Greqia mbetet në krah të Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian. Kjo u rikonfirmua gjatë takimit që Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, zhvilloi në Athinë me Presidentin e Parlamentit grek, Nikitas Kaklamanis, ku u diskutua edhe për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Gjatë takimit, Peleshi dhe Kaklamanis vlerësuan marrëdhëniet e ngushta shqiptaro-greke, të mbështetura te partneriteti në NATO, interesat e përbashkëta strategjike dhe perspektiva europiane e dy vendeve. Të dy bashkëbiseduesit nënvizuan rëndësinë e forcimit të dialogut politik dhe parlamentar për të çuar më tej bashkëpunimin mes Tiranës dhe Athinës.

Kryetari i Kuvendit shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Greqia i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit europian, ndërsa vlerësoi ecurinë e negociatave me Bashkimin Europian dhe objektivin e vendit për t’i përmbyllur ato brenda vitit 2027.

Nga ana e tij, Presidenti i Parlamentit grek riafirmoi mbështetjen e Athinës për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe theksoi se bashkëpunimi parlamentar mund të krijojë mundësi të reja për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Pjesë e diskutimeve ishte edhe bashkëpunimi ekonomik mes Shqipërisë dhe Greqisë. Dy zyrtarët vlerësuan rritjen e shkëmbimeve tregtare, investimeve, projekteve infrastrukturore dhe flukseve turistike, duke theksuar se ekziston ende potencial i madh për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit.

Vëmendje të veçantë mori edhe roli i komunitetit shqiptar në Greqi dhe minoritetit grek në Shqipëri, të cilët u cilësuan si ura të rëndësishme lidhëse mes dy vendeve.

“Dy urat më të rëndësishme që lidhin vendet tona janë minoriteti grek në Shqipëri dhe komuniteti shqiptar në Greqi; mbi këto vlera duam të ndërtojmë më shumë prosperitet dhe bashkëpunim mes dy vendeve tona”, tha Peleshi.

Gjatë takimit u diskutua gjithashtu për rëndësinë e trajtimit me dialog dhe frymë konstruktive të të gjitha çështjeve me interes të ndërsjellë, në respekt të parimeve të fqinjësisë së mirë, së drejtës ndërkombëtare dhe interesave strategjike të përbashkëta.

Në përfundim, Peleshi dhe Kaklamanis riafirmuan vullnetin për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore dhe partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Greqisë, duke e konsideruar bashkëpunimin parlamentar një instrument të rëndësishëm për nxitjen e bashkëpunimit dypalësh, forcimin e sigurisë, stabilitetit rajonal dhe promovimin e paqes.