Ngjarjet më të rëndësishme që
"tronditën" politikën përgjatë 2014

Ngjarjet më të rëndësishme që<br />"tronditën" politikën përgjatë 2014
TIRANE - Viti 2014 nisi me një ngjarje shume të rëndësishme që do të mbetet në histori, mbledhjen e përbashkët të qeverisë Shqipëri- Kosove që u zhvillua më 11 janar në Prizren . Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës vendosën ta nisin bashkë rrugëtimin për përmbushjen e sfidave të 2014-ës, duke nënshkruar deklaratën e bashkëpunimit dhe partneritetit strategjik si dhe akordimin e një fondi për maternitetin e Luginës së Preshevës. 

Mbledhja e përbashkët e qeverisë Shqipëri-Kosovë 
Por kjo ngjarje  nuk mbeti jashtë vëmendjes së ish-kryeministrit Berisha ,i cili edhe pse e përshëndeti  takimin,  nuk la pas ironinë duke thënë se takimi është mbajtur në një përvjetor të keq, pikërisht në ditën e instalimit të regjimit të Enver Hoxhës në Shqipëri.
 
rama thaci

Rekrutimet në administratë përplasin qeverinë e opozitën
Ndonëse fillim viti palët politike rinisën sulmin ndaj njëra tjetrës për çështje të mbartura nga viti 2013 si rekrutimet në administratën shtetërore për të cilat Partia Demokratike kërkoi që ato të shpallen “nul” pas datës 1 janar pasi sipas demokratëve po rekrutoheshin militantët e Partisë Socialiste. Përpos kontestimit të darftit të “nëpunësit civil”, demokratet ankimuan në Gjykatën Kushtetuese, kompetencat e INUK dhe Aktin normativ të buxhetit.

Greva e të shkarkuarve në administrate, perfshihet PD
Largimet ne administratë  muaj më vonë do të shkaktonin edhe grevën e urisë nga të shkarkuarit në administratën publike që do të mbahej në çadrën pranë Kryeministrisë. Grevë kjo në të cilën u përfshi Partia Demokratike.
 
politika

Përplasjet e qeverisë dhe opozitës për reformën territoriale 
Sesioni i 2 parlamentar i legjistaturës së 8 që nisi më 20 janar, kishte në fokus disa sfida kryesore, si reforma territoriale dhe reforma në drejtësi. Reforma territoriale e iniciuar nga mazhoranca nuk arriti të gjente dot konsensusin e opozitës ndonëse kryeministri përveç ftesës që i dërgoi kundërshtarit të tij politik për bashkëpunim, i njohu Partisë Demokratike të drejtën e vetos.
 
Pavarësisht se thirrjet e ndërkombëtarëve ishin të njëpasnjëshme për konsensus mes palëve,  deputetët e PD-së nuk morën pjesë në komisionin e posaçëm parlamentar të ngritur për ndarjen e re administrative. E vetmja që iu bashkua nga opozita kësaj reforme ishte PDIU, e cila siguroi kështu votat e mjaftueshme për të miratuar hartën e re me 61 bashki në seancën e fundit plenare ne muajin Korrik.
 
reforma territoriale

PD ankimoi në Kushtetuese një sërë çështjesh 
Partia Demokratike nuk u pajtua me hartën e re të qeverisë, duke ndërmarrë në këtë mënyrë një tjetër hap, ankimimin e ligjit në Kushtetuese. Por dhe pse shpresëplotë nga gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese se do ta hidhnin poshtë variantin e qeverisë, kjo e fundit në muajin Dhjetor rrëzoi kërkesën e PD-së, duke lënë në fuqi ndarjen e re territoriale.
 
Historia e fshirjes së serverit të Tatimeve e nisur qysh në nëntor të viti 2013 vijoi edhe gjatë vitit 2014 duke sjellë përplasje të forta mes palëve madje dhe një arsye sepse opozita bojkotoi Kuvendin ishte dhe ngritja e komisionit hetimor te posaçëm. 

Lufta për reformat e ndërmarra nga qeveria por dhe ndërhyrjet në gjyqësor, reflektuan përplasje nga mazhoranca dhe me presidentin e vendit. Kjo kur kreu i shtetit, dekretonte emra  për të plotësuar vendet vakante në Gjykatën e Larte ndërsa  mazhoranca i rrëzoi në Komisionin e Ligjeve e më pas në seancë plenare kandidaturat  me argumentin se Presidenti po mbështet Partinë Demokratike.
 
Presidenca u kundërpërgjigj duke akuzuar mazhorancën se po synon të kontrollojë edhe Gjykatën e Lartë. Luftë kjo që do të vijonte deri në fund të këtij viti për një sëre çështjesh. 

Në 20 Shkurt opozita do të organizonte protestën e dytë pas asaj të muajit nëntor 2013 dhe do ta zhvillonte atë në bulevard. Kjo protestë sipas kryetarit Basha vinte për të ndalur situatën e rëndë ekonomike dhe mungesën e rendit. 

Forcat politike u përplasën edhe për shkarkimet dhe emërimet në Policinë e Shtetit. Ngritja e një komisioni të posaçëm për këtë çështje solli akuza e kundër akuza. Sipas mazhorancës përpara krijimit të qeverisë së re, konfirmohej degradimi i plotë i Policisë së Shtetit. Ndërsa nga ana tjetër Partia Demokratike do të akuzonte Drejtorin e Përgjithshëm në Policinë e Shtetit, Artan Didi se ka vrarë një të pafajshëm, ndërsa shtoi se në radhët e policisë janë emëruar persona që kanë lidhje me krimin, trafikun e drogës, qenieve njerëzore e kontrabandën e naftës, ndërsa shkarkimet në polici janë bërë në kundërshtim me ligjin.
 
Pjesë e hapave të qeverisë gjatë 2014-ës ishte edhe plotësimi i vendeve vakante në AMA dhe RTSH. Por debati mes palëve kulmoi kur Komisioni i Medias mori vendim për të shkarkuar kryetaren e AMA Endira Bushatin me arsyetimin se është konstatuar pavlefshmëri e mandatit të saj.

Në kohen e këtyre debateve dhe pasi kishte zhvilluar dy protesta, kryetari i PD Lulzim Basha do të paralajmëronte vijimin e demonstratave të tjera. Ndërsa për herë të parë, Basha artikuloi një rishikim të marrëdhënies me parlamentin, në kushtet kur sipas tij, keqqeverisja është bërë e papërballueshme.

Denoncimet e Partise Demokratike ndaj politikave të qeverisë në fushën e financave do të vijonin përgjatë gjithë vitit.
 
basha

Dialogu i nivelit te larte, KE rekomandoi statusin 
Më 6 mars do të zhvillohej takimi i dytë i dialogut të nivelit të lartë, mes Shqipërisë dhe BE-së, i mbajtur ne Tiranë. Komisioneri për Zgjerim Stefan Fyle nënvizoi rëndësinë e gjithëpërfshirjes jo vetëm të opozitës por edhe të shoqërisë civile në realizimin e reformave të kërkuara si detyra shtëpie nga Brukseli. Për të dërguarin e Brukselit ishte një diskutim i mirë, i hapur, të sinqertë ku u diskutua udhërrëfyesi i Shqipërisë për të përmbushur 5 prioritetet kyçe. 

Por para ardhjes së Fyles në Tiranë ish-kryeministri Sali Berisha do të hidhte akuza te forta përmes rrjetit social Facebook ndaj komisonerit për Zgjerimin Stefan Fule si një diplomat serbofil. Sipas tij, vendosja e tre ligjeve si kusht për integrimin, ishin një kurth i Fules. 

Debatet mes opozitës dhe mazhorancës vijuan thuajse përgjatë gjithë vitit për të shkarkuarit në administratë. Socialistët e demokratët u akuzuan reciprokisht për emërimet dhe shkarkimet në zyrat e shtetit në rang familjarësh. 

fyle

Rama ne Berlin mori mbeshtetjen e Merkel per statusin 
Në datën 1 prill kryeministri Edi Rama do të udhëtonte drejt Berlinit për të takuar kancelaren Angela Merkel. Gjatë kësaj vizite kryeministri Rama arriti të merrte mbështetjen e Gjermanisë për t’i thënë parimisht PO statusit të vendit kandidat për Shqipërinë në muaj qershor. Kjo u cilësua si një vizitë e suksesshme dhe një mbështetje e Gjermanisë për qeverinë e re të Edi Ramës.
 
Kjo vizitë do të pasohej me një tjetër, pas pak muajsh. Shefi i ekzekutivit shqiptar do të gjendej në muajin gusht ne Berlin për të marrë pjesë në konferencën për Ballkanin e organizuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel.
 
Statusi i vendit kandidat kish vënë të gjithë qeverinë në lëvizje. Në 6 Prill,  Ministrat Bushati dhe Gjosha zhvilluan takime intensive në Gjermani dhe Greqisë për të lobuar që Shpipërisë t’i jepej statusi. Nga ana tjetër edhe kryetari i PD Basha negocionte për këtë çështje me ambasadoret e BE-së.
 
Në fokus të parlamentit në muajin prill ishte marrëveshjen e huasë nga FMN ,e cila u kthye në debatin më të fortë në parlament. Qeveria përmes ministrit të Financave Shkëlqim Cani, garantoi se nuk do të kishte rritje taksash dhe as ulje pagash dhe pensionesh. Por kjo nuk i pengoi deputetet demokratë, të merrnin një e nga një fjalën për ta kundërshtuar duke krijuar edhe situatë të tensionuar.
 
Në skenën politike do të dilte në pah një tjetër çështje ajo e “drogës” që do të përplaste fort opozitën me mazhorancën deri në ngritjen e komisionit të posaçëm hetimor që u drejtua nga ministrja Ermonela Felaj asokohe deputete e PS.
 
Pretendimet e opozitës se Forcat e Armatosura po përdoren për trafik droge i hodhi poshtë kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli të cilët u shprehen se nuk ka asnjë fakt dhe asnjë prove.  Debati u acaruar me tej kur një avioni PIPER i drejtuar nga një pilot italian do të rrezohej ne plazhin e Divjakës nga ku më pas hetimet zbuluan një rrjet ajror të narkotikëve. Kjo ngjarje i shpeshtoi më tepër akuzat mes palëve duke bërë që në 15 maj Partia Demokratike  të zhvillojë një tjetër protestë që zgjati gati 5 orë para Parlamentit, përmes së cilës kërkoi dorëheqjen e Kryeministrit Rama pas ngjarjes së Divjakës.

Dhe pas 8 ditësh PD do të organizonte sërisht protestë të cilën e mbajti në shesh dhe jo përpara kuvendit. Në këtë protestë u kërkua dorëheqja e kryeministrit Rama, si përgjegjës për kthimin e “Shqipërisë në një Kolumbi europiane të drogës. 

Pas këtyre protestave  një tjetër përplasje do te lindte  mes presidentit dhe mazhorancës për projektligjin për Forcat e Armatosura. Nishani dhe PD  pretendonin se preken kompetencat e kreut të shtetit, ndërsa qeveria garantonte se drafti nuk prek asnjë kompetencë të presidentit.
 
Hendeku mes tyre u thellua më shumë kur presidenti Nishani do t’i kthente për rishqyrtim kuvendit katër ligje të rëndësishme të cilat ishin reforma territoriale  funksionimin dhe organizimin e KLD, ligjin për Policinë e Shtetit si dhe ligjin për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Administrative. Argumenti ishte se ishin antikushtetuese.

Në 26 maj do të shënohej përplasja e parë fizike mes deputetëve demokratë dhe socialistë. Shkak për këtë u bë një deklaratë e deputetit demokrat Gent Strazimiri në Komisionin e Ligjeve gjatë një seance për KLD-që çoi në konfrontim fizik mes tij dhe deputetëve socialistë Xhemal Qefalia e Armando Prenga. 

Më vonë një tjetër përplasje fizike do të ndodhte ne kuvend mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës. Teksa zhvillohej seanca plenare e datës 10 korrik, deputeti demokrat, Gent Strazimiri, për të dytën here u bë protagonist i një konfliktit fizik me deputetët socialistë Pjerin Ndreu dhe Arben Ndoka. Shkak për dhunën mes tre protagonistëve u bënë fyerjet që Strazimiri e Ndreu kanë shkëmbyer nga karriget e parlamentit, replika këto që erdhën pasi deputeti demokrat Gent Strazimiri, akuzonte se në radhët e socialisteve në Kuvend ka deputetë të lidhur me krimin dhe të ardhur direkt prej tij në këtë institucion. 

Kjo ngjarje do t’i vinte kapak vendimit te opozitës për të bojkotuar kuvendin. Bojkot ky që zgjati mbi 5 muaj. 

merkel

KE i dha ne qershor Shqiperise statusin e vendit kandidat 
Qershori ishte muaji mjaft i rëndësishëm për Shqipërinë pasi në datë 27 qershor Komisioni Europian do t’i thoshte “PO” statusit të vendit kandidat. Ky zhvillim u parapri nga vendimi i Komisionit Evropian që konfirmoi pa pikë dyshimi pa kushte dhe rezerva rekomandimin që shtetet anëtare t’i japin Shqipërisë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Kjo u konfirmua në Tiranë nga eurokomisioneri Stefan Fyle në raundin e tretë të dialogut të nivelit të lartë.

Në analizën e 300 ditëve të para të qeverisjes kryeministri Edi Rama do të deklaronte se do t’i shpallte luftë korrupsionit në sistemin e drejtësisë. Por nga ana tjetër kundërshtari politik i Ramës zoti Lulzim Basha do të shprehej se 300 ditët nuk prodhuan asnjë bilanc pozitiv.
 
Në këtë aktivitet kreu i qeverisë do të lëshonte një deklaratë që do  sillte më pas një përgjigje të ashpër nga ana e presidentit  Bujar Nishani gjë që do të thellonte hendekun mes qeverisë dhe institucionit të Presidencës.

Fillimi i muajit shtator ishte i vrullshëm për politikën shqiptare, një tjetër ngjarje që tërhoqi vëmendjen e madhe të opinionit publik në muajin shtator, padyshim që ishte arrestimi i guvernatorit të Bankës Ardian Fullani. I akuzuar se nuk kishte plotësuar Këshillin Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë, çka solli vjedhjen e mbi 700 milion lekëve nga thesari i Bankës. Arrestimi solli më pas shkarkimin nga Kuvendi i Shqipërisë, duke i hapur rruge hetimeve nga gjykata ne lidhje me akuzat.

Kjo ngjarje qe reflektoi muaj debate mes mazhorancës dhe opzitës por jo vetëm, çoi dhe në rishikimin e pozicioneve të anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të BSH por dhe të ligjit për Bankën e Shqipërisë; zgjedhja e një guvernatori të ri që çoi në negociata mes palëve. Disa here kreu i shtetit Nishani, kryeministri Rama dhe kryetari i Kuvendit Meta, u takuan për të gjetur një emër konsensual. Madje si kryeministri dhe presidenti shpallën thirrje publike ndaj të interesuarve që të dorëzonin CV për të kandiduar për anëtar të Këshillit Mbikëqyrës fillimisht dhe më pas për guvernator. Kryeministri Edi Rama deklaroi se guvernatori i ri do të jetë një shqiptar që jeton dhe punon në sistemin e huaj financiar, ndërsa presidenti ka nënvizuar se i takon me Kushtetutë propozimi për guvernatorin e ri. Propozimi i presidentit Gentjan Sejko mori aprovimin e parlamentit për anëtar të Këshillit Mbikëqyrës, ndërsa mazhoranca propozoi Denada Priftin, duke e lënë të hapur garën mes këtyre dy emrave për guvernator të ri.

ke

Papa Francesku ne Tirane, percolli mesazhe te forta 
Në datën 21 ishte Papa Françesku që zhvilloi një vizitë 12 orëshe në vend. Vizita e Papës u parapri nga një periudhë e ngjeshur përgatitjesh, veçanërisht në qendrën e Tiranës, ku Sheshi “Nënë Tereza” u kthye si sheshi i Famshëm i Shën Pjetrit në Vatikan ku Papa Françesku mban meshat e përjavshme. Vizita e Papës kulmoi me mbajtjen e një meshe të hapur para mijëra të pranishmëve. Ati i Shenjtë dha disa mesazhe të forta mbështetësve për Shqipërinë, si një vend që ka një tolerancë fetare si asnjë vend tjetër në botë. Një harmoni që sipas Papa Françeskut duhet të shërbejë si një model për tu aplikuar edhe nga shtete të tjera në botë, ku dhuna sektare është problem që shkakton mijëra viktima në vit.
 
papa

Shkarkimi i Elvis Cefes nga KLD perplas poziten e opoziten
Por gëzimi dhe paqja që solli vizita e Papa Françeskut, u pasua menjëherë me debate mes partive politike, për shkak të shkarkimit të dy anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefës që ishte dhe nënkryetar dhe Lulzim Lelçaj anëtar. Shkarkimi erdhi pas një hetimi 3 mujor nga një komision i posaçëm parlamentar, i cili konkludoi se Cefa ka shkelur kompetencat e ministrit të drejtësisë, madje ka bllokuar zgjedhjen e disa kryetarëve të gjykatave në rrethe për më shumë 2 vjet.
Nuk munguan akuzat se kur drejtonte Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të pronave ka tjetërsuar një pronë në mënyrë të kundraligjshme. 

Integrimi europian mbeti në vëmendjen e politikës shqiptare dhe Bashkimit Europian, për këtë arsye në muajin tetor u zhvillua edhe takimi i 5 dialogut të nivelit të Lartë BE-Shqipëri, nën drejtimin e komisionit për zgjerimin Stefan Fyle, mbledhja e tij e fundit si komisioner para largimin nga zyra. Por takimi solli debate të forta mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetit demokrat Arben Ristani, debate që zbehën ndjeshëm këtë vizitë. Megjithatë në përfundim të konferencës komisioneri për zgjerimin në largim Fule dhe kryeministri Edi Rama, theksuan se prioritet i qeverisë shqiptare mbetet Reforma në Drejtësi për të cilën kishte patur pak progres, megjithëse ishte një kusht thelbësor i vendosur nga Bashkimi Europian.
 
Për reformën në drejtësi u zhvilluan edhe disa konferenca të zgjeruara nën patronazhin e presidentit Bujar Nishani, por takimet u dominuan nga debatet mes kreut të shtetit që është dhe kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe kryeministri Edi Rama. Ku ndërsa kryeministri akuzonte për korrupsion të skajshëm në KLD, Nishani kritikonte kryeministrin se po sulmonte pa të drejtë sistemin e drejtësisë. Debatet sollën një ngecje të kësaj reforme, ndërkohë që vetëm me votat e mazhorancës u ngrit dhe ka filluar nga puna , komisioni i posaçëm për reformën në drejtësi që do të punojë për 6 muaj, me synim reformimin e sistemit. 

elvis cefa

Zgjedhjet brenda PD nxjerrin ne pah pakenaqesite e demokrateve 
Muaji Tetor dhe Nëntor, shënoi zhvillime të shumta në partinë më të madhe opozitare atë demokratike, ku pati një riformatim të gjithë aparatit partiak duke larguar një pjesë të mirë të figurave të njohura të demokratëve me emra të rinj dhe të panjohur. Fillimisht ishin zgjedhjen për Këshillin Kombëtar të Demokratëve, që sollën një largim të shumë figurave të njohura nga demokratët, por mes 150 emrave të rinj të Këshillit Kombëtar, u vu re edhe rikonfirmimi i disa personazheve të njohura në Partinë Demokratike, që njihen si të afërt me kryetarin aktual Lulzim Basha. Por riformatimi vazhdoi më tej edhe me zgjedhjen e kryesisë së partisë, që është edhe organi më i lartë vendimmarrës, ku mes emrave të larguar spikasnin ai i Jozefina Topallit, Mesila Doda, Sali Berisha i larguar me dëshirë, Astrit Patozi etj. Ndërsa kemi një angazhim të shumë figurave të reja edhe këta të njohur sit ë afërt me kryetarin aktual Lulzim Basha. Por organizimit kryedemokrati Basha i shton edhe disa struktura të tjera mbështetëse, si nënkryetarët e partisë ku u zgjodhën Edi Paloka dhe Edmond Spaho, sekretar u zgjodh Arben Ristani, si dhe krijimi i 22 departamenteve mbështetëse dhe 6 sekretariateve.

Mes emrave që spikasin në këto departamente janë edhe dhëndri i ish-kryeministri Sali Berisha Jamarbër Mallatezi, Grida Duma etj. Por zgjedhja e tyre dhe procesi i votimi shkaktoi debate të forta mes demokratëve që akuzuan kryetarin Basha se ka shkelur statusin e PD, duke mos zhvilluar votime të fshehta. Por pavarësisht debateve, kryetari i demokratëve Basha në festën e organizuar me rastin e 24 vjetorit të themelimit të PD, bëri thirrje për një bashkim dhe afrim të gjithë të pakënaqurve, si mundësia e vetme për të përballuar dyshen e oligarkëve Rama-Meta. 

pd

Rama ne Beograd kerkoi njohjen e Kosoves, Vucic reagoi ashper 
Një zhvillim që zuri një vëmendje të madhe gjatë nëntorit të 2014, ishte vizita e kryeministrit Edi Rama në Beograd, e para pas një mungesë 70 vjetësh të një zyrtari të lartë shqiptar në Serbi. Vizita arriti kulmin e saj në deklaratën për shtyp mes kryeministri Edi Rama dhe atij Serb Aleksandër Vuçiç, ku thirrja që zoti Rama adresoi ndaj disa shteteve dhe vetë Serbisë që të njohë Kosovën, si shtet të pavarur dhe Sovran, shkaktoj ilaritet në sallë, ku kryeministri Serb nuk e fshehu pakënaqësinë e tij. Por pavarësisht tensionit dhe reagimeve të shumta, vizita shënoi një pikë kthese në raportet mes dy vendeve, ku u nënshkruan 3 marrëveshje mjaft të rëndësishme bashkëpunimi. Pjesë e vizitës ishte dhe një ndalesë e kryeministrit Edi Rama në Luginën e Preshevës, ku pati një pritje tejet entuziaste nga shqiptarët që jetojnë në këto troje. 
 
rama beograd

Qeveria aksion ne sektorin e energjise, nderpret lidhjet e paligjshme 
Në nëntor qeveria do të ndërmerrte një reformë të vështirë dhe të thellë që parashikonte reformim të sektorit energjetik në vend. Kjo parashikonte mbledhjen e të gjitha debive të konsumatorëve shqiptarë si dhe prerjet e lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike. Për këtë kreu i qeverisë paralajmëroi burg për këdo konsumator abuzues, e cila çoi ne arrestimin e shumë prej tyre në të gjithë territorin e vendit. Reforma vijoi dhe me tej kur qeveria ofroi zgjidhje për pagesat e prapambetura të konsumatorëve, por e gjitha kjo iniciativë çuditërisht e pa si krijimi i  një “shteti policor” nga ana e PD, duke bërë që në 22 Nëntor të zhvillohej protesta e radhës. 

rama energji

Parlamenti miraton buxhetin e 2015 
Buxheti i 2015 ishte një etapë e rëndësishme e punës së mazhorancës për 2014. Buxheti sipas qeverisë është më i larti krahasuar me vitet e mëparshme, dhe në fokus ka sektorin e bujqësisë, turizmin, uljen e taksave dhe reduktimin e borxhit publik. Ndërkohë nuk parashikon investime në vepra infrastrukturore. 
Aksioni i qeverisë kundër gjithë lidhjeve të paligjshme të energjisë solli një përmirësim të arkëtimeve dhe një përmirësim të ndjeshëm në shpërndarjen e energjisë. Aksioni u pasua me një fushatë të gjerë kontrollesh dhe arrestimesh ndaj gjithë atyre që nuk kishin paguar detyrimet për energjinë elektrike ndër vite. Ndërsa për përmirësimin e situatës, u nënshkruar edhe një marrëveshje me Bankën Botërore, me vlerën e 140 milion dollarëve për të rimëkëmbur gjithë sistemin. Project që fillon në 2015 dhe përfundon në 2019. Por qeveria bëri një tjetër premtim se pas aksionit për energjinë do të ketë një fushatë të gjere edhe kundra vjedhësve të ujit. 

parlamenti

Projektligji i qeverise per hapjen e dosjeve te sigurimit
Muaji nëntor përveç festimeve dhe debateve për datën e çlirimit solli edhe një argument të njohur për politikën shqiptare, siç është hapja e dosjeve të bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit. Kryeministri Edi Rama zgjodhi hapjen e Bunkart, ish-bunkeri i Shtabit të Përgjithshëm, për të dhënë mesazhin e qartë që mazhoranca aktuale do të hapë dosjet e ish-sigurimit të shtetit, gjatë 2015. Madje ministri i Mirëqenies Erjon Veliaj, deklaroi se ligji i lustracionit do të jetë gati në muajin janar të 2015. Për hapjen e dosjeve edhe shoqëria civile dhe disa deputetëve si Mesila Doda dhe Shpëtim Idrizi student të dhjetorit, dorëzuan në kuvend një projektligj konkret për hapjen e dosjeve. 

Muaji dhjetor shënoi një tjetër ngjarje të rëndësishme, vizitën e dytë të kryeministrit Edi Rama në Serbi, në kuadër të samitit Kinë me vendet e Europës Qendrore dhe Lindore. Në ndryshim nga vizita e parë vizita dhe takimi i zotit Rama me homologun e tij serb Vuçiç ishte më e qetë, dhe palët firmosën disa marrëveshje. Ndërsa me kinezët, u firmos marrëveshja për ndërtimin e Rrugës së Arbrit. 

dosiet

Marreveshja mes mazhorances e opozites per bojkotin
Politika e brëndëshme pati ngjarje që në fund, sollën thyerjen e bojkotit nga Partia Demokratike në 24 dhjetor në seancën e fundit parlamentare për 2014. Por rruga për gjetjen e konsensusit ishte e vështirë, u desh edhe negocimi i 2 eurodeputetëve Eduard Kukan dhe Knut Flankeshtain, në Tiranë që palët të gjenin konsensus. Zgjidhja erdhi me nënshkrimin dhe me pas votimin e një rezolute me 4 pika, që parashikon dekriminalizimin e parlamentit një kërkesë kryesore e Demokratëve, respektimi i vendimeve të gjykatës Kushtetuese, e drejta e opozitës për ngritur komisione parlamentare dhe pjesa ku mazhoranca duhet të mos përdorë forcën e kartona në sallën e parlamentit pa marrë konsensusin e opozitës, por jo domosdoshmërish. Afati që palët kanë rënë dakord për dekriminalizimin e parlamentit është 30 qershori i 2015, vetëm 9 ditë nga afati që presidenti Bujar Nishani ka përcaktuar për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, zgjedhje që do të zhvillohen me ndarjen e re Territoriale me 61 bashki në gjithë vendin. Vendim që u mbyll përfundimisht edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ku u rrëzuan kërkesat e Partisë Demokratike për të shpallur antiligjore këtë reformë.

basha rama

Viti 2014 u përmbyll me vizitën në Tiranë të kryeministrit italian Matteo Renzi.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Shkodër/ Në kërkim për armëmbajtje pa leje, arrestohet 28-vjeçari! Në pranga edhe një 24- vjeçar, theu masën e arrestit të shtëpisë

Shkodër/ Në kërkim për armëmbajtje pa leje, arrestohet 28-vjeçari! Në pranga edhe një 24- vjeçar, theu masën e arrestit të shtëpisë