Na kishte munguar një eveniment i tillë. Pandemia e koronavirusit e shtyu ngjarjen më të rëndësishme futbollistike në Evropë për EURO 2020 e 'mundi' dhe këtë sfidë dhe rikthehet sot me premtimin e një spektakli të garantuar.
Tashmë është gjithçka është gati. Ceremonia zyrtare do të nisë në orën 19:00, ndërkohë që ndeshja hapëse do të jetë mes Turqisë dhe Italisë në “Olimpico” në Romë.
Euro 2020 vjen në ekranin e Report Tv me emisionin sportiv MINUTA ZERO. Duke filluar nga sot, çdo ditë nga ora 14:00 deri në orën 15:00 vijnë në shtëpinë tuaj golat, emocionet dhe larmishmëria e informacioneve nga secila prej 24 skuadrave të 11 qyteteve ku do të luhet eventi.
"Me 'MINUTA ZERO' do të sjellim në shtëpinë e çdo teleshikuesi dhe shqiptari golat, emocionet, spektaklin, rikthimin e tifozëve, parashikimet dhe analizat e detajuara të këtij edicioni special të eventit të rëndësishëm", thotë drejtuesi i emisioni Andi Kapxhiu.
Një tjetër ngjarje e veçantë për ne shqiptarët është se në startin e kampionatit evropian të futbollit, do të jetë edhe një bashkëkombës i yni. Këngëtari Ermal Meta do të shoqërojë si kolonë zanorë me me hitin 'uno' në stadiumin olimpiko të Romës në ndeshjen hapëse Itali-Turqi
Në skenë do të ngjitet këngëtari me famë botërore Andrea Boceli, ndërsa zëri i Ermal Metës do të shoqërojë rrëfimin e SKY Sport pak para nisjes së ndeshjes Itali-Turqi. Kënga UNO flet për një udhëtim me fjalë dhe muzikë që shkon në çdo fushë futbolli dhe tregon se ku nuk është e nevojshme të jesh i famshëm për të luajtur sport dhe shijuar atë.
Në kampionatin europian të futbollit do të përballen 24 skuadra finaliste, turne që do të zgjasë plot një muaj dhe finalja e madhe do të luhet në datën 11 korrik në stadiumin legjendar të Anglisë Wembli. Për herë të parë do të kthehen edhe tifozët në stadiume, vendim që mori UEFA. Sonte në shkallët e Olimpikos do të jenë 14 mijë spektatorë që kanë kaluar COVID , janë vaksinura ose kanë një test negativ COVID.
Harta e stadiumeve dhe vendeve mikepritese ku do zhvillohen ndeshjet
Turqi-Itali është ndeshja e parë e Euro 2020 që si favorit ka skuadrën ‘axurre’, por që nuk do ta ketë aspak të lehtë. Ish-trajneri i Turqisë Fatih Terim për mediat italianë ka deklaruar se ‘nuk do ishte aspak habi që Turqia të shkoj deri në finalen e Ëemblit’.
Turqia vjen në këtë europian pas një fushate eliminatore ku ishte në të njëjtin grup me Shqipërinë dhe u rendit e dyta pas Francës. Pika e fortë e kësaj skuadre është mesfushori me tipare sulmuese Hakan Calhanoglu, i cili konsiderohet edhe si maestro. Lojtari për t’u parë është Çaglar Soyuncu, i cili luan si mbrojtës në Premier League me Leicester. Në pankinë dirigjenti i kombëtares është Senol Gunesh, i cili ka marrë drejtimin që prej 2019. Arritja më e madhe e Turqisë është në Europianin e 2008 kur arriti deri në gjysmëfinale.
Ndërkohë Italia vjen në këtë Europian si asnjëherë më parë, pasi në kualifikuese mori 10 fitore në 10 ndeshje. Maestro i kësaj skuadre cilësohet Marco Verrati, që luan me Paris SG në Francë. Njeriu për t’u parë është sulmuesi Ciro Immobile, i cili ishte edhe golashënuesi i Italisë në kualifikuese.
Padyshim që pika e fortë e kësaj ‘axurrëve’ konsiderohet Roberto Mancini, i cili erdhi në krye të kombëtares në 2018 dhe prej atëhere skuadra ka 27 ndeshje pa humbje. Arritja më e madhe e Italisë në një europian është në vitin 1968 kur edhe fitoi kompeticionin.
Kampionati europian që nis sot do të jetë më i kushtueshmi që është organizuar ndonjëherë. Ai do të lëvizë në total 2 miliardë euro, ndërsa fitimi pretendohet të jetë 850 milionë euro. Para jetësore këto për t’i dhënë futbollit një shtysë të rëndësishme pas gropës që solli pandemia.
Fituesi i EURO 2020, që do zhvillohet në 11 vende të ndryshme, do të shpërblehet në total me 30 milionë euro, ndërsa 9.5 do t’i sigurohet secilës kombëtare që merr pjesë. Në total janë 24.
Por kjo nuk është e gjitha pasi çdo fitore në grup do shpërblehet me 2 milionë euro, ndërsa një barazim me 500 mijë euro. Gjithashtu kalimi në raundin e dytë, që korespondon pas daljes nga grupet vlerësohet me 1.5 milionë euro. Kush shkon në çerekfinale merr 2.5 milionë euro dhe në gjysmëfinale 4. Për dy finalistet do të ketë gjithashtu 5 milionë euro.
Pritjes i erdhi fundi. Sot nis Euro 2020 me ndeshjen hapëse Turqi-Itali që do të luhet në stadiumin “Olimpico” në Romë. Me një vit vonesë, i shtyrë për shkak të pandemisë këtë muaj gjithë Europa mban frymën për një kompeticion të jashtëzakonshëm. Pas ceremonisë hapëse gjithë sytë do të drejtohen në fushën e blertë ku Turqia sfidon Italinë e Mancinit një nga favoritet. Përpara 16 mijë tifozëve të pranishëm dy ekipet premtojnë spektakël për të arritur tek fitorja. Me 27 ndeshje radhazi pa humbje të kaltrit duan ta nisin me fitore Europianin dhe në formacion nuk priten ndryshime nga njëmbëdhjetëshja që mposhti Çekinë në miqësore me Insigne, Immobile dhe Berardi në sulm. Tekniku Roberto Mancini është dukur plot besim përpara mediave: “Daum të arrijnë në finalen e Londrës duke u argëtuar” tha ai.
Turqia kërkon të jetë surpriza e kompeticionit dhe përpara sfidës hapëse trajneri Senol Gunes e pranon se skuadra e tij nuk është favorite por nga ana tjetër shpreson që të arrijë në finale dhe atje të gjejë sërish Italinë. Me një mbrojtje të hekurt dhe yjet Calhanoglu e Yilmaz turqit mund të bëjnë çudira./ Përgatiti Andi Kapxhiu