Në Tiranë, Durrës, Thumanë, Mamurras, Laç, Lezhë janë ngritur çadra për të strehuar banorët që kanë mbetur në qiell të hapur për shkak të tërmetit të regjistruar rreth 20 orë më parë, por edhe të tjerët të cilët nga frika refuzojnë të rikthehen në banesat e tyre.
Në dispozicion të tyre janë vënë batanije, ushqime, ujë. Vetëm në Durrës janë strehuar rreth 2500 persona.
Për mikrofonin e Report Tv, disa nga banorët kanë deklaruar se janë ka pasur mjaftueshëm ushqim, por janë ankuar për mungesën e organizimit sipas së cilëve nuk po bëhet një shpërndarje e rregullt me batanijet, e cila është e domosdoshme për të kaluar natën mes temperaturave të ulëta.
Rreth 50 persona janë nisur nga qyteti i Durrësit drejt Kosovës, e ndërsa pritet që 50 të tjerë të nisen më vonë.
Gazetari i report Tv, Ergys Kavaja raporton se janë nisur dy autobusë deri më tani, e ndërsa pritet që të tjerë të nisën në orët e më vonshme. Ato do të priten nga autoritetet vendase atje, ku do të strehohen në qendra rezidenciale. Në rast se numri i shqiptarëve që do të shkojnë në Kosovë do të jetë shumë i lartë, pritet që shqiptarët atje të hapin dyert për vëllezërit e tyre, ashtu siç këta të fundit kanë bërë 20 vite më parë, në vitin 1999.
Nga ana tjetër, sa i përket gjendja në stadiumin "Niko Dovana" ku janë ngritur çadrat, situata është e qetë. Lodhja, frika, stabilizimi me batanije, ushqim, ujë ka bërë që situata të jetë më e qetë.
Disa banorë në të strehuar në stadiumin "Niko Dovana" janë ankuar se nuk po bëhet një shpërndarje e drejtë e batanije, teksa disa thonë se me ushqim janë të kënaqur.
Banori 1: Për të qarë. Dua një karton që të shtrihem dhe një batanije, se këto po i hedhin.
Banori 2: Pa bukë jam, nuk më kanë dhënë një batanije. T'i ndajnë me rregull dhe qetësi se nesër do shkoj te Edi Rama. S'ma kanë dhënë as një batanije. Na janë shkatërruar shtëpia, po shkatërrohemi edhe nga trutë. Turp të kenë shqiptari dhe kosovari.
Një pjesë e banorëve të Tiranës po e kalojnë natën te çadrat e ngritura te stadiumi Dinamo, pasi kanë frikë që të drejtohen për të shkuar te banesat e tyre si pasojë e lëkundjeve të vazhdueshme të tërmetit. Banorët kanë dhënë nga një prononcim për Report Tv;
Banori 1; Shtëpia nuk ka pësuar dëmtime, por dolëm këtu për siguri. Batanijet i ka sjellë bashkia, por edhe ushqimin. Sot do të qëndrojmë bashkë.
Banori 2; Në shtëpi kemi pasur vetëm krisje dhe jo dëmtime. Natën do ta kalojmë këtu. Kemi dëme sa të duash, shtëpia e krisur nga të gjitha anët. Më mirë këtu se në shtëpi me frikë, se jam vetëm.
Banori 3; Jemi pleq dhe kemi frikë se mos vdesim dhe e lëmë dyfekun varur. Na i sollën të gjitha ushqime dhe batanije. Do të qëndroj këtu, pleq jemi por prapë shpirti është një vjeç.
Banori 4; Mbrëmë punë sekondash mund të kishte ikur i gjithë pallati, ka pasur tronditje të madhe. Sot nuk ka pushuar tërmeti asnjë sekondë, këtu nuk na mungon asgjë.
Banori 5; Fëmija më dridhej nga frika nga tërmeti. Nëse lëkundjet do të vijojmë të flemë jashtë, por ishallla jo se jemi edhe me fëmijë të vogël.
Frika për një lëkundje tjetër, ka bërë që një pjesë e qytetarëve në Tiranë ta kalojnë natën në makinat e tyre. Anash rrugës tek Unaza e Re ka makina të shumta me familje brenda tyre, të cilët kanë lënë shtëpitë dhe kanë zgjedhur që natën ta kalojnë larg banesave të larta.
Po ashtu raportohet se edhe tek Bulevardi i Ri në Tiranë ka shumë familje që me batanije në krahë janë mbledhur së bashku për të kaluar natën jashtë.
Ndërkohë lëkundjet e tërmetit vijojnë ende, ku vetëm pak më parë u regjistrua një tjetër goditje 3.7 ballë.
Qyteza e Thumanës është një nga zonat më të prekura nga tërmeti i rënë orët e para të mëngjesit të sotëm. Ndërkohë bashkia Kurbin ka ngritur çadra pranë gjimnazit të qytetit për kalimin e natës së sotme për banorët të cilët i kanë të pabanueshme shtëpitë e tyre, dhe që fatkeqësisht janë një numër i madh. Në Mamurras, familjet në nevojë po akomodohen në çadrat e ngritura në oborrin e shkollës “Migjeni”. Gjithashtu janë shpërndarë çadra dhe do shpërndahen në vazhdim nëpër banesa.
Gazetarja e Report Tv Klesiana Omeri ka marrë rrëfime të disa banorëve që sot do të strehohen në çadrat e vendosura në Thumanë. Ato kanë treguar për mikrofonin tonë tmerrin që kanë parë me sy mëngjesin e kësaj të marte, kur dhe u regjistrua tërmeti.
"Xhaxhai i ka vdekur gruaja, çuni i ka mbetur në rrënoja. Po presim që të dalin nga rrënojat. Kemi përfituar nga ndihmat", shprehet një banore.
"Shtëpinë e kam në pallat kat të tretë. M'u mbyll dera, doja të dilja, por nuk mund të dilja. Kemi hapur derën me forcë dhe kemi shpëtuar nga jeta. Çunat donin të dilnin nga ballkoni, por unë s'i lashë", tha një tjetër.
Report Tv ka qenë brenda çadrave të vendosur në Thumanë ku janë strehuar banorët e prekur nga tërmeti. Kushtet janë minimaliste, por të mjaftueshme për të shmangur jetë të tjera të humbur nga ky tërmet katastrofik. Gazetarja Klesiana Omeri raporton se për këta banorë që janë strehuar këtu kanë marrë ndihma ushqimore, ujë, batanije teksa disa banorë të tjerë ka arritur që t'i sigurojnë në mënyrë individuale.
"Mirë mirë, jo keq. Na kanë dhënë batanije, ushqime", shprehet një banore.
NUK keni nevoje te shkoni ne kosove,,,do happen hotelet ne durres--vlore,,e rrini ketu,,qe te vazhdoni punen dhe shkollen….//
Përgjigju