Sipas një njoftimi të ministrisë së Drejtësisë, ministri Nasip Naço ka urdhëruar nisjen e menjëhershme të procedurave për shkarkimin nga detyra të gjyqtares Miranda Çekrezi.
Sipas argumentimit të ministrisë, Gjin Gjoni në dhjetor të vitit 2011 ka gjykuar dhe ka rrëzuar një vërejtje të dhënë nga KLD-ja ndaj gjyqtares Çekrezi.
Ky fakt sipas ministrisë përbënte konflikt të hapur interesi dhe në bazë të dispozitave procedurale penale, duhet të hiqte dorë nga gjykimi i kësaj çështjeje dhe jo ta gjykonte dhe të rrëzonte kërkesën e prokurorisë për pezullimin e Gjonit, i cili mban edhe postin e anëtarit të KLD-së.
Gjoni u kallëzua në prokurori nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit, për fshehje dhe falsifikime në deklarimin e pasurisë së tij dhe të bashkëshortes në një vlerë mbi 2 milionë euro.
Prokuroria regjistroi procedimin penal në Elbasan, ku i kërkoi gjykatës pezullimin nga funksionet të gjyqtarit Gjoni, kërkesë e cila u rrëzua në seancë nga gjyqtarja Çekrezi.
Gjoni është kallëzuar në prokurori edhe nga QKR-ja, për shkak të falsifikimeve në regjistrimin e aktiviteteve tregtare.
DEKLARATA E MINISTRISË SË DREJTËSISË
Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço urdhëron nisjen e menjëhershme të procedurave për shkarkimin nga detyra të gjyqtares Miranda Çekrezi
Pas vendimit të djeshëm dhënë nga gjyqtarja e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan Miranda Çekrezi, në gjykimin e kërkesës së prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për marrjen e masës ndaluese “pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashkuar nga Neni 242, i Kodit të Procedurës Penale, ndaj gjyqtarit Gjin Gjoni njëkohësisht anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë:
Ministria e Drejtësisë konstaton se:
Ndaj gjyqtares Miranda Çekrezi me vendimin nr 279, datë 16.09.2011 të Këshillit të Lartë të Drejtësisë është dhënë masa disiplinore vërejtje.
Ndaj këtij vendimi është ushtruar e drejta e ankimit në Gjykatën e Apelit Tiranë, nga ana e gjyqtares Miranda Çekrezi, dhe kjo çështje është gjykuar nga trupi gjykues me kryesues gjyqtarin Gjin Gjoni.
Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr 30-2011-5449 datë 09.12.2011 ka vendosur pranimin e kërkesë padisë, anullimin e vendimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si të pabazuar në prova dhe ligj.
Në këto kushte kur gjyqtarja ka qenë në konflikt të hapur interesi dhe në bazë të dispozitave procedurale penale, duhet të hiqte dorë nga gjykimi i kësaj çështjeje.
Përsa më sipër, referuar Nenit 32 pika 2/dh Ligjit nr.9877, datë 18.02.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, kjo përbën shkelje shumë të rëndë të disiplinës për të cilën parashikohet shkarkim nga detyra.
Ministri i Drejtësisë urdhëron nisjen menjëhershme të procedurave për shkarkimin nga detyra të gjyqtares Miranda Çekrezi, për shkelje shumë të rënda të ligjit.
Redaksia Online
(l.n/e.s/shqiptarja.com)