Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë për festën e Krishtlindjes, duke uruar për më shumë të mira dhe çaste të gëzuara.

Në mesazhin e tij, Nishani thotë se, në këtë ditë të bekuar luttjet shkojnë për njerëzit në nevojë,ndaj të cilëve duhet më shumë dashuri dhe përkujdesje.

Në foton e mesazhit të Nishanit janë shfaqur tre kurora që simbolizojnë tre besimet e krishtera (ortodoksët, katolikët dhe ungjillorët), sipas madhësisë që ata përfaqësojnë.


Ja mesazhi i plotë i Nishanit.
 
Të dashur besimtarë të krishterë shqiptarë kudo ndodheni!
Me rastin e Ditës së shenjtë të Krishtlindjes dëshiroj t’u shpreh të gjithëve urimet më të mira e më të përzemërta në këto çaste të lumtura!
Në këtë ditë të bekuar, mendimi dhe lutjet tona shkojnë për njerëzit më me pak fat e në nevojë, të cilëve më shumë se kushdo u duhet ngrohtësi dhe dhembshuri njerëzore. 
Le të përpiqemi t’ua lehtësojmë vuajtjet dhe mundimet të vetmuarve, të braktisurve, të pamundurve e të sëmurëve, për t’u dhënë shpresë dhe besim! 
Të dashur vëllezër dhe motra! Gëzuar dhe për shumë vjet Krishtlindjet dhe jua uroj sa më të paqta e të mbara e në shëndet e harmoni të plotë të shpirtrave, zemrave dhe trupave!


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)