TIRANE - Presidenti i Republikës Bujar Nishani nuk do të dekretojë Visar Zhitin ambasador në Vatikan. Kryetari i shtetit e ka konsideruar antiligjore procedurën e ndjekur nga qeveria për këtë propozim. Presidenti foli gjithashtu për një marrëdhënie të ngrirë mes shumicës politike dhe institucionit të presidentit, e përqendruar kryesisht në shërbimin diplomatik

Në një dalje për mediat zoti Nishani tha se është detyrim kushtetues konsultimi i qeverisë me Presidentin e Republikës për propozimet e kandidatëve për drejtimin e ambasadave shqiptare në botë. Por Presidenti i Republikës ka paraqitur një marrëdhënie të ngrirë institucionale mes institucionit që drejton dhe qeverisë së majtë. Duke folur me rezerva për këtë çështje kryetari i shtetit tha se kjo situatë është përkeqësuar ndjeshëm sa i përket shërbimit diplomatik e që ka dëmtuar sipas tij imazhin e vendit.

 “Në lidhje me ambasadorët shqetësimi ka të bëjë me procedurën jo me emrat. Presidenti duhet të njihet me kandidaturat, me argumentet pse duhet të përfaqësojë vendin, çfarë potencialesh ka? Kjo ka qenë e vetmja kërkesë që mbetet një kërkesë e imja. Kushtetuta ja jep Presidentit të drejtën e emërimit.” –tha Nishani.

Duke u shprehur se qëndrimi i tij nuk lidhet me emrin e Visar Zhitit, por me procedurën, kryetari i shtetit pritet t’i thotë jo propozimit të qeverisë për emërimin ambasador në Vatikan të zotit Visar Zhiti.

Visar Zhiti ka qenë ministër Kulture në kabinetin Berisha gjatë vitit të fundit të mandatit qeverisës.

 Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)