Unë jam çam, por votën nuk ia dhashë PDIU. Pse? E para se nuk ma kërkoi kush. Ndoshta nuk kishin nevojë për votën time!? E dyta sepse nuk ndihem i përfaqësuar mjaftueshëm prej kësaj force politike e cila në historikun e saj të shkurtër ka zhvillime të çuditshme dhe jonatyrore. PDIU (PDI) lindi si një forcë e djathtë (2009), u poq në aleancë po me të djathtën(2011, 2013) duke formuar një grup parlamentar prej pesë deputetësh në parlamentin e fundit dhe dha fryte në aleancë me të majtën (fundi i 2013) duke marrë disa pozita të rëndësishme në qeverinë shqiptare, përfshi nënkryetarin e parlamentit dhe zv/ministrin e jashtëm.

Gjithashtu, një tjetër zhvillim i rëndësishëm i kësaj partie është se, në dy vitet e fundit, është përpjekur të marrë një profil mbarëkombëtar, duke lënë në hije çështjen çame që e përmend vetëm në prag fushate apo në data të caktuara si psh, 27 qershori, të cilin këtë vit e harroi fare...

Dhe, për të qenë i sinqertë ndihem më i përfaqësuar nga z.Edi Rama i cili me ngritjen e problemit çam ka rrezikuar marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë, dhe e ka bërë këtë jo për të fituar votat e çamëve por sepse mendon se ka ikur koha kur diplomacia shqiptare ështëinferiore ndajdiplomacisë së vendeve fqinje.

Deri tani, PDIU, ashtu si thuajse të gjitha partitë politike shqiptare nuk ka bërë asnjë analizë kritike të rezultateve zgjedhore 2009, 2011, 2013, 2015 dhe besoj se nuk do bëhet një analizë serioze as për rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme 2017. Kjo, për faktin se çdo rezultat në këtë parti shihet si fitore, dhe çdo fitore si meritë e kryetarit. Strukturat e partisë janë aktive vetëm gjatë një muaji fushatë, më pas ato heshtin dhe përqendrohen vetëm tek vjelja e fryteve të rezultateve të zgjedhjeve.

Në parti nuk funksionon meritokracia, por afrimiteti me kryetarin dhe aftësia për t’u dukur, gjë që intelektualët e kanë shumë të vështirë ta bëjnë. Fjala vjen, në listën e kandidatëve të Tiranës kishte disa figura intelektuale të përfshira, por ato ishin poshtë vendit të dhjetë dhe ishin sa për numër.

PDIU nuk është as opozitë as pozitë, është diçka e ndërmjetme, fluide, që shkon nga fryn era e pushtetit me justifikimin se “kauza jonë kërkon të jemi në pushtet”. Edhe z.Idrizi në fjalimet e tij nuk e artikulon asnjëherë qartazi nëse PDIU është në pushtet apo në opozitë. Atij i pëlqen të ketë pushtet qoftë edhe sa për të thënë që është dikushi, por në fund na tha se Rama nuk zbatoi as 1% të marrëveshjes së post 2013 me të. Zoti Idrizi nuk foli as kur në prag të zgjedhjeve 2017 Kryeministri Rama deklaroi se me anë të këtyre ai dëshironte të zhdukte partitë e vogla, përfshi këtu edhe PDIU e cila u akuzua tërthortazi si abuzuese me pushtetin e vogël që Rama i kishte lënë në dorë.

PDIU nuk ka objektiva të qarta; objektivat e saj ndryshojnë në çdo prag zgjedhjesh. Sigurisht zgjidhja e çështjes çame mbetet yll polar i saj, por ndërkohë votuesit e saj presin gjëra konkrete që prekin jetën e tyre të përditshme, plane apo projekte afatshkurtra dhe jo vetëm propagandë apo shtjellime që fillojnë e mbarojnë me “do të”. Kërkohet një program real qëtë prekë votuesin jo një sa për sy e faqe. Nëse vërtet z.Idrizi pretendon të bëhet një parti kombëtare, atëherë ai duhet të bëjë të qartë se votat e cilës shtresë kërkon dhe mbi të gjitha të cilit krah politik? Përndryshe përfundon me Reme Lalën që mori vota për vete duke shfrytëzuar logon e PDIU-së, gjë që e bën këtë parti të duket naive politikisht.

Zoti Idrizi duhet të reflektojë rreth gabimit të tij tragjik që vendosi të jetë kandidati i parë në listën e PDIU për Tiranën, kur dihej që PDIU nuk ka marrë kurrë më shumë se 11 mijë vota në këtë qark. Ndoshta ishte edhe çështje fati, por fati i buzëqesh atij që di ta kërkojë. Dhe jo vetëm kaq, por konsumoi pa të drejtë një politikane me vlera, me perspektivë dhe të papërlyer si Mesila Doda, duke e vënë atë të dytën në listë kur dihej që nuk kishte asnjë shans për t’u futur në parlament.

Një tjetër gabim i kryetarit të PDIU-së ishte kandidimi i ish-deputetit, z. Tahir Muhedini, në Vlorë kur dihet që PDIU atje mund të nxjerrë deputetë vetëm në koalicion, dhe në koalicion me të djathtën. Pra, shkurt e dogji këtë figurë historike të PDI/U me duart e veta, me pëlqimin e këtij të fundit. Shpresoj të mos ketë qenë e qëllimshme, por kjo ngjarje la shumë shije të hidhur në komunitetin çam të Tiranës.

Gabimi i tretë e strukturave drejtuese të PDIU është humbja e mandatit në Fier. Kjo është një e vërtetë tjetër e hidhur për këtë parti dhe këshilltarët e z. Idrizi për zgjedhjen e tij. Dy janë arsyet e humbjes së këtij mandati: ose kandidati që humbi nuk ka patur mbështetjen e atij që iku, z. Mamo, ose PDIU në Fier nuk ka arritur ta mbajë afër dhe t’i mbajë premtimet elektoratit të saj pasionant dhe inteligjent në këtë qark. Në të dyja rastet mund të themi me plot gojën se elektorati çam në Fier dhe Vlorë nuk është dele që shkon nga të dojë kryetari.

Të trija këto disfata duhen parë me seriozitet dhe mendoj se përgjegjësia më e madhe i takon kryetarit Idrizi dhe stafit të tij të ngushtë për zgjedhjet e bëra. Sioqoftë nuk mendoj se z. Idrizi duhet të japë dorëheqjen, por duhet patjetër të pranojë gabimet publikisht dhe t’i kërkojë ndjesë elektoratit për këto. Jo me komunikata në TV e media por të shkojë në bazë e të dëgjojëççkanë për të thënëçamët e atjeshëm.

Gjithashtu, ai duhet të krijojë një ekip të ri në stafin e tij që ta këshillojnë si të ketë sukses dhe jo si të hedhë në kosh mijëra vota. Kjo duhet të shoqërohet me krijimin e një strukture të qëndrueshme partiake që nuk funksionon vetëm në zgjedhje por gjatë gjithë kohës. Kalimi në opozitë në këtë kuptim i bën mirë PDIU për t’u riorganizuar dhe për t’u bërë një parti e vërtetë e çamëve dhe më gjerë dhe jo një kopje e LSI që mbahet në këmbë duke qenë në pushtet. Parti të tilla, me këtë sistem zgjedhor, nuk e kanë të gjatë. Besoj kjo kuptohet edhe nga qytetari më i thjeshtë, e jo më nga kryetarët e këtyre partive.
PDIU duhet të heqë dorë nga mbështetja te biznesmenët për t’i shpërblyer më pas me poste të rëndëishme apo me mënyra të tjera. Gjithashtu duhet të kthejë sytë nga baza e saj në qytetet ku ka çamë që prodhojnë mandate si Fieri, Vlora, Durrësi, Tirana, Elbasani dhe jo të hapet si vaji në lakra, duke çuar ujë në mullirin e partive të mëdha.

PDIU duhet të rigjejë vetveten, të bëhet sërish parti e idealeve kombëtare dhe ta afrojë sërish boshin e elektoratit të vet: çamët e thjeshtë që përbëjnë më shumë se 120 mijë votues. Gjithashtu duhet të përfshijë dhe promovojë njerëz që inspirojnë mijëra vetë me karizmën dhe vlerat e tyre, si Tahir Muhedini apo edhe intelektualë me karrierë të gjatë të ndërtuar pa ndihmën e PDIU por me punë e djersë të përditshme në të dyja sistemet, atë totalitar dhe atë demokratik. Përndryshe PDIU do të bëhet një parti pa identitet e pa qëllim, që pret zgjedhjet duke shpresuar rezultate të larta dhe mundësinë që mund t’i shfaqet nga defektet e sistemit parlamentar. Nuk besoj se z. Idrizi dhe njerëzit pranë tij kërkojnë kaq pak.

Jam i bindur se Tirana dhe Kavaja kanë aq çamë sa për të nxjerrë deputet kryetarin e PDIU, por ky i fundit duhet të gjejë mënyrën për t’u fituar zemrën. Dhe kjo nuk bëhet nga TV dhe as për një muaj, por duhen të paktën katër vite. Le ta shfrytëzojë PDIU këtë kohë në opozitë për t’u rilidhur me elektoratin e saj tradicional, për t’u bërë një parti e vërtetë që funksionon si në pozitë ashtu edhe në opozitë, e cila përfaqëson realisht të gjithëçamët të cilët kanë nevojë për t’u përfshirë, për t’u ftuar në aktivitete të hapura e jo të mbyllura, për t’u aktivizuar e për t’u dëgjuar, të cilët kanë nevojë për të thënë edhe një herë me plot gojën, PDIU është partia jonë...