TIRANË - Kryeministria njoftoi sot fillimin e procesit të përzgjedhjes së kandidatit për anëtar të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, që do të mbajë funksionin e drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv, pas emërimit nga Kuvendi.
Në faqen e saj në internet, Kryeministria publikon kriteret dhe dokumentacionin e nevojshëm për kandidatët e interesuar për këtë aplikim.
Sipas nenit 5, të ligjit nr.9572, datë 3.7.2006, "Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare", të ndryshuar, anëtari i Bordit duhet të plotësojë këto kritere:
1. Të jetë shtetas shqiptar;
2. Të ketë kryer arsimin e lartë ekonomik, juridik ose të lidhur me shkencën e aktuarëve;
3. Të ketë përvojë pune 7-vjeçare, nga të cilat, të paktën, 5 vjet në njërën nga këto fusha ose në disa prej tyre të marra së bashku:
a) financë-kontabilitet;
b) administrim i shoqërive tregtare;
c) këshillim ligjor i shoqërive tregtare;
ç) hartim legjislacioni;
d) shkencë e aktuarëve;
dh) sigurime shoqërore dhe pensione.
4. Të ketë integritet moral dhe profesional;
5. Të jetë i paangazhuar në funksione drejtuese partiake;
6. Të mos jetë i dënuar penalisht, me vendim gjykate të formës së prerë;
7. Të mos ketë konflikt interesi në përmbushje të kërkesave dhe dispozitave ligjore për konfliktin e interesave.
/ATSH/