Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi ka ngritur në Konferencën e Kryetarëve çështjen e pagave të drejtësisë. Bardhi i është drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi duke i thënë se nuk respektojnë Kushtetutën dhe se sot gjykatat janë në krizë pikërisht se nuk u zbatua vendimi i Gjykatës Kushtetuese për një formulë të re për llogaritjen e pagave të magjistratëve.
“Sot gjykatat janë në kolaps pikërisht sepse ju nuk respektoni Kushtetutën. Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese për pagat e gjyqtarëve dhe ju nuk merreni me atë çështje. Për ju nuk ka rëndësi Kushtetuta. Ka një vendim të Këshillit të Legjislacionit për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por ju nuk veproni. Pasojat janë se gjyqtarët janë pa paga dhe sot gjykatat janë në krizë. Përgjegjës është Kuvendi, i cili nuk respekton vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, tha Gazment Bardhi.
Bardhi akuzoi Peleshin se e mbylli sesionin parlamentar duke shkelur kushtetutën dhe e nisi po njësoj.
"Ju jeni kryetari i Kuvendit i vetmi në histori që konsideroni më të rëndësishëm zbatimin e një akti qeveritar sesa Kushtetutën. Në hierarkinë e normave ju nuk vendosni Kushtetutën e Shqipërisë, por urdhrat e Këshillit të Ministrave. Na folët këtu se si do të jetë sesioni i ri parlamentar, por ju po e nisni këtë sesion duke shkelur Kushtetutën. E mbyllët sesionin e kaluar duke shkelur Kushtetutën, tani po e nisni me shkelje kushtetuese. Do të duhej që ky Kuvend ta niste sesionin dje. Po ju nuk jeni serioz, nuk e njihni Kushtetutën."
Lajmi kryesor:
PS e PD përplasen për pagat e drejtësisë/ Bardhi: Gjykatat në kolaps, zbatoni vendimin e Kushtetueses! Balla: I cakton Kuvendi, më 17 shtator votojmë për formulën e re







