TIRANË, 2 Korrik / ATSH-Z.Tosku/-Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, në kuadër të bashkpunimit rajonal, zhvilloi një takim me Drejtorin e Përgjithshëm për Arsimin dhe Kulturën në Komisionin Evropian, Xavier Prats Monne, të cilin e njohu me reformat e qeverisë për përmirësimin e cilësisë në arsim.
Në fjalën e saj, ministrja vecoi reformën në arsimin e lartë, duke përmendur kontrollin e ligjshmërisë, që për herë të parë u realizua në çdo Institucion të arsimit të lartë, mbylljen e IAL-ve private e publike që nuk plotësonin kushtet e ligjshmërisë, procesin e draftimit të Ligjit të ri të Arsimit të Lartë, ku u përfshinë gjithë grupet e interesit, si dhe akreditimin që është në proces, nga një agjenci britanike, për të gjitha IAL-të në vend.
Gjatë takimit me Monne, ministrja Nikolla kërkoi bashkëpunim dhe asistencë nga Komisioni Evropian për konkretizimin e mëtejshëm të reformave në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor.
Ndërkohë, nga ana e tij, Monne vlerësoi ecurinë e Shqipërisë në Ballkan në lidhje me reformat arsimore si dhe rolin dhe fokusin e veçantë që qeveria shqiptare po tregon për arsimin.
Qëllimi i Platformës së Ballkanit Perëndimor për Arsim dhe Trajnim është të ndihmojë këto vende me reformat e arsimit dhe trajnimit, si dhe të risë bashkëpunimin rajonal. Prioritet aktual i këtij takimi të katërt mes ministrave të Ballkanit është arsimi i lartë. /a.ke/












