Në teatrin "Skampa", të qytetit të Elbasanit nisi mbrëmjen e djeshme edicioni i 16-të i Festivalit Ndërkombëtar i Teatrit Bashkohor, i titulluar "Brenda dhe Jashtë".
Në këtë edicion të 16-të të këtij festival i kthyer në traditë në qytetin e Elbasanit do të performojnë 9 trupa teatrore nga vende të ndryshme, ku bie në sy pjesëmarrja e trupës teatrore të Azerbajxhanit.

Drejtori i festivalit, Adonis Filipi, tha se "ndryshe nga vitet e tjera shfaqjet do të luhen edhe në ambiente të hapura, në Metalurgjikun e Elbasanit, do ketë shfaqje në hapësirën e kalasë, pra festivali është i kërkimit estetik, ku mjedisi kthehet në gjuhë të kërkimit estetik", thotë Filipi.

Duke u ndalur tek financuesit e festivalit, Filipi shton se "është viti i gjashtë që Ministria e Kulturës nuk akordon fonde për këtë festival, ndërsa shton se "mbështetëse e festivalit është vetëm Bashkia e Elbasanit, e cila ka dhënë një fond prej 1.1 milionë lekësh të reja. Nëse do të kishim më shumë buxhet do të kishim më shumë trupa pjesëmarrëse, ndërkohë që trupa të fuqishme teatrore nga Irlanda, Kroacia apo Moska për shkak të vështirësive financiare, që patëm me festivalin nuk marrin pjesë", pohon drejtori i festivalit Adonis Filipi

Në natën e parë të festivalit u ngjit në skenë trupa e Teatrit Skampa në bashkëpunim me trupën e teatrit të Ferizajt në Kosovë.Drama "Departamenti AP" nga Jeton Neziraj, me regji të Adonis Filipit trajton realitete të shoqërisë shqiptare gjatë periudhës së regjimit komunist. Më pas në skenë u ngjit një trupë teatrore nga Italia, e cila solli për publikun "Unë jam lëkura" nga Frederica Fragapane.

ATSH