TIRANË- Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka intensifikuar hetimin pasuror për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe familjen e tij. Në këtë fazë, prokurori i posaçëm Arben Kraja po kalon në ‘sitë’ mënyrën e financimit të Kuvendit të Rithemelimit në vitin 2021, që u përdor nga Sali Berisha në luftën me Lulzim Bashën për vulën e PD.
Indrit Hoxha u fut në ambientet e SPAK rreth orës 09:30 dhe po pyetet në cilësinë e një prej organizatorëve të Kuvendit të Rithemelimit. Aktualisht Hoxha në PD mban postin e sekretarit të Diasporën dhe njëherazi është edhe anëtar i Kryesisë së PD-së. Edhe Hoxha po pyetet se kush e financoi Kuvendin e Rithemelimit, kush ka paguar për organizimin e tij, nëse shpenzimet janë mbajtur apo jo sipas kërkesave ligjore dhe nëse janë deklaruar sipas ligjit. Thirrja e tij në SPAK vjen një ditë pasi Prokuroria e Posaçme pyeti për gati 90 minuta deputetin demokrat Belind Këlliçi, i cili ka qenë Kryetar i Komisionit Drejtues.
Hetimet për shpenzimet e kryera për Kuvendin e famshëm të Berishës 11 dhjetorin e vitit 2021, po drejtohen nga prokurori i posaçëm Arben Kraja, si pjesë e hetimit pasuror për kreun e PD dhe familjen e tij, fraksion i hapur në kuadër të aferës së privatizimit të ish kompleksit sportiv Partizani. Për këtë dosje Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi janë në gjyq të pandehur për korrupsion e pastrim parash.
Në Kuvendin e 11 dhjetorit 2021, Sali Berisha zhvilloi aktin final të një aksioni të nisur për luftën brenda PD kundër kryetarit të atëhershëm Basha. Ky i fundit e kishte përjashtuar nga grupi parlamentar i PD, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shpallën ‘non grata’ si politikan i korruptuar që minon demokracinë.
Berisha asnjëherë nuk bëri një transparencë të shpenzimeve të Kuvendit të mbajtur në “Air Albania”, as sa ishin dhe as se kush e financoi.
Nuk bëhet fjalë për shifra të vogla, por qindra milionë lekë, shpenzime që përfshinin qira të hapësirës ku është zhvilluar aktiviteti, skenografia e përdorur, reklamat në televizione të ndryshme, aksesorët për militantët me logon e partisë, materialet zgjedhore, qira sallash, kohë televizive satelitore etj.
Report Tv pati raportuar se vetëm shoqëria që administron stadiumin, ‘Qendra Sportive Kuqezi’ dhe që është në varësi të FSHF, i mori rreth 1 milionë lekë ose mbi 10 mijë euro Berishës, që t’i vinte në dispozicion të ‘Foltores’ arenën e madhe të shqiptarëve. Në tapetin e gjelbër të fushës u vendos një skelë e madhe, e cila ishte porositur në Itali. Gjithashtu u vendosën ekrane të mëdhenj moderne.
Ky Kuvend vinte pas gati 4 muajsh me dhjetëra ‘Foltore’ që Berisha bëri në të gjithë vendin. Pra dhjetëra ambiente me qira, salla, udhëtime me eskorta e shoqërues. Dhe për këtë grupi i Berishës nuk raportoi asnjë shpenzim.
Komente












Ore po kaq budallenj jane keto njerez qe te rrezikojne burgun per breket e ndyra te Saliut?
Përgjigju