Nis festivali “Mirëdita, dobar dan!” në Prishtinë, publiku do njihet me skenën artistike serbe, me qëllim thyerjen e barrierave mes dy vendeve

Nis festivali “Mirëdita, dobar dan!” në Prishtinë, publiku do njihet me skenën artistike serbe, me qëllim thyerjen e barrierave mes dy vendeve

Materiale nga festivali "Mirëdita, dobar dan"

Të enjten në Prishtinë nis edicioni i dhjetë i festivalit, "Mirëdita, dobar dan", ku audienca e Kosovës do të ketë mundësinë të njihet me skenën artistike e shoqërore serbe.

Qëllimi i festivalit është që me takimet e komuniteteve sociale dhe kulturore, serbe dhe kosovare, të iniciojë ndryshimet dhe të krijojë një traditë bashkëpunimi që do të kontribuojë në normalizimin e përhershëm të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

“E veçanta kryesore e këtij edicioni është fakti që ne vazhdojmë të ekzistojmë si festival, pasi siç dihet 'Mirëdita, dobar dan' nuk është shumë i mirëpritur nga masa dhe grupet nacionaliste. Por, megjithatë, ne po vazhdojmë rrugën tonë me entuziazmin, seriozitetin dhe përkushtimin siç e kishim në fillim”, thotë për Radion Evropa e Lirë organizatori i festivalit, Kushtrim Koliqi.

Festivali mbahet herë në Prishtinë, e herë në Beograd, ndërsa që nga themelimi i tij në vitin 2014, është shoqëruar me protesta të organizatave dhe partive të djathta në Serbi.

“Në Kosovë nuk kemi pasur protesta të nivelit që i kemi në Beograd. Kemi pasur akuza, sharje, fyerje prej nacionalistëve apo grupeve që nuk mirëpresin ngjarje të tilla, mirëpo aktivitete publike kundërshtuese nuk kemi pasur”, thotë Koliqi nga organizata Integra.

“Jemi shumë të lumtur që kemi arritur ta kurojmë një program të tillë që qytetarëve të Kosovës t’ua prezantojmë prodhimet artistike, botimet dhe në të njëjtën kohë të zhvillojmë debate dhe diskutime për tema, për të cilat nuk jemi shumë rehat t’i diskutuar, qoftë në Kosovë, po ashtu edhe në Serbi”, shton Koliqi.

Festivali ka dy programe: atë të debateve dhe programin kulturor.

Këtë edicion do të diskutohen tema me rëndësi për Kosovën dhe Serbinë përmes promovimit të librit “Serbia tjetër: Sërgja Popoviq” nga Shkëlzen Gashi, përmes debatit “Trashëgimia tjetër”, debatit “Liria e lëvizjes në rajon: tani është koha”, dhe përmes promovimit të librit “Momenti kur kuptova që lufta filloi”.

“Ne duhet ta kuptojmë që në Serbi edhe në kohën e [ish- liderit serb] Sllobodan Millosheviqit, por edhe në ditët e sotme ka intelektualë, akademikë, artistë të cilët zëshëm i mbrojnë vlerat dhe parimet e të drejtave të njeriut, zëshëm flasin për krimet që kanë ndodhur në Kosovë. Për këtë arsye është mirë ta njohim edhe një anë tjetër të kësaj Serbie”, thotë Koliqi.

Festivali hapet me shfaqjen e filmit “Si mësova të fluturoj” nga Radivoje Andriq, i cili ka fituar shumë çmime. Ndërsa, ngjarja kryesore artistike është koncerti i grupit të vajzave rome “Pretty Loud”, të cilat në gjuhën rome, serbe dhe angleze, këndojnë për stereotipet, drejtësinë sociale dhe racën.

Në hapje të festivalit do të mbahet një minutë heshtje për të nderuar viktimat e sulmit të armatosur të një dite më parë në një shkollë fillore në Beograd, ku u vranë tetë fëmijë dhe një rojë.Organizatorët e festivalit do të ndezin qirinj para Teatrit Kombëtar në Prishtinë, në nderim të këtyre viktimave.Festivali “Mirëdita, dobar dan” do të zgjasë deri më 6 maj.REL

M.T/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Momente tmerri! Dalin pamjet brenda avionit para rrëzimit në Kazakistan të filmuar nga një prej pasagjerëve

VIDEO/ Momente tmerri! Dalin pamjet brenda avionit para rrëzimit në Kazakistan të filmuar nga një prej pasagjerëve