Ngatërresa e Paskalit
me shtatoren e I.Qemalit

Ngatërresa e Paskalit <br />me shtatoren e I.Qemalit
Më duhet të them që në fillim se Odise Paskali është skulptor i madh me trashëgimtarë të vegjël. Ngatërresa e Paskalit post -mortum në këtë histori, është ogur jo i mirë për artistët e gjallë. Vendosja e një statuje interieri, konceptuar nga vetë autori për një ambient të mbyllur do të binte ndesh me vetë këto ide dhe këto kondicione. Nëse sa për të kaluar radhën e mbështesin me ndonjë pemë, atëherë sa për të bërë detyrën me vlerat që ka kjo statujë mund të funksionojë. Nëse kadilerët do më vinin në garë mua edhe një herë, personalisht nuk do të bëja dot më edhe katër Ismail Qemalë të tjerë me redingot apo pa redingot, me feste apo pa feste të kuqe. Nuk do i plotësoja dot kriteret as të fizionomisë që gjendet tek kartëmonedha e pesëmijëlekëshit.

Nuk do ta mbyllja dhe kartën e deklaratës në formë tubi, por do ta lija ashtu të hapur këtë simbol të heraldikës moderne të shtetit Shqiptar, që askujt tjetër nuk do ti rrinte aq bukur sesa në dorën e I.Qemalit. Por meqë këto simbolika nuk i kemi parë këtej nga anët tona nga medreseja e kuqe e realizmit socialist unë mbeta ne klasë. Ky prononcim duhet të ishte më i gjatë, por meqë qershori i qershive iku dhe korriku i të korrave na la shënden, të paktën me teknikën e foto-celularit të na shpallen nëpër media fituesi me bocetin përkatës, që edhe ne të dimë të mbyllim gojën nëpër kafene e nëpër gazeta. E them këtë me një ndjenjë rebelimi në mbrojtje te gjithë atyre që nuk kanë fituar dhe me ta tallen duke përdorur gjithë arsenalin fyes për një artist.

Më shqetëson më shumë teknika e foto-celularit dhe botimi i boceteve, skicideve për publikun e gjerë, të atyre që nuk kanë fituar, për të argumentuar paudhësitë të kadilerëve të akademisë së artit,në favor të tyre dhe në dëm të shumë projektetve paraqitura në këto konkurse. Vendosja e skulpturës së Odise Paskalit nuk është një turp, por një nder, ndërsa fotocelularsat të mos bëjnë propagandë antiligjore kundër skulptorëve shqiptarë aktual duke dhunuar hapur të drejtën e autorit, të drejtën e skicë-idesë e cila është e destinuar për t’u gjykuar në një garë, nga një juri e mbyllur duke ushqyer në këtë mënyrë kuajt e qerres së anticivilizimit. Me nivelet e dyshimta që personalisht dyshoj se janë të tilla për shumë skulptorë pjesëmarrës nuk duhet të tallen duke i qesëndisur nëpër gazeta, ndërkohë me teorinë Muhamedaniste fshehin imazhin e fituesve. Kjo është më shumë se tallje.

Nëse këto muaj rezultojnë si një skenar i modeluar bukur në favor të shprehjes vrastare” dihet se kush do fitoj”, do qe më burrërore të bëheshin me porosi direkte pa konkurs dhe kësisoj do qe më e ndershme dhe ligjore njëkohësisht dhe mandej nuk do varfëroheshin më shumë skulptorët e varfër shqiptarë, këta bijë të shpresës që se kanë fituar akoma lirinë. Kamë tre muaj që po punoj të parin bocet dhe të vetmen ide që kisha për Ismail Qemalin. Nëse do të donte Zoti jo vetëm që nuk do ta bëja për dy muaj dhe as do ta vendosja nëpër qoshe e rrëza lulishtesh por në sheshin e madh përball pallatit të kulturës dhe në ditën e inaugurimit statuja e Paskalit do të dilte tek shkallët e muzeut historik dhe Skënderbeu do zbriste nga kali dhe do të hiqte perden e inagurimit e mandej do hipte përsëri ne kalë. Ky është një përfundim logjik i një vendimmarrje nga halli i komisionit të lartë qeveritar për kremtimin e 100 vjetorit, por plaga që duhet kuruar është në komisionet e vogla.

*Skulptor. Pjesëmarrës i konkursit për shtatoren e Ismail Qemalit

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Nga Korridori blu, tek pista Formula 1 në Elbasan, Rama rendit projektet për mandatin e katërt

Nga Korridori blu, tek pista Formula 1 në Elbasan, Rama rendit projektet për mandatin e katërt