Një ngjarje tragjike u shënua pasditen e 14 korrikut në fshatin Shipkovicë të Tetovës në Maqedoninë e Veriut. Dy punëtorë humbën jetën si pasojë e shembjes së murit të cilët po e riparonin, pas shembjes së dheut që kishte ndodhur pak ditë më parë.
Njëri nga viktimat është shtetas i Shqipërisë, informon alsat, ndërsa tjetri shtetas i Maqedonisë së Veriut, fshati Sellcë i Tetovës.
Mediat vendase shkruajnë se dy viktimat po punonin në ndërtimin e murit pranë lumit që kalon mes fshatit Shipkovicë, kur një pjesë e murit u shemb.
Viktimat janë 50 vjeçari J.C nga Shqipëria dhe 63 vjeçari A.A nga fshati Sellcë i Tetovës.
“Në ora 15:45 në SPB-Tetovë është raportuar se dy persona gjatë kryerjes së punëve ndërtimore në fshatin Shipkovicë të Tetovës, A.A.(63) nga Selca e Tetovës dhe J.C.(50) nga Republika e Shqipërisë, kanë marrë lëndime të rënda trupore nga të cilat kanë ndërruar jetë. Mjekët e Urgjencës kanë konstatuar vdekjen e tyre”, informoi policia e Tetovë.
Prokurori publik ka urdhëruar që të sigurohet i gjithë dokumentacioni nga personi juridik që ka angazhuar punëtorët, si dhe dokumentacioni nga komuna lidhur me ndërtimin e murit. Në vendngjarje ka shkuar edhe Inspektorati Shtetëror i Punës, i cili do të përgatisë një raport, për të përcaktuar arsyet e kësaj ngjarje tragjike.
Edhe Kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami ka shprehur keqardhje dhe ngushëllime familijarëve për humbjen e rëndë.
Komente






