Situata tejet e vështirë që po kalon vendi këto ditë si pasojë e motit të keq, nuk është një “muzikë” e padëgjuar për Shqipërinë. Përmbytjet, dalja e lumenjve nga shtrati dhe dëmet e konsiderueshme në toka bujqësore, shtëpi banimi, biznese private, ekonomi e infrastrukturë, duket se ndjekin të njëjtin “refren” prej dekadash. Historia po përsëritet madje deri në detaje: plot 41 vite më parë, pikërisht në 7 janarin e vitit 1985, një mot i ngjashëm polar “gjunjëzoi” vendin, nga jugu në veri.
Në atë kohë, dëmet ishin tragjike – jo vetëm në shtëpi banimi, fshatra të tërë nën ujë, toka bujqësore e blegtori, rrjeti energjitik dhe telefonik i shkatërruar, por edhe me dhjetëra jetë njerëzish të humbura nga orteqet dhe ngricat. Aq alarmante ishte situata, saqë Enver Hoxha, ndonëse në gjendje të rëndë shëndetësore, thuhet se ndiqte personalisht situatën çdo ditë dhe dërgoi me urgjencë në zonat më të goditura, disa nga ministrat dhe gati gjysmën e anëtarëve të Byrosë Politike të Komitetit Qendror, si; Rita Marko, Besnik Bekteshi, Hekuran Isai, Prokop Murra, Pali Miska, Muho Asllani, Simon Stefani etj. Dokumentet arkivore dëshmojnë për një mobilizim të jashtëzakonshëm, ku nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Degëve të saj nëpër rrethe, raportohej me dy deri në tre komunikata operative në ditë, mbi gjendjen në të gjitha rrethet e vendit.
Ndërsa natyra ndjek ritualin e saj shekullor, koha për qeverisjen tonë, duket se ka mbetur në vend. Dokumentet arkivore me siglën “Sekret” (të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme), dëshmojnë se pikat nevralgjike të vitit 1985, janë po ato që lëngojnë edhe sot: Veriu dhe Lindja: Bllokimi i rrugës së Vermoshit dhe rretheve Mirditë, Pukë, Kukës, Has, Tropojë e Peshkopi. Zona e Lezhës dhe Kurbinit: Tale, Gjorm, Adriatik, argjinatura e lumit Drojë dhe fusha e Thumanës. Shqipëria e Mesme dhe e Jugut: Kthesa e Murrashit, malësia e Gjinarit, dhe zonat përgjatë lumenjve Devoll, Shkumbin, Osum, Vjosë e Seman, e hidrovoret e tyre. Nga juglindja në jugperëndim: Nga Korça e Erseka, deri te lumi Drino në Gjirokastër apo, Bashaj-Matogjin në Vlorë.
Në këtë hartë të vjetër e të re të përmbytjeve, vetëm një qytet bënte përjashtim në janarin e vitit 1985. Sipas komunikatave të Ministrisë së Brendshme: “Durrësi nuk ka asnjë problem”! Sa më sipër etj., bëhet e ditur përmes këtij cikli shkrimesh me dokumentet arkivore dhe faksimilet dhe fotot përkatëse, që Memorie.al publikon për herë të parë, duke hedhur dritë mbi një nga dimrat më të egër të shekullit të kaluar dhe ngjashmërinë tronditëse me sfidat që na përndjekin edhe sot.
RAPORT- INFORMACIONET SEKRETE TË MINISTRISË SË BRENDSHME, MBI MOTIN E KEQ ME RESHJE TË DENDURA SHIU DHE DËBORE QË PËRFSHIU TË GJITHË SHQIPËRINË MË 7-15 JANAR 1985 DHE DËMET E SHKAKTUARA NË RRETHE TË NDRYSHME NGA PËRMBYTJET, BLLOKIMET E RRUGËVE NACIONALE, ORTEQET E DËBORËS ETJ.
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË SEKRET
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar i vetëm
DEGA E PËRGJITHSHME Tiranë, më 12.1.1985
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 7
INFORMACION
Ora 12.30
PESHKOPIA
Me radio njofton urgjent se sipas lajmeve që ka nga Lura, nga kryetari i kooperativës bujqësore Krej-Lurë, më datën 10.1.1985, në ora 16.00, ka rënë një ortek, nga i cili ka gjetur vdekjen Kastriot Gjin Rajta, nxënës në shkollën e mesme dhe janë plagosur 7 të tjerë, të cilët kanë qenë duke punuar në stallën e fshatit.
Personat janë gjetur më datën 11.1.1985 nga fshatarët që po i kërkonin. Është dëmtuar një stallë dhe kanë ngordhur 120 kokë dele, 5 kuaj dhe 15 qe. Janë marrë masa për t’u dhënë ndihmë mjekësor të plagosurve dhe evakuimin e popullatës së shtëpive të veçanta të atij fshati që janë në rrezik nga orteqet. Linja telefonike me këtë fshat nuk ka punuar fare.
MIRDITA
Njofton urgjent se rrugët për në Fan, Kurbnesh, Kaçinar, Malaj, Reps, janë bllokuar. Linjat telefonike me jashtë rrethit, nuk funksionojnë, kurse brenda rrethit punon Spaçi. Në Klos të Fnait janë shembur zyrat e Këshillit të bashkuar, Gjendja Civile dhe degës së Bankës. Në fshatin Zall-Xhuxhë, janë dëgjuar të shtëna, por nuk dihet se çfarë ka ndodhur.
PUKA
Më datën 12.1.1985, në vendin e quajtur Livadh – Kabash, është shembur depua e rezervës së shtetit, në të cilën ka grurë. Mundësi për të shkuar për ndihmë, nuk ka. Rrezik shembje kanë edhe tre ndërtesa të tjera.
Më datën 12.1.1985, centrali telefonik i Iballës, njofton se është gjetur i vdekur nga orteku i dëborës, i quajturi Çun Mëhilli, nga fshati Shopel i Berishës, i datëlindjes 1962, i cili ka humbur qysh me datën 9.1.1985, kur u nis për të shkuar në stallën e fshatit, për të ushqyer bagëtitë.
Më datën 12.1.1985, u gjet i vdekur (i ngrirë nga dëbora) i quajturi Lin Frrok Mema, vjeç 33, nga Kabashi i Pukës i cili më datën 11.1.1985, në darkë, kur po shkonte në qendrën e kooperativës për të marrë bukë, ka ngelur në dëborë.
SHTABI I GATISHMËRISË SË PËRHERSHME
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË SEKRET
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar i vetëm
DEGA E PËRGJITHSHME Tiranë, më 14.1.1985
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 10
INFORMACION
TROPOJA
Gjendja e kohës vazhdon të jetë si më parë, me një ulje të ndjeshme të temperaturës, sot në mëngjes ajo ka arritur në -20 gradë C., e cila ka krijuara shqetësime gjatë shërbimit, mbasi ushtarëve nga të ftohtit u janë krijuar flluska në duar e këmbë. Gjithë rrugët e komunikacionit janë të zëna, me përjashtim të atyre brenda qytetit, të minierës së Rragamit dhe deri në Tropojë, që kalohet me shumë vështirësi.
Më datën 10.1.1985, duke zbritur një kope me dhi nga Gjonpapa për në Lekbibaj, ka rënë një ortek dhe ka marrë 20 kokë bagëti, të cilat nuk gjenden. Dëme në njerëz nuk ka patur. Ndërlidhja funksionon me të gjitha zonat, me përjashtim të postës kufitare të Lumit të Gashit.
KUKËSI
Gjendja e kohës vazhdon të jetë shumë e ftohtë, me temperaturë – 22 gradë, rrugët në përgjithësi janë të bllokuara, me përjashtim të Bicajt, Gjegjanit dhe Kalimashit. Nga personat që ka kapur orteku në fshatin Vilë, janë gjetur 7 dhe janë në kërkim 5 të tjerë.
PESHKOPIA
Gjendja e kohës është mjaft e ftohtë, rruga që komunikon me Burrelin, është e bllokuar në Qaftë të Buallit. Punojnë rrugët e Bulqizës dhe të Murraj. Me rrethin, në përgjithësi ndërlidhja punon, me përjashtim të postës së Gjinovecit
BURRELI
Rrugët janë të bllokuara me Peshkopinë si dhe me Krastën e me Batrën. Koha është shumë e ftohtë dhe në Batër ka pasur murrlan shumë të madh.
PUKA
Gjendja e kohës është shumë e ftohtë rrugët e komunikacionit janë të bllokuara. Po punohet për të hapur rrugën në drejtim të Shkodrës dhe për t’u bashkuar me grupin që është dërguar nga ky drejtim, i cili ka mbërritur deri në Gomsiqe.
SHKODRA
Rrugët e komunikacionit komunikojnë me përjashtim të Cukalit që shkon deri në Vilë dhe të Vermoshit që shkon deri në Tamarë. Disa fshatrat si Shllaku, që kishin mbetur pa furnizim, u furnizuan dhe me helikopter. Qëndrojnë të bllokuara dhe pa komunikim zona e Vermoshit dhe e Dukagjinit.
MIRDITA
Disa zona si Fani, Spaçi dhe Kurbneshi, janë të bllokuara dhe rrugët nuk janë hapur. Në Kurbnesh dhe në Fan ka mungesë të energjisë elektrike. Reshjet e shiut dhe të dëborës nuk ka pasur, ujërat kanë rënë dhe nuk paraqesin shqetësim.
Përfundimisht sot në mëngjes janë bllokuar rrugët e komunikimit me rrethet Pukë, Kukës, Tropojë, Peshkopi, ndërsa linjat telefonike punojnë, me përjashtim të Tropojës që komunikon me Shkodrën.
OFICERI I GATISHMËRISË SË PËRHERSHME
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË SEKRET
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar i vetëm
DEGA E PËRGJITHSHME Tiranë, më 15.1.1985
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 12
INFORMACION
TROPOJA
Reshje nuk ka patur. Temperatura ka qenë – 20 gradë C. Rrugët vazhdojnë të jenë të bllokuara. Ka patur mjegull të dendur. Ndërlidhja telefonike është e rregullt, me përjashtim të Lumit të Gashit. Probleme të tjera nuk ka.
PUKA
Më datën 14.1.1985, Rrok Pal Ndou, vjeç 43, banues në fshatin Berishë e Epërme, gjeti vdekjen se më parë ishte plagosur nga një ortek dëbore. Mbas-dite dhe gjatë natës ka pasur reshje dëbore në Iballë dhe në malin e Krabit. Temperatura arrin deri në – 20 gradë C. Rrugët automobilistike vazhdojnë të jenë të zëna.
Po punohet për hapjen e rrugës në drejtim të Shkodrës, ku është arritur deri në fshatin Luf, ndërsa nga ana e Shkodrës ka arritur deri në Gomsiqe. Sot erdhi makina nga Fushë-Arrëzi për në Pukë. Ndërlidhja është në rregull, me përjashtim të disa fshatrave të zonës së thellë.
KUKËSI
Reshje dëbore nuk ka patur. Temperatura ka patur një ngritje të lehtë. Rrugët vazhdojnë të jenë të bllokuara. Gjatë natës është ndërprerë ndërlidhja telefonike edhe me Morinën e Pogaj. Janë marrë masa për ndreqjen e tyre. Nga personat që u zunë nga orteku në fshatin Vilë, janë gjetur gjithsej 12 persona të vdekur.
Kërkohen edhe tre persona të tjerë. Më datën 14.1.1985, u gjet i vdekur afër shtëpisë së tij, Dervish Mehmet Meta, vjeç 57, banues në fshatin Pistë, vdekja i ka ardhur nga orteku i dëborës.
DIBRA
Reshje dëbore nuk ka patur. Ka fryrë erë e fortë. Rrugët vazhdojnë të jenë të zëna. Po punohet për hapjen e rrugës nga Fushë-Bulqiza për në Qafë-Buall, ku veç dëborës së grumbulluar nga era ka pasur edhe shembje të dheut. Ndërlidhja ka punuar në rregull, me përjashtim të Gjinovcit dhe Radomirës ku komunikohet me radio.
BURRELI
Reshje dëbore nuk ka patur. Po punohet për çeljen e rrugës në drejtim të Peshkopisë, ku janë hapur 5 km nga Qafa e Buallit në drejtim të Burrelit. Gjatë natës është zënë rruga nga Krasta për në Batër.
SHKODRA
Rruga në drejtim të Pukës vazhdon të jetë e zënë. Vazhdojnë punimet për çeljen e saj. Mbrëmë është nisur një autokolonë me makina ushtarake nga Mjeda në Gomsiqe, për të çuar ndihma në rrethin e Pukës.
Ka patur vështirësi për furnizimin me bukë të zonës së Shllakut dhe fshatit Zogaj. Në Shllak u hodh bukë me helikopter, kurse në Zogaj, në orën 21.00, të datës 14.1.1985, mundën të kalojnë makinat me zinxhir. Ndërlidhja telefonike është në rregull.
MIRDITA
Reshje dëbore nuk ka patur. Rrugët për në Kurbnesh dhe në Spaç, si dhe rruga nacionale për në Pukë, janë të zëna. Për dy të parat po punohet për hapjen e tyre. Rruga Rëshen-Perlat i Epërm, është hapur. Perlat i Epërm-Kurbnesh, punojnë mjetet për furnizimin e popullsisë. Pusi i minierës në Kurbnesh, është i mbushur me ujë.
U nisën dy pompa për heqjen e ujit. Rrugë Rëshen-Shpal është e hapur dhe vazhdon puna për hapjen në Reps. Një pjesë e rrethimit të jashtëm të Kampit të Spaçit, do të rregullohet nesër. Forcat e Spaçit punojnë 30 %. Probleme të tjera nuk ka.
KORÇA
Ndërlidhja telefonike Korç-Kolonjë, nuk punon. Po punohet për rregullimin e saj. Në të dy këto rrethe, mbrëmë ka pasur reshje të pakta dëbore. / Memorie.al
Komente











