Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim kujtoi përmes në një postim në Twitter, se sot në Shqipëri ka nisur zyrtarisht stërvitja më e madhe ushtarake në historinë e vendit tonë. Ambasadorja shkruan se në Durrës ka mbërritur anija “USNS Bob Hope” me 800 pajisje ushtarake.
“Defender21 stërvitja më e madhe ushtarake në Ballkanin Perëndimor, fillon zyrtarisht sot. Me kënaqësi të shoh USNS Bob Hope të mbërrijë në Durrës. Bob Hope është një anije furnizimi që mban më shumë se 800 copë pajisje për t’u përdorur në stërvitje. 2 anije të tjera do të bashkohen”, shkruan ambasadorja.
Stërvitja do të zhvillohet në periudhën 26 prill – 20 qershor 2021 në Shqipëri, nën drejtimin e ushtrisë amerikane, ku do të demonstrojë aftësitë edhe ushtria shqiptare. Në stërvitje do të marrin pjesë edhe 3 100 trupa të vendeve anëtare të NATO-s, si dhe 10 anije, 18 avionë, 19 helikopterë, 6 sisteme raketash patriot, 1000 automjete jo luftarake, tanke, blinda etj. Shumica e trupave do të jenë amerikanë.
Kjo stërvitje është e ndarë në tre faza të koduara ‘Astral Knight’ prej datës 13 maj deri më 21 maj. Faza e dytë e koduar 'Saber Guardian' prej datave 16 maj deri më 10 qershor si dhe 'Immediate Response' prej datës 17 maj deri më 2 qershor 2021. Trupat amerikane kanë nisur të zbarkojnë në Shqipëri që në fillim të muajit prill 2021, për përgatitjen infrastrukturës logjistike për ngritjen e kampeve fushore në të gjitha vendet e dislokimit dhe terrenet stërvitore të ofruara nga ushtria shqiptare.