Ka nisur këtë të enjte në Gjykatën e Posaçme seanca paraprake për dosjen "Meta", ku pritet kalimin për gjykim ose jo i dosjes së SPAK për ish-presidentin Ilir Meta dhe të tjerë. Në seancë është e pranishme edhe ish-bashkëshortja e kreut të Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, e cila akuzohet për korrupsion pasiv, pastrim parash e mosdeklarim pasurie, njëlloj si Meta.

Seancat paraprake për kalimin ose jo në gjykim të dosjes “Meta” nuk do të mund të zhvillohen më ditë të martë ose të mërkurë, duke qenë se Kryemadhi është e angazhuar si opinioniste në formatin televiziv Big Brother. Këtë e bëri të ditur vetë Kryemadhi, e cila vlerësoi zemërgjerësine e gjykatëses Irena Gjoka, ndaj kërkesës së paraqitur prej saj. Seancat do të zhvillohen vetëm të enjteve.

GJKKO ka urdhëruar më herët SPAK që ish-presidentit t'i vendoset në dispozicion një pjesë e akteve.

Burime për Report Tv sqarojnë se Ilir Meta nuk ka kërkuar të gjithë dosjen, por vetëm një pjesë të akteve ku SPAK pretendon se implikojnë ish-presidentin.

SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror.

Meta dhe Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash e mosdeklarim pasurie. Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim, ndërsa Fatime Kryemadhi për pastrim parash, së bashku me Ema Çokun. Meta ndodhet në burg që nga tetori 2024, ndërsa Kryemadhi me detyrim paraqitje.