Rezervimet për këtë “hotel”, i cili premton të jetë po aq i rehatshëm sa një xhet privat, kanë nisur dhe mund të bëhen online përmes një pagese prej 80 mijë dollarësh.
“Ne duam t’i dërgojmë njerëzit në hapësirë, sepse është frontiera e fundit e civilizimit tonë”, tha themeluesi i kompanisë amerikane “Orion Span”.
Kompania thotë se udhëtimi do të bëhet i mundur edhe falë shkurtimit të kohës së përgatitjes, që normalisht do të ishte 24 muaj, në vetëm 3 muaj, çka redukton edhe shpenzimet.
Klientët do të shijojnë të qëndruarit në zero gravitet, pamjen e aurorave veriore dhe jugore nga dritaret e shumta, do të shohin vendlindjet e tyre nga lart dhe do të marrin pjesë në eksperimente kërkimore si rritja e ushqimit në orbitë. Gjithë kjo eksperiencë do të mund të ndahet me pjesën tjetër të botës dhe me familjet e klientëve, falë internetit wireless me shpejtësi të lartë.
Orion Span thotë se ky projekt është i mundur pasi çdo ditë shumë kompani po punojnë për të ulur kostot e udhëtimit në hapësirë.
Vitin e kaluar, edhe themeluesi i SpaceX, Elon Musk, zbuloi planet e tij për komercializimin e hapësirës, duke dërguar dy individë në një udhëtimi rreth Hënës. Edhe Jeff Bezos i “Amazon” dhe Richard Branson i “Virgin” synojnë të dërgojnë turistë në skajet e hapësirës. Branson shprehet se për këto udhëtime 250 mijë dollarëshe janë regjistruar edhe yje si Tom Hanks, Leonardo DiCaprio dhe Katy Perry.