Ish-kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski ka marrë këtë të mërkurë statusin e azilantit politik në Hungari. Lajmi është bërë i ditur nga “Alsat Maqedonia”, e cila shkruan se kërkesa e Gruevskit është pranuar nga kabineti i kryeministrit të Hungarisë dhe se do të shqyrtohet dhe vlerësohet nga autoritetet hungareze.
Media maqedonase citon njoftimin e kabinetit të Viktor Orban, ku thuhet ndër të tjera se vlerësimi i kërkesës për azil të Nikolla Gruevskit do të shqyrtohet vetëm në aspektin juridik.
“Ish-kryeministri i Maqedonisë ka deklaruar arsyet për mundësimin e statusit të refugjatit në Hungari. Duke pasur parasysh se Gruevski ka qenë për 10 vite kryeministër dhe duke marrë në konsideratë rrethanat e sigurisë, autoritetet tona i kanë lejuar Gruevskit të dorëzojë zyrtarisht kërkesë për azil dhe e kanë dëgjuar arsyetimin e tij në zyrat e Byrosë për migrim dhe azil në Budapest. Autoritetet hungareze do ta shqyrtojnë kërkesën e Gruevskit dhe do ta vlerësojnë në përputhje me ligjet hungareze dhe ato ndërkombëtare. Ne nuk dëshirojmë të ndërhyjmë në punët e brendshme të shteteve sovrane dhe konsiderojmë se vlerësimi i kërkesës për azil për ish kryeministrin do të shqyrtohet vetëm në aspektin juridik", citon "Alsat Maqedonia" njoftimin e kabinetit të kryeministrit Orban, që shton se nuk mund të ndajnë më shumë informacion me opinionin, përpara se të përfundojë procedura për azil e ish-kryeministrit Gruevski.
Procedura për azil zbatohet në afat prej 60 ditëve, duke përfshirë edhe intervistën kokë-më-kokë me kërkuesin për azil. Koha e nevojshme për procedurat nuk është e përfshirë në afatin procedura, e megjithatë, qeveria mund të sjell vendim në afat më të shkurtër kohor, e cila zgjat deri në 15 ditë.
Ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski ka kërkuar një ditë më parë azil politik në Hungari dhe lajmin e ka bërë vetë të ditur, përmes një postimi në llogarinë e tij personale në rrjetin social "Facebook". Mbi të rëndojnë akuzat e shpërdorimit të detyrës, pasi bleu gjatë kohës që ishte në postin e kryeministrit të Maqedonisë një automjet të tipit “Mercedes” me vlerë rreth 600 mijë euro.