Nishani: Optimist se në
tetor do marrim statusin

Nishani: Optimist se në<br />tetor do marrim statusin
Presidenti i zgjedhur nga Kuvendi, Bujar Nishani deklaroi se ishte optimist që në tetor vendi do të marrë statusin e vendit kandidat për në BE. Z.Nishani në një intervistë me "Planet TV", iu rikthye kohës së ndryshimeve demokratike në vend të fillimvitin 1991. Duke folur për rolin e tij si pedagog në Shkollën e Bashkuar, kur një grup ushtarakësh kërkuan të rivendosnin bustin e Enver Hoxhës që u rrëzua në 21 shkurt 1991 nga mijëra qytetarë.

Çfarë është një moment që ju ka mbetur në mendje nga shkolla Skëndërbej?
Natyrisht që pjesa më delikatë është kur përpara se të hanim drekën apo darkën duhet të uleshim apo të çoheshim disa herë para pjatës.

A mund të na shpjegoni, pasi si në media ashtu edhe në rrjetin social Facebook, përmendet momenti i incidentit në Shkollën e Bashkuar dhe thuhet se ju keni qenë aty?
Në atë kohë unë kam qenë pedagog, pasi jam diplomuar në vitin 1988 dhe mënjëherë pasi diplomimit në shtator kam filluar punën si pedagog në Katedrën e Taktikës. Në ato ngjarje kam qenë vërtetë atje, por në kundërvënie të atyre që kërkonin të rikthenin bustin e Enver Hoxhës. Kemi qenë në minorancë, bashkë me një grup kolegësh dhe studentësh të tjerë.

A mund të përmendi ndonjë student apo koleg që kanë qenë me ju?
Patjetër mund të përmend z. Andrea Çuko, i cili ka qenë një nga pedagogët që ka inkurajuar lëvizjet demokratike, z. Hysen Arapi i cili ka qenë gjithashtu në këtë lëvizje shumë inkurajuese për studentët. Nga studentët e mi që kanë qenë të përfshirë, mund të përmend Gjirosh Prendin, i cili është drejtues sot në Policinë e Shtetit. Ka pasur edhe mjaft të tjerë si Ilir Metaliaj, apo Vajdin Lame, i cili sot nuk jeton më. Në atë kohë unë kam pasur një situatë të vështirë psikologjike, madje mund të them nga më të vështirat e jetës sime, sepse për shkak të qëndrimit tim mjaft kolegë të mi u distancuan dhe nuk uleshin as të pinin një kafe me mua. Atëherë isha beqar dhe jetoja në godinën e pedagogëve që ishin beqarë në akademinë ushatarake dhe sa herë kthehesha pas orëve të mësimit në dhomën time, e gjeja garderobë të shqyer dhe të gjitha rrobat e mia të kontrolluara. Gjithashtu mund të përmend edhe një moment tjetër. Kushtet në atë kohë nuk kanë qenë fort të mira për dhe nuk ka pasur veshje të shtrenjta ndaj dhe unë kam pasur një xhup, copë parashute dhe kishte qëlluar të ishte ngjyrë bojëqielli. Me atë xhup unë dilja pasditeve dhe për shkak se kishte këtë ngjyrë më akuzonin sikur unë doja të provokoja të tjerë përse e vishja këtë xhup blu. Këto kanë qenë arsyet përse u pozicionova në mënyrë të hapur të cilat në fakt ishin dhe ato që më "ndëshkuan" në vitin 1997 kur u rikthye në pushtet PS, fatkeqësisht në drejtim të Ministrinë së Mbrojtjes ku unë punoja. Në atë kohë sapo isha kthyer nga specializimi nga SHBA dhe isha ndër shqiptarët e parë që shkoja në një prej shkollave më të mira pasuniversitare në Monterej të Kalifornisë. Ka qenë qëndrimi im dhe sjellja në vitet '90 duke bërë që ata që kishin qenë drejtues të asaj kohë më larguan jo vetëm nga puna por bashkë me familjen time jam nxjerrë në mënyrë jonjerëzore nga objekti ku unë rrija me qera, pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes, pranë Minsitrisë së Jashtme.

Akuza më e rëndë politike është se ju nuk krijoni probleme me shefin tuaj z. Sali Berisha. Besoj i keni lexuar këto akuza?
Natyrisht, unë e ndjek median jo vetëm tani, por gjithmonë e kam ndjekur median me shumë vëmendje. Unë besoj që është një atribut pozitiv i çdo personi të përfshirë në politikë dhe në punët publike të mos krijojë konflikte me askënd, pasi nuk besoj se është aftësi të krijosh konflikte, por të mos i krijosh ato. Flas në gjykimin tim dhe mund të jem unë i gabuar, por ky është formimi dhe perceptimi im dhe unë nuk krijoj konflikte as me kryeministrin, deputetët e mazhorancës apo të opozitës. Unë kam një detyrë, të përmbush me dinjitet detyrimet e mia kushtetuese.

Z. President do të doja të bënit një koment për të gjithë paraardhësit tuaj Presidentë duke nisur nga Ahmet Zogu.
Tashmë jo vetëm nga qytetarët shqiptarë por edhe nga historia ai është konfirmuar si një burrë shteti.

Po Omer Nishanin, cili është komenti juaj?
Me aq sa kemi pasur mundësi të mësojmë edhe nga opinioni, ai ende mbetet një figurë paksa enigmatike në aktivitetin e tij, por ka qenë një personazh intelektual dhe kjo ndoshta ka qenë edhe arsyeja pse ai u eliminua nga diktatura.

Po për Presidentin Haxhi Lleshi?
Natyrisht që është pjesa më dogmatike e periudhës më të hidhur të historsë së Shqipërisë.

Mendimi juaj për Ramiz Alinë...
Besoj që është trashëgimtari i fundit i diktaturës, i cili ka përgjegjësitë e tij të mëdha për të gjitha vuajtjet që ka pasur Shqipëria gjatë periudhës së diktaturës.

A keni pasur mundësi që të takoni?
Jo asnjëherë.

Po për z. Berisha?
Është jo korrekte që të bësh komente të tilla për një personalitet të tillë si z. Berisha i cili është në kulmin e aktivitetit të tij ende.

Megjithatë për periudhën e tij në presidencë mund të bëni një koment?
Jo vetëm që është Presidenti i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike, por ai ka ditur të përballojë me dinjitetin e një shtetari vështirësitë më të mëdha të një vendi në aspektet politike ekonomike dhe sociale dhe shoqërore që vështirë se një person mund t'i gjente zgjidhje në ato momente.

A është ai përgjegjës për '97?
Ngjarjet e '97 janë një çështje shumë e komplikuar që lidhen me një rebelim ndaj shetit.

Komenti juaj lidhur me Presidentin Rexhep Mejdani, cili është?
Z.Mejdani ka krijuar një nga figurat më të respektuara në kohën e presidencës në Shqipëri. Ka qenë një personalitet i botës akademike, por që diti ta artikulojhë atë mençuri të akademizmit në politikë.

Por për Z. Moisiu i cili është ushtaraku i dytë në presidencë?
Z. Moisiu ka manifestuar të gjitha përpjekjet e tij për të qenë i ekuilibruar në ushtrimin e detyrës.

Një koment për paaradhësin tuaj z.Topi?
Këtë do ta them pasi të marr detyrën nga z. Topi, pasi ai është ende Presidenti ynë i Republikës.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Protestat në Beograd kundër qeverisë, Vuçiç akuzon studentët: Po paguheni nga Perëndimi

Protestat në Beograd kundër qeverisë, Vuçiç akuzon studentët: Po paguheni nga Perëndimi