Gjatë viteve që kalova në Selanik jam takuar me shumë grekë me origjinë shqiptare. Në Selanik shumë qytetarë grek kanë mbiemra të fjalës shqipe si Albani. Rrugës për në spitalin Shën Nikolaos, gjendet një Tavernë pronari i së cilës quhej Mihal Allvanosi i cili kishte origjinë shqiptare. Në rrugën Politeknou nr. 45 ato vite gjendej zyra e një avokati me emrin Orestis Albanis. Në Selanik jetojnë edhe nipat e Avni Rustemit, djemtë e motrës, njërin prej të cilëve (Theodhor G) e kam takuar disa herë. Ai, ishte rreth 70 vjeç, më tregoi saktë ku kanë qenë varrezat myslimane të shqiptarëve sepse atje ndodheshin varret e mëmës dhe atit të tij. Në qarkun e Selanikut ndodhen tre fshatra që banorët janë me origjinë shqiptare dhe janë vendosur aty pas vitit 1922 si popullsi e këmbyeshme të ardhur nga Mandrica e Bullgarisë dhe Trakia Lindore e Turqisë.
(Në foto: ESAT PASHA, ne vilen e qeverise greke, VILA KAPANDZI, SELANIK 1917)
Shqiptarët në Selanik në fillim të shek. XX kanë zhvilluar aktivitetet politike dhe kulturore. Në këtë qytete kanë pasur shtëpi të tyre shumë tregtarë nga Korça si dhe ish-kryeministri i Shqipërisë Hasan Bej Prishtina i cili u vra në 1933, po në këtë qytetet. Në rrugën Vasilis Ollgas, ku ndodhet ende shtëpia - pallat e Hasan Prishtinës, pak metra më tutje janë dy shtëpi-vila të tregtarëve shqiptar Mehmet dhe Ahmet Kapandzit. (Për familjen Kapandzi, shpeshherë shkruhet se ishin hebrenj mysliman që njihen me emrin Donme, por në disa shkrime thonë se janë shqiptarë. Sot familja Kapandzi është e vendosur në Turqi). Këto dy Vila u ndërtuan në vitin 1893-1895 në një hapësirë prej 4 hektarësh të cilat shikonin nga deti.
Njëra është e modelit zviceran e projektuar nga Piero Arigoni me një dekorim të bukur të tavanëve me piktura. Ndërsa vila tjetër në vitin 1912 u bë rezidenca e princit të Greqisë, Nikollës. Në këtë vilë në vitin 1917 qëndroi disa muaj Esat Pashë Toptani i cili komandonte disa forca ushtarake shqiptare të cilët shërbenin në ushtrinë franceze gjatë Luftës së Parë Botërore. Fotografitë që do sjellim të Esat Pashë Toptanit janë bërë pikërisht në vilën ku ai qëndroj disa muaj në Selanik dhe gjatë dekorimit të tim me Kryqin e Luftës nga gjenerali francez Sarrail më 15.8.1917.
Varrezat e bashkësisë shqiptare u prishën në vitin 1983, sipas gazetës greke ΜΑΚΕΔΟΝΙΑ. Në këto varreza ndodheshin varret e shumë personaliteteve të jetës politike dhe shoqërore, por për fat të keq vetëm eshtrat e Hasan Prishtinës shpëtuan dhe u dërguan në Shqipëri pasi zhdukjes së kësaj varreze. Deri në vitin 2000, pika gjeografike ku ndodhej varreza shqiptare ishte shënuar gabim në librin e Artë të Selanikut. Gjatë periudhës që jam marrë me studimet historike zbulova faktin që ky vend prej më se 30 vitesh shënohej gabim në hartën e qytetit.
Nipërit e Avni Rustemit, djemtë e motrës së tij të cilët ishin shtetas grek dhe deri më 1980 i përkisnin besimit islam, por nga trysnia shtetërore ishin kthyer në ortodoks, më treguan se varreza ndodhej në një kodër në lagjen Triandria, ku tani janë ndërtuar pallate. Pasi i dërgova fjalë një këshilltari të Prefektit të Selanikut për këtë gabim u bë edhe korrigjimi i vendndodhjes së vërtetë të varrezave shqiptare në librin e Artë të qytetit. Vendi i varrezave të shqiptarëve ka qenë i blerë nga familjet shqiptare që kanë jetuar dhe punuar në Selanik që në kohën e Perandorisë Osmane.
Në Selanik disa vite ka jetuar Ismail Qemali i cili u martua me një greke me emrin Kleoniki. Për pak muaj qëndroi në këtë qytet edhe mbreti Ahmet Zogu bashkë me shoqëruesit e tij pas largimit nga Shqipëria në 1939.
Gjatë kohës së Kryengritjes së Turqve të rinj (Xhonturqve) në korrik-gusht të vitit 1908, në Selanik kanë qëndruar Çerçiz Topulli, Bajo Topulli dhe Mihal Grameno.
Në vitin 1916 në qytetin e Selanikut forcat greke të ndihmuar nga ushtria franceze pushkatuan atdhetarin e shquar shqiptar Themistokli Gërmenjin.
Me Selanikun lidhet edhe një ngjarje shumë e rëndësishme për grekët dhe Greqinë. Më 26 tetor 1912 Komandanti turk me kombësi shqiptare gjenerali Hasan Tahsin Pasha ia dhuroi grekëve dhe jo bullgarëve qytetin e Selanikut. Hasan Tahsin Pasha pas dhuroi Selanikun u largua në fillim për në Francë dhe më pas në Zvicër ku edhe në moshën 73 vjeçare vdiq në Lozanë në vitin 1918. Aty edhe u varros. Në vitin 1937 Hasan Tahsin Pasha ç’varroset dhe eshtrat e tij u varrosën për herë të dytë në varrezat e shqiptarëve në Selanik, në varrin familjar Mesara.
Pasi u prishën varrezat shqiptare më 1983, përsëri ç’varroset dhe rivarroset në varrezat e Malakopit, ku eshtrat i qëndruan 23 vite. Më 2006 eshtrat e Hasan Tahsin Pashës do të ç’varrosen për të tretën herë për tu rivarrosur me nderime të larta ushtarake bashkë me eshtrat e djalit të tij Qenanit në Muzeun e Luftërave Ballkanike që ndodhet 25 km larg Selanikut në drejtim të qytetit të Edessës. Ndërtesa që është kthyer në Muze ka shërbyer për bisedime midis Gjeneral Mesaresë dhe komandantit të ushtrisë greke Kostandinit nga 25-26 tetori 1912.
Hasan Tahsin Pashë Mesareja kishte 7 fëmijë, prej të cilëve vetëm 3 jetuan, dy djem dhe një vajzë. Njëri nga djemtë e tij ka qenë ambasador i Shqipërisë në Athinë para Luftës së Dytë Botërore. Ai u martua me një greke dhe vdiq në vitin 1968. Vajza e vetme u martua në Turqi. Kurse djali tjetër i Hasan Tahsin Pashës i cili quhej Qenan Mesareja u martua në Janinë me vajzën e shqiptarit Mustafa Pashës që ishte pasanik i madh i Epirit. Qenani kishte mbaruar Institutin francez në Stamboll dhe ishte adjutant i babait të tij.
Ai gjithashtu ishte dhe piktor. Shumë piktura të tij gjenden në shtabin e armatës së tretë të ushtrisë, në Janinë, në klubin e oficerëve në Selanik, si dhe në koleksionistët private. Një nga pikturat e rëndësishme është çasti kur babai i tij gjenerali Hasan Tahsin Pasha firmosi dokumentin e dorëzimit të qytetit të Selanikut grekëve në vitin 1912. Qenan Mesareja kishte dy djem, njëri djalë sot jeton dhe punon si inxhinier elektrik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Djali tjetër i Qenanit, Shahini mbas studimeve për arkitekturë në Itali punon dhe jeton në Athinë.
*Historian
Shkrimi u botua sot në Suplementin Rilindasi në gazetën Shqiptarja.com (print) 21.07.2013
Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)