Grupet kriminale veprojnë gjithnjë e më tepër në mënyrë të strukturuar, përmes zinxhirëve të mirëorganizuar të furnizimit, transportit, magazinimit, shpërndarjes dhe transferimit të përfitimeve financiare, duke shfrytëzuar rrugët detare, ajrore, tokësore dhe infrastrukturën financiare ndërkombëtare.

Hetimet e Prokurorisë së Posaçme kanë dëshmuar se veprimtaria kriminale karakterizohet nga një ndarje e qartë e roleve, përdorimi i komunikimeve të enkriptuara, krijimi i subjekteve tregtare fiktive.

Shumica e aktiviteteve të rënda kriminale të këtyre grupeve, vëren raporti, zhvillohet jashtë territorit shqiptar, ndërsa vendi përdoret kryesisht për pastrimin e parave, si pikë tranziti, rekrutimi dhe qendër koordinimi.

Në trafikun e kokainës grupet shqiptare duket se kanë fijet e tyre në të gjitha hallkat. Droga niset nga Kolumbia dhe Ekuadori për të mbërritur në Europë në portet e Italisë, Spanjës, Belgjikës dhe Holandës, si dhe përmes rrugëve tokësore në Francë e Mbretëri të Bashkuar. Fshihet në kontenierë, automjete apo ngarkesa me fruta, paleta druri dhe thasë kakaoje, shpesh me dokumente të falsifikuara dhe kompani fiktive. Trafikantët siguruan akses në porte dhe dogana të vendeve europiane përmes korruptimit të zyrtarëve të atjeshëm.

Grupet funksionojnë me strukturë gjysmë-hierarkike. Drejtuesit koordinojnë financimin dhe rrugët ndërkombëtare, ndërsa anëtarët merren me transportin, magazinimin dhe shpërndarjen. Pagesat kryhen kryesisht me cash dhe kriptovaluta, ndërsa fitimet pastrohen përmes ndërtimit, bizneseve dhe pasurive të paluajtshme.

Kultivimi dhe trafiku i kanabisit vijon të jetë një aktivitet fitimprurës për grupet kriminale. Malësia e Madhe, Saranda, Tepelena dhe Gjirokastra rezultojnë zonat kryesore të kultivimit, në parcela, sera apo mjedise të mbyllura të marra me qira. Një aktivitet që zhvillohet shpesh në bashkëpunim me të huaj dhe në disa raste me përfshirje të efektivëve të policisë, që në këmbim të parave, kanë ofruar mbrojtje ose informacion mbi kontrollet e forcave të rendit. Prodhimi trafikohet kryesisht drejt Greqisë, Malit të Zi, por dhe në destinacione të largëta si Turqia, Finlanda apo dhe Zvicra.

Struktura e grupeve funksionon vertikalisht, me role të qarta, ku në krye qëndronte drejtuesi, financuesi, personat përgjegjës për kultivimin, transportuesit dhe shpërndarësit, ndërsa aktiviteti zhvillohet sipas fazave të qarta operacionale, mbjellje, kultivim, tharje, përpunim, transport dhe shpërndarje.

Trafiku i armëve mbetet një tjetër fenomen shqetësues. Hetimet zbuluan skema ku armët dërgoheshin drejt Mbretërisë së Bashkuar, të fshehura brenda pjesëve të mobilieve. Grupet përdornin dokumente dhe identitete të rreme dhe funksiononin në dy nëngrupe, një në Shqipëri për sigurimin dhe transportin e armëve dhe një tjetër në Mbretërinë e Bashkuar për pritjen dhe shpërndarjen e tyre.

Hetimet me ndërkombëtarët dokumentuan gjithashtu përfshirjen e grupeve shqiptare në vrasje të sofistikuara, shpesh të lidhura me hakmarrje. Këto struktura funksionojnë në mënyrë hierarkike, ku drejtuesit planifikojnë ekzekutimet dhe anëtarët sigurojnë ekzekutorë, armë dhe eksplozivë. Krimet përfshijnë ekzekutime me armë zjarri, shpërthime me eksploziv, tentativa eliminimi dhe fshehje të kufomave.

Një tjetër aktivitet i grupeve kriminale është trafikimi i emigrantëve nga Azia dhe Afrika drejt vendeve të BE-së, si dhe të shqiptarë drejt Mbretërisë së Bashkuar, SHBA-së e Kanadasë. Shqipëria përdoret kryesisht tranzit, emigrantët futen me viza pune të siguruara me dokumente false dhe më pas transportohen ilegalisht përmes Ballkanit. Pagesat për këtë shërbim variojnë nga 6 mijë deri në 8 mijë euro, ndërsa për skemat drejt SHBA-së arrijnë deri në 40 mijë deri 45 mijë dollarë.