Java e Kulturore Britanike nis sot në Tiranë, duke sjellë një program të pasur ngjarjesh që do të ndërthurin muzikën, artin pamor, filmin, historinë, arsimin dhe sportin, me synimin për të forcuar urat kulturore mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë. Me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Multurës dhe Sportit kjo javë do të shndërrojë qytetin në një hapësirë të gjallë dialogu, bashkëpunimi dhe krijimtarie, ku tradita britanike dhe energjia shqiptare do të takohen natyrshëm.
Aktivitetet do të hapen në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor me koncertin “Tinguj Madhështie”, ku dirigjenti britanik Dr. James Ross do të drejtojë Orkestrën Simfonike të TKOB-it. Ky koncert do të ofrojë një përjetim muzikor të thellë, duke bashkuar elegancën britanike me pasionin interpretues shqiptar.
Më 11 nëntor, programi do të zhvendoset tek Piramida, ku do të zhvillohet aktiviteti “Tech4Edu: Fuqizojmë kapacitetet, ndërtojmë të ardhmen”. Ky event do të prezantojë praktikat më të avancuara britanike në mësimdhënien digjitale, të sjella nga British Council, duke hapur diskutime mbi ndikimin e teknologjisë në arsimin e së ardhmes. Hyrja do të jetë e lirë, duke ftuar studentë, mësues dhe profesionistë të fushës të bëhen pjesë aktive e dialogut.
Në mbrëmje të së njëjtës ditë, Vila 31 Art Explora do të mirëpresë programin “Korniza të Ndryshimit”, ku do të shfaqen filma të shkurtër nga Britania dhe nga krijues shqiptarë e kosovarë. Pas shfaqjeve, do të zhvillohet një bisedë me Romina Rudën mbi kinemanë e qëndrueshme dhe rolin e saj në ndërtimin e narrativave të reja vizuale. Edhe ky event do të ketë hyrje të lirë.
Më 12 nëntor, në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD), do të hapet ekspozita personale “Range” e artistit britanik Richard Deacon, fitues i Turner Prize. Ekspozita do të prezantojë një seri veprash në qeramikë, fotografi dhe çelik inox, duke ofruar një reflektim mbi formën, materialin dhe mundësitë e pafundme të krijimit. Hapja do të moderohet nga historiania e artit Nea Tandini dhe ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 12 dhjetor, me hyrje të lirë për publikun.
Më 13 nëntor, Biblioteka Kombëtare, në Qendrën “Sotir Kolea”, do të zhvillojë seminarin përkujtimor “Kolonel Aubrey Herbert dhe Shqipëria: Një Trashëgimi Miqësie”. Ky aktivitet do të nderojë figurën e kolonelit Herbert dhe rolin e tij historik në mbështetjen e çështjes shqiptare, ndërsa publiku do të ketë mundësinë të shohë dokumente dhe materiale arkivore të rralla të siguruara nga Arkivi Shtetëror.
Më vonë atë mbrëmje, në Vila 31 Art Explora do të shfaqet filmi “All of Us Strangers” i regjisorit Andrew Haigh, një film poetik që trajton temat e kujtesës, lidhjes emocionale dhe brishtësisë njerëzore.
Më 14 nëntor, parkimi i sheshit Skënderbej do të shndërrohet në një skenë të hapur muzikore me eventin elektronik “Tirana Underground”, ku do të performojnë Henri Bergmann, Malo dhe Andi Q. Kjo mbrëmje do të krijojë një atmosferë energjike dhe bashkuese në zemër të qytetit. Hyrja do të jetë e lirë dhe biletat do të mund të sigurohen online.
Më 15 nëntor, Vila 31 Art Explora do të presë workshop-in “Inteligjenca Kreative: Kur Arti Takon Algoritmin”, të udhëhequr nga Nensi Ahmetbeja, e cila do të prezantojë mënyra të reja se si Inteligjenca Artificiale mund të ndërthuhet me krijimtarinë artistike.
Mbrëmja e fundit do të mbyllet me koncertin “Ritmet e Bashkuara: Një udhëtim përmes Jazz-it, R&B-së dhe Rock-ut”, që do të bashkojë në skenë muzikantë britanikë dhe shqiptarë në një performancë të gjallë dhe plot emocion.
Paralelisht, gjatë datave 10–14 nëntor, do të zhvillohet edhe programi sportiv “FootbALL Week”, një turne përfshirës futbolli me ekipe nga ambasadat dhe organizatat vendore, i dedikuar mbështetjes së fëmijëve me vështirësi në dëgjim, duke promovuar sportin si mjet të solidaritetit dhe komunitetit.
Komente










