TIRANE- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani deklaron se çështja e pronës, pa rrugëzgjidhje prej 25 vitesh demokraci, rrezikon të thellojë padrejtësitë si dhe të shkaktojë tensione sociale. Gjatë një takimi të gjerë konsultues me përfaqësues të pronarëve dhe të shoqatave të tyre, të cilat shtrihen që nga Konispoli e deri në Shkodër, kreu i Shtetit nënvizoi domosdoshmërinë e zgjidhjes së problemit të pronës.

Sipas tij, kjo çështje nuk është politike, por i përket shtetit të së drejtës, si një kauzë thellësisht kombëtare. Apeli i kreut të shtetit i drejtohet institucioneve, për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi social.
 
Garancia 
Nishani u shpreh se në cilësinë e Kryetarit të Shtetit, por edhe si qytetar i këtij vendi, e konsideron çështjen e pronës dhe të pronësisë si kolonë kryesore e shtetit të së drejtës. “Çështja e pronës duhet trajtuar si interes i mirëfilltë publik, rrezikon të thellojë padrejtësinë e të shkaktojë tensione sociale.

Kjo nuk është një çështje politike, por i përket krejtësisht shtetit të së drejtës, është thellësisht kombëtare dhe plotësisht shtetare, ku shteti ka dhe duhet të përballet me përgjegjësitë e veta”, u shpreh Nishani. Në këtë takim, presidenti i Republikës i siguroi përfaqësuesit e pronarëve për mbështetjen dhe përkrahjen e tij të plotë institucionale dhe njerëzore në drejtim të zgjidhjes së problematikave të kësaj çështjeje me rëndësi kombëtare.

Njëkohësisht Presidenti Nishani i garantoi të pranishmit dhe nëpërmjet tyre, edhe shoqatat që ata përfaqësojnë se do të jetë një zë i fuqishëm për përcjelljen e shqetësimeve të tyre te institucionet e vendit si dhe te ato ndërkombëtare duke theksuar se çështja e pronës dhe e pronësisë së ligjshme ka nevojë për një platformë të shëndoshë ligjore si dhe për një rrugëzgjidhje sa më të mirë.
 
Ish-pronarët 
Përfaqësues të pronarëve dhe të shoqatave të tyre, me shtrirja nga Konispoli e deri në Shkodër, iu përgjigjën ftesës së Presidentit të Republikës, Bujar Nishani për një takim konsultues, në funksion të zgjidhjes së çështjes së pronës. Ish pronarët e cilësojnë të rëndësishëm mbështetjen e Nishanit ndaj përpjekjeve të tyre për zgjidhjen e këtij problemi të rëndë ekonomik dhe shoqëror, që sipas tyre, ka hapur dhe vazhdon të hapë konflikte të thella.


Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)