Prej korrikut të 2025-ës, qeveria nisi një aksion kombëtar për të liruar hapësirat publike. Struktura të jashtme lokalesh, vazo të mëdha lulesh, tenda nëpër fasadat e pallateve, madje dhe struktura betoni nëpër trotuara.

Por megjithatë në shumë zona, me trotuare të ngushta, edhe ato të zënë në një pjesë të mirë të tyre me karrige e tavolina të lokaleve, vështirë të gjesh një hapësirë për të lëvizur.

Aksioni për lirimin e hapësirave publike, i cili është ende në vijim, duke u zbatuar nga Inspektoratet e Mbrojtjes së Territorit në të gjithë vendin, po i hap rrugën, zbatimit të një projekti se si kjo hapësirë që synohet t’i kthehet publikut, do të shfrytëzohet me masë nga privati.

Sipas një rregulloreje të Këshillit të Ministrave, e cila ende nuk është miratuar, trotuaret duhet të jenë të lirë për këmbësorët në masën 75%. Pjesa tjetër, deri në 25% që mund të zënë lokalet me karrige dhe tavolina. Por, ky rregull vlen vetëm për trotuarët e gjërë, që ofrojnë të paktën 2 metra hapësirë të lirë për këmbësorët. Një pikë kjo, që duket të gjejë vështirësi zbatimi në kushtet kur shumica e trotuarëve në rrugët e Shqipërisë nuk është në këto përmasa.

Për t’i dhënë qytetit një imazh të bukur për tu parë, bashkitë do të përcaktojnë rregulla të qarta, edhe për dizajnin dhe ngjyrat që do duhet të kenë çadrat, karriget dhe tavolinat e lokaleve sipas zonave të caktuara.

Rregullorja parashikon një tjetër detyrim. Për çdo karrige të vendosur në trotuar, bizneset duhet të mbjellin një pemë në qytet dhe ta dokumentojnë këtë veprim, në mënyrë që kontrata me bashkinë, për shfrytëzimin e hapërisës publike, të konsiderohet e vlefshme.

Edhe për sheshet publike do të zbatohen rregulla të ngjashme. Pra nëse marrim shembull, Sheshin “Skënderbej”, tavolinat dhe karriget nuk do të lejohen në qendër të sheshit, por vetëm pranë bizneseve përkatëse, duke mos zënë më shumë se 25% të hapësirës totale. Në rastet kur sheshet janë të mëdha, thellësia e shtrirjes nuk duhet të kalojë 10 metra.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë