Në një takim për herë të parë me gazetarët, kryetarja e kuvendit Lindita Nikolla, premtoi transparencë dhe garantoi rikthimin e tyre në sallën e parlamentit, gati 2 vjet pas shpalljes së pandemisë. Kryeparlamentarja theksoi se do të bashkëpunojë me opozitën për ligjet e rëndësishme.
Pas afro dy viteve gazetarët morën premtimin e kryetares së parlamentit Lindita Nikolla se do të rikthehen fizikisht në sallën e kuvendit.
"Gazetarët do të jenë të pranishëm në sallën e Kuvendit. Kamerat do të lejohen me një minutazh të caktuar. Gazetarët do të jenë dhe në seancat plenare. Kjo çështje do të diskutohet dhe në Komisionet e Ligjeve. Komunikimi do të bëhet transparent dhe i hapur", tha Nikolla
Gjatë takimit të saj të parë me përfaqësues të medias Nikolla iu referua rregullores së kuvendit për t’iu përgjigjur interesimit lidhur me rolin e Berishës në Kuvend I cili ndonëse u përjashtua nga grupi parlamentar i PD, u deklarua se është pjesë e tij.
“Do të ketë vetëm referencën që ndiqet me rregulloren e Kuvendit, i cila në nenin 15, pika 5 thotë që çdo deputet deklaron me shkrim se në cilin grup do të bëjë pjesë. janë kryetarët e Grupeve Parlamentare të cilët bëjnë listimin dhe deklarimin e anëtarëve të grupit. Dhe Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike e ka nxjerrë jashtë deputetin Sali Berisha", vijoi ajo.
Nikolla u ndal edhe te ndryshimet kushtetuese mbi zgjatjen e afateve të vetingut.
"Kjo është kërkesë që vjen edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë. S’po jap afate, por kam gatishmëri për të vepruar me opozitën. Në informacionet që unë kam, në një prej ekraneve televizive është shprehur se dhe opozita është e gatshme që të bashkëpunuar", tha ndër të tjera kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.