Ngjallen “vorioepiriotët”: Nuk kemi mbështetje por do protestojmë

Ndarja e re administrative e Shqipërisë nuk ka ngjallur vetëm tensionimin e PBDNJ-së, por dhe të shoqatave ekstremiste në Greqi. Pas reagimit të Pirro Dhimës i cili deklaron se ndarja e re dëmton “Vorioepirin”, tashmë dhe shoqatat si “Epiri i Veriut 1914”, deklarojnë se do të dalin në protestë.

Në një letër publike, Komiteti Ekzekutiv i shoqatës “Epiri i Veriut 1914”, u ka bërë thirrje të gjithë “vorio-epiriotëve” dhe qytetarëve grekë e nacionalistë që banojnë në Athinë t’u bashkohen protestës së tyre ditën e mërkurë për të kundërshtuar reformën territoriale të Shqipërisë. Por se duket se dhe vetë krerët e kësaj shoqate nuk presin reagime të tilla nacionaliste në Shqipëri, dhe shpresa e tyre mbetet në anëtarësinë që kanë në shtetin fqinj. Arsyet pse kjo shoqatë do të protestojë përball zyrave të Komisionit Europian një ditë para se reforma territoriale t’i kalojë Parlamentit Shqiptar për votim vjen sipas tyre për shkak të “orvatjeve për pronësi të plotë etnike, ndryshimin e vorio-grekëve” dhe se “ndarja administrative e planifikuar nga Tirana, është një shkelje flagrante e të drejtave të njeriut për pakicat kombëtare të miratuara nga organizatat ndërkombëtare”. Ndërkohë dhe vetë kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule e ka cilësuar ndarjen e re si një shkelje të të drejtave të minoritetit grek. Madje mbi këtë çështje ai ka zhvilluar një takim me ministrin e jashtëm të Greqisë, Venizelos.

Por protestat ndaj reformës së re administrative vijnë dhe nga vetë banorët e zonave, apo dhe nga të zgjedhurit vendor. Në komunën Berdicë të Shkodrës u kundërshtua ndarja e propozuar.

Besnik Brahimi, ka theksuar se e ka kundërshtuar këtë ndarje që në muajin dhjetor të 2013-ës. Për këtë qëllim, i zgjedhuri nga mazhoranca, është shprehur se i ka dërguar letër presidentit dhe kryeministrisë. Por dhe banorët e Dukagjinit, Velipojës, Dajçit dhe Postribës kanë protestuar kundër kësaj reforme. Po dje dhe në zonat e Vlorës janë zhvilluar protesta që kundërshtojnë propozimin e ndarjes. Në komunën Novoselë, Qendër dhe Shushicë të zgjedhurit dhe mbështetës të tyre kanë tubuar për të kundërshtuar propozimin e komisionit të posaçëm. Frika e tyre ka qenë për shërbimet që mund t’u hiqen pas ndarjes së re. Pasi shkrirja si komunë do të sjellë dhe largimin e zyrave të shërbimit. Ndaj dhe ata e kanë parë me skepticizëm situatën. Nga ana tjetër prej opozitës vijon bojkoti parlamentar, duke mos pranuar nisjen e bisedimeve për gjetjen e një tjetër zgjidhjeje.

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

PD kërkon qeveri teknike, Kikia: Protestat e opozitës, modeste për ta detyruar mazhorancën të pranojë! Partitë e reja janë një realitet i ri në politikë