Muaji tetor në të gjithë botën është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, për të rritur vëmendjen dhe mbështetjen për sensibilizimin, zbulimin e hershëm, trajtimin si dhe kujdesin paliativ për këtë sëmundje.

Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka publikuar në rrjetin social Facebook, mbështetjen në ndërgjegjësimin e grave për të luftuar kancerin e gjirit. Ndërkaq në ambientet e jashtme të Ministrisë së Shëndetësisë është vendosur një fjongo në ngjyrë rozë, në përmasa të mëdha,  në shenjë sensibilizimi.
Kanceri i gjirit është kanceri më i zakonshëm i grave në mbarë botën, si në vendet e zhvilluara dhe në vendet në zhvillim. Kjo rritje në vitet e fundit është për shkak të rritjes së jetëgjatësisë, rritjes së urbanizimit dhe mënyrave jo të shëndetshme të jetesës.

Aktualisht nuk ka njohuri të mjaftueshme për shkaqet e kancerit të gjirit, por dihet se, zbulimi i hershëm i sëmundjes mbetet guri i themelit të kontrollit të kancerit të gjirit. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, kanceri i gjirit ndikon edhe në anën psikologjike të pacientëve duke shkaktuar shpesh edhe stres dhe ankth.
Nga kanceri i gjirit mund të preket çdo femër, por rreziku rritet me rritjen e moshës. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, zakonisht preken moshat mbi 50 vjeç, por mund të shfaqet edhe në mosha fare të reja. Kështu, nëse në moshat 20 vjeçare kanceri i gjirit takohet 1 rast në 2000 femra, në moshat 50 vjeçare takohet 1 rast në 40 femra, në moshat 70 vjeçare takohet 1 rast në 25 femra, ndërsa në gjithë jetën e një femre takohet 1 rast në 10 femra

ATSH