Nga Shqipëria 1 Euro, te Shqipëria pa rregulla

Nga Shqipëria 1 Euro, te Shqipëria pa rregulla
Kur flitet për mungesë rregullash dhe mungesë drejtësie në një Shtet, për ç’formë Shteti flitet? Kohët e fundit, po shtohen përditë zërat e shqetësimit të mosfunksionimit të Shtetit në Shqipëri. Kur rregullat shkelen dhe nuk ka asnjë gjykatë për të kërkuar drejtësi, rreziku është i paimagjinueshëm. Mungesa e sigurisë tremb biznesin, motorin e rëndësishëm të gjenerimit të mirëqënies për një vend. 

Biznesi që është mik i pushtetit, nuk ka asnjëherë asnjë kontroll tatimesh, bën evazion, kalon doganat pa asnjë vështirësi, duke krijuar pabarazi të tregut. Kush kërkon të punojë në respekt të rregullave, papritur gjendet në vorbulla kërcënuese. Alarmin tashmë e kanë hedhur të gjithë: jo vetëm opozita, jo vetëm shqiptarët, por edhe të huajt. Dhoma amerikane e Tregtisë, ambasadorja Gjermane në Shqipëri, ambasadori Italian në Tiranë. Në Shqipëri sot nuk ka rregulla të qarta. Lëngon Shteti i së drejtës.
Kryeministri Sali Berisha, e nisi rrugën e tij në pushtet duke premtuar klimë shumë të mirë për bizneset, por rregullat e lojës ndryshohen përditë. Sot mund të themi se e gjithë Qeveria është në shërbim të krijimit të një klime të mirë vetëm për dikë që mund të quhet Damir Fazlliç, apo 3-4 biznesmenë që janë të besuarit e pushtetit dhe klientë të tij. 

Ambasadori Italian në Tiranë, Massimo Gaiani, është një person i rezervuar. Diplomacia e tij ka klas, matet shumë herë të thotë një gjë që mund të konsiderohet si ndërhyrje në politikën e brendshme të vendit, por në intervistën e tij të fundit dhënë për A1Report dhe Shqiptarja.com foli hapur: “...Ka mjaft interes në Itali për të investuar në Shqipëri. Por të gjithë operatorët ndjejnë domosdoshmërinë e rregullave, e respektimit të pagesave, të funksionimit të plotë të drejtësisë. Me një klimë të favorshme biznesi, që kërkon edhe një mjedis industrial të përshtatshëm, pra furnizim të rregullt me energji elektrike, një rrjet shitjesh si dhe elementë të tjerë, mendoj se mund të përmbyset gjendja dhe mund të shfrytëzonet kriza. Krizat e thella ekonomike, si ajo që po përjetojmë, ofrojnë edhe mundësi të tjera sepse ekonomia rrezikon të ndalet. Shqipëria mund të përmbushë nevojën e Italisë për punëtorë të kualifikuar dhe me kosto të ulët, në një mjedis shumë të ngjashëm me realitetin italian dhe në një vend ku flitet gjerësisht gjuha italiane. 50% e shqiptarëve flasin italisht. Është një fenomen shumë i rëndësishëm që Shqipëria mund të shfrytëzojë, së bashku me faktorët e tjerë që lidhin dy vendet tona. Ka shumë mundësi zhvillimi. Shumë sipërmarrës që i drejtohen tregut të Kinës dhe Lindjes së Largët mund të jenë të interesuar për tregun shqiptar. I takon Shqipërisë të përthithë këtë interes, duke siguruar kushtet e domosdoshme....”



Çfarë po ndodh realisht? Të kujtojmë edhe shqetësimin e ambasadores gjermane Carola Müller-Holtkemper. Në një intervistë dhënë për radion Dojçe Vele pak kohë më parë, e që kaloi pa shumë jehonë në mediat shqiptare, edhe ajo ngriti një problem shumë shqetësues e që kërkon vëmendje. Ja çfarë tha:

“…Sektorët kryesorë, ku përqendrohen projektet tona të dakorduara bashkarisht me qeverinë shqiptare janë energjia, ujësjellës / kanalizimet, mbështetja për sipërmarrjet e vogla e të mesme dhe qeverisja e mirë. Këto janë projekte me impakt pozitiv të drejtpërdrejtë në popullsinë shqiptare. Kënaqësia jonë për këtë bashkëpunim të gjatë e të frytshëm trazohet disi nga konstatimi i përpjekjeve në rritje për t'iu shmangur detyrimit të dakorduar në Marrëveshjen Kuadër për shkarkimin nga tarifat doganore, tatimore dhe tarifave të tjera. Karshi taksapaguesit gjerman është e pamundur të argumentohet, se si për një asistencë të dhënë, në kundërshtim me marrëveshjet kontraktuale, kërkohet që të paguhen edhe taksa doganore, tatime apo tarifa të tjera. Po kështu, përpjekjet për t'ua kaluar detyrimin e këtyre pagesave partnerëve shqiptarë - në pjesën më të madhe struktura shtetërore apo komunale, si ministri, ndërmarrje ujësjellsash – nuk gjenerojnë të ardhura shtesë, por vetëm sa kalojnë financat nga njëri institucion shtetëror në tjetrin. Krahas kësaj është për ardhur të keq, që dy projekte në funksion të përmirësimit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve, me një rëndësi të madhe për popullsinë rurale të zonave përkatëse, për të cilat u ra parimisht dakord vetëm para pak kohësh, nuk mund të realizohen. Mosrealizimi i tyre argumentohet me nivelin e borxhit publik shqiptar. Në raste të tilla do të ishte e përligjur pyetja për vendosjen e prioriteteve."

Dhoma Amerikane e Tregtisë ishte e para që ngriti zërin për problemet e gjobvënieve diskriminuese dhe mospagesën e TVSH, përmes një deklarate bërë në fund të vitit të kaluar për mediat.

“…Po ndërmerret një fushatë e egër tatimore ku inspektorët janë duke zbatuar një interpretim të ri të ligjit duke vendosur gjoba të rënda edhe për aktivitete të viteve të kaluara që kanë qenë madje të kontrolluara nga tatimorët. Një sjellje jo profesionale e inspektorëve tatimorë, mandati i të cilëve duket se është vetëm mbledhja e gjobave edhe pse aktiviteti i biznesit është në përputhje me ligjin ekzistues.

Rimbursimi i TVSH-së po shkon shumë ngadalë. Afatet ligjore për rimbursim kanë kaluar dhe kjo ka shkaktuar dhe vazhdon të shkaktojë pengesa thelbësore në veprimtaritë e kompanive. Kjo gjë ndikon në kushtet financiare të kompanive dhe sidomos likuiditetet. Sipas ligjit ne fuqi, bizneset tashmë pretendojnë që rimburismi i TVSH-së duhet të përfshijë edhe interesat për periudhën që nuk iu është bërë rimbursimi.

Kontrolle të përsëritura dhe të pajustifikuara kanë vështirësuar jetën e biznesit. Kontrollet e mëparshme tatimore konsiderohen gabim nga inspektimet e tjera që vijnë më pas. Inspektorët ndryshojnë interpretimin dhe zbatimin e ligjit. Ka inspektorë që vazhdojnë të kontrollojnë e rikontrollojne për të dhënat dhe veprimtarinë që nga viti 2006. E gjithë kjo situatë është shumë larg premtimit për të krijuar një klimë të qëndrueshme për biznesin dhe një atmosferë mikpritëse për investitorët dhe veçanërisht për investitorët e huaj...
shkruhej në këtë komunikatë.

Kur një vit pas ardhjes në pushtet, kryeministri Berisha shpalli nismën “Shqipëria 1 Euro”, shumë u treguan skeptikë. '”Ne ta vazhdojmë përpjekjen tonë për të ndryshuar Shqipërinë në më të lirën dhe më të mirën për investorët e huaj dhe ata vendas. Do tu ofrohet toka me 1 euro, do tu ofrohet kualifikimi punëtorëve me 1 euro, uji teknologjik me 1 euro, shërbime të tjera të tëra me 1 euro, regjistrimi i biznesit me 1 euro, hyrja në Shqipëri me 1 euro.”, tha kryeministri Berisha atëherë (BBC shqip shtator 2006)
Ide e bukur, po të ishte e ndershme. A operohet sot në Shqipëri me rregulla të qarta dhe të ndershme? Pushteti aktual “mban fjalën” vetëm për bizneset klienteliste që i shërbejnë direkt për mbajtjen e pushtetit apo që shihen si mundësi për manipulimin e opinionit publik shqiptar në prag të zgjedhjeve. Eshtë një situatë që duhet të na alarmojë seriozisht.
Shqipëria është kthyer në një vend ku “nuk lihen në baltë” vetëm ministrat e Gërdecit, apo 21 Janarit, ndërsa për këdo tjetër pasiguria është realitet kërcënues për ekzistencë.


  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Moti i keq/ Pezullohet lundrimi i trageteve të pasagjerëve Durrës - Bari e anasjelltas

Moti i keq/ Pezullohet lundrimi i trageteve të pasagjerëve Durrës - Bari e anasjelltas