Për shumë kampionati më spektakolar dhe i fortë në botë, Premier League, do ngrejë sonte në orën 21 siparin e edicionit të ri, teksa në Old Traford Manchester United do të presë Fulhamin, për ti dhënë jetë sezonit të 33 me këtë emër dhe i 126 si kampionati elitar në Angli.
‘Djajtë’ vijnë pas një vere me shumë ndryshime ku larguan të gjithë stafin e Ten Hag, por jo trajnerin, ndërsa është bashkuar një ndihmës si Rud Van Nisteroy nga i cili të gjithë kanë krijuar pritshmëri. United ka operuar edhe në merkato duke afruar lojtarë si Zirzke, Mazroi dhe de Ligt, por pa harruar edhe talentin Yoro i cili gjithsesi është i dëmtuar. Të gjithë këto detaje do jenë ta parëndësishme nëse Manchester United nuk e nis me një fitore sezonin e ri, në një kohë që do luajë në Old Traford. ‘Djajtë’ janë më të titulluarit në ishull me 20 kampionate, por duhet ti japin fund hegjemonisë së rivalëve të Cityt që sezonin e fundit fituan Premier League për të katërtin edicion me radhë. Të besuarit e Guardiolës do debutojnë të dielën në Londër kundër Chelsea-s, që do jetë edhe përballja më interesante e javës së parë.
Po sonte, por në orën 20:45, nis sezoni i ri edhe i kampionatit francez që njihet si Ligue 1, teksa kampionët në fuqi të Paris SG luajnë në transfertën e Le Havres. Kryeqytetasit janë favoritë jo vetëm për këtë ndeshje, por edhe për të fituar kampionatin, teksa vetëm Olimpic Marseille ka bërë një merkato interesante dhe shihet si rivali i tyre.
Ndërkohë të enjten nisi sezoni i ri i La Ligas teksa që në përballjen e parë pati befasi. Atletic Bilbao nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 kundër Getafes, ndërsa më pas Betis barazoi me të njëjtin rezultat kundër Gironas, skuadrës që bëri befasinë sezonin e kaluar, duke u kualifikuar në Champions.