditë ose përdoret për shpëlarje të zonave të irrituara.
- Për spazmat e stomakut: Përdoret vaj kalendule, i përgatitur duke mbushur 70% të një ene me lule dhe 30% me vaj ulliri. Lihet disa ditë dhe konsumohet nga një lugë çaji, dy herë në ditë.
- Për ekzemat: Përgatitet ekstrakt me përbërje: 40% kalendulë, 20% angjinare, 10–20% tërfil dhe alkool 75% sa të mbulojë përzierjen.
- Për kujdesin e lëkurës: Për rigjenerim, plagë dhe puçra përdoret një përzierje me 90 ml vaj kalendule, 7–10 gramë dyll blete dhe pak vaj livandoje e pelini të ëmbël.
Komente











