Shqipëria do të 'mikpresë' botën, teksa sot nis cikli i Javëve Ndërkombëtare të Kulturës. Në një konferencë, kryeministri Edi Rama tha se synimi është që kjo të kthehet në një traditë të përvitshme, teksa thekson se është mundësi për të shpalosur tradita e kultura të ndryshme. Kjo javë do të jetë e Francës, për të vijuar më pas edhe me vendet e tjera, teksa do të mbyllet në nëntor me Kosovën.
"Këtë javë ne synojmë të jetë një traditë e përvitshme për të shpalosur tradita, kultura të ndryshme, për të shpalosur forma dhe shprehje nga më të larmishmet të aktivitetit të çdo qytetërimi dhe për të krijuar hapësira të reja të ndërveprimit me kulturat e tjera, por dhe argëtimit të qytetarëve apo edhe të vizitorëve dhe turistëve që mund të gjenden në vendin tonë. Si viti i parë që nis ky program, është i gjithi në një fazë nisje që do pasurohet në vitet e ardhshme, është një eksperiencë ere prej të cilës do mësojmë e do kuptojmë më shumë. Fillojmë me javën e Francës ", tha ai.
Rama theksoi se do të përfshihen aktivitete nga më të ndryshmet, një program për të gjitha grupmoshat në vend, që do të gjejnë arsye për ta frekuentuar.
"Disa prej vendeve të përfshira janë të angazhuara prej kohësh në angazhimin e javëve të tyre kulturore, por ky angazhim i përbashkët i bën shumë më të aksesueshme për publikun. Do përfshihen aktivitet më popullore, aktivitete në rrugë, tradita e gatimit të vendeve të tjera. Është program që ne synojmë të jetë një program ku të gjitha moshat të mund të gjejnë arsye për t'i frekuentuar. Program ku ne synojmë të ketë hapësirë që nga moshat e reja, deri te pensionistët", u shpreh kryeministri.
Javët Ndërkombëtare të Kulturës do të nisin pasditen e sotme në orën 19:40 në Sheshin Skënderbej me Francën, për të vijuar çdo ditë me aktivitete që do të prezantojnë kulturën dhe traditat e 17 shteteve, jo vetëm në Tiranë, por edhe në Vlorë, Shkodër, Gjirokastër, Berat e Durrës. Aktiviteti do të përmbyllet më pas në nëntor me Kosovën. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti u shpreh se në dispozicion të kësaj nisme janë vënë 100 milion lekë nga qeveria shqiptare.
Deputeti i PD, anëtar i Komisionit të Rithemelimit Belind Këlliçi ka reaguar ndaj kryeministrit Edi Rama duke thënë se promovon vendet e huaja dhe jo Shqipërinë në një kohë kur autobusët me turistë nuk kanë vendparkime në vendin tonë. Ndër të tjera, thotë se nuk është detyrë e taksapaguesve shqiptarë të paguajnë për promovimin e nismave si Java Kulturore Ndërkombëtare.
“Partia Demokratike e Shqipërisë ka qenë forca politike nismëtare që mbështeti fuqimisht hapjen e Shqipërisë ndaj kulturave perëndimore. Shqipëria doli nga izolimi i gjatë kulturor komunist, kohë kur censurohej letërsia dhe filmi, kur ndalohej muzika e huaj dhe çdo shprehi artistike që nuk ishte fabrikim i realizmit socialist. Shqiptarët vuajtën nga mungesa e informacionit për dekada të tëra. Vendi ynë u nda brutalisht nga Europa dhe u kthye në një miniaturë sovjetike, pikërisht nga prindërit e qeverisë aktuale, e cila është qeliza bijë e Partisë së Punës.
Sezoni turistik ka nisur dhe vendi nuk është i përgatitur nga ana infrastrukturore. Rrugë në ndërtim të mbetura pezull, punime të tejzgjatura, pluhur betonieresh, rrëmujë dhe ndotje urbane.
Në momentin që flasim autobusët me turistë nuk kanë vendparkime dhe jemi shumë larg rregullit dhe standardeve të Bashkimit Europian. Shqipëria, ashtu si Greqia, Italia, Kroacia dhe vendet fqinje, duhet të zhvillojë turizmin identitar. Vizitorët e huaj duan të njohin Shqipërinë, kulturën e saj, muzikën dhe gatimet shqiptare. Jemi në sezon turistik por qeveria Rama promovon gjithçka përveç Shqipërisë. Promovimi i kulturave të huaja është pikë së pari detyrë e ambasadave dhe e organizatave kulturore të huaja. Taksapaguesit shqiptarë nuk kanë pse të paguajnë për të promovuar nisma të tilla”, tha Këlliçi.
Deputeti demokrat shton se duhet të promovohet Shqipëria pasi kemi shumë për të ofruar edhe pse jemi vend shumë i vogël. Sipas tij, qeverisë Rama i mungon kontakti me operatorët turistikë që nuk i konsideron opinionet e ekspertëve të fushës.
“Turistët e huaj kërkojnë informacion dhe aktivitete kulturore shqiptare nga të gjitha trevat. Arsyeja e ardhjes së tyre këtu është Shqipëria, ajo çka ofrojmë ne, nga veriu në jug. Po Shqipëria kur do promovohet? Kjo duhet të na shqetësojë. Turizëm do të thotë identitet. Identitet historik, kulturor dhe kulinar. Qeveria Rama e trajton Shqipërinë si një kulturë inferiore dhe e le në hije si një skuqje nga turpi. Kjo është e papranueshme për çdo shqiptar që ka një fije krenarie për vendin dhe identitetin e tij. Ne kemi shumë për ofruar, edhe pse jemi vend i vogël.
Kjo qasje inferiore e qeverisë Rama është e krahasueshme me një restorant mesatar që i shërben makarona turistëve italianë dhe sushi atyre japonezë. Kjo që po ndodh është mungesë vizioni, paaftësi dhe padije. Qeverisë Rama i mungon kontakti me operatorët turistikë. Ajo nuk merr në konsideratë opinionet e ekspertëve të fushës, duke krijuar perceptimin publik se Shqipëria është e pamjaftueshme kulturalisht.
Partia Demokratike vlerëson se vendit i duhet strategji e re për t'u promovuar ndërkombëtarisht. Turizmi ynë duhet të ketë identitetin e tij kulturor, ashtu si të gjitha shtetet fqinje dhe ato të Bashkimit Europian”, shkroi Këlliçi.
Lufta në Ukrainë ka rritur frikën nga influenca ruse në të gjithë botën, megjithatë për kryeministrin Rama kjo nuk është arsye për t'i mbyllur dyert turistëve rusë që do t'i drejtohen vendit tonë. Përgjigjen e prerë ai e dha në konferencën për nisjen e Javëve Ndërkombëtare të Kulturës.
Pyetje: Shqipëria ka lehtësuar procedurat për hyrjen e të huajve në vend, përfshirë edhe për rusët, mendoni se duhet rishikuar sepse influence ruse është shumë prezente?
Edi Rama: Jo, nuk mendoj. Vazhdojmë me tjetrën
Qeveria ka marrë vendimin që 8 shtete do të përfitojnë lehtësira nga vizat turistike me Shqipërinë, me qëllim nxitjen e ardhjes së turistëve.
Për Kryeministrin Rama promovimi i vlerave kulturore të vendeve të tjera është investim madhor për gjithë shoqërinë tonë, pasi kultura është pasuri e përbashkët e njerëzimit.
“Këtu është fjala për të ushqyer veten, shoqërinë, komunitetin, bashkësinë, fëmijët, të rinjtë, me menynë fantastike të të gjitha kulturave. Për të bërë këtë financimi I vënë në dispozicion është tejet modest në krahasim me atë që duhet të ishte dhe në krahasim me çfarë sjell mbrapsht si vlerë e shtuar në organizimin e shoqërisë tënde. Është një pyetje groteske. Nuk e kuptoj fare se si mund të trajtohet kultura e të tjerëve si kulturë e të tjerëve. Kultura është pasuri e përbashkët e njerëzimit”, tha Rama.
Ministrja e Kulturës Elva Margariti ka folur për ciklin e Javëve Ndërkombëtare të Kulturës duke thënë se synimi është për të përfshirë të gjithë të rinjtë e 17 shteteve të botës.
Margariti tha se do të ketë vetëm një pauzë në muajt Korrik-Gusht për shkak të sezonit veror ndërsa cikli do të mbyllet në fund të muajit Nëntor me Kosovën për të shpalosur “mikpritjen”, një nga karakteristikat më të mira të shqiptarisë.
"Pas një periudhe të gjatë përgatitjesh intensive për të çelur dyert e Shqipërisë për ë gjithë vendet me të cilët bashkëpunojmë prej vitesh, për të krijuar akoma më shumë bashkëpunim të të rinjve, bizneseve dhe institucioneve në Shqipëri me vendet partnere, është moment celebrimi por ky program synon të sjellë mozaikun e larmishëm duke fokusuar lidhjen e ngushtë jo vetëm si relata demokratike por edhe relata të të rinjve.
Është një nismë e mirëpritur nga vendet partnere. Gjatë pandemisë e pamë sa e rëndësishme ishte të riktheheshim në aktivitete artistike dhe e vazhduam këtë traditë dhe e sjellim me këtë iniciativë dhe synojmë që të vijojë dhe për vitet e tjera. Janë 17 shtete, javë janë më tepër se kemi dhe BE në muajin maj sipas traditës. Do të kemi SHBA, Japoninë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kinën, Izraelin, Francën, Spanjën që fillojnë me një celebrim të madh këtë javë në sheshin Skënderbej.
Jemi fokusuar në shumë grupmosha por kemi dashur që të rinjtë 18-35 vjeç të kenë larmishmëri të madhe aktivitetesh. Do të kemi në të gjitha javët mbrëmje të dedikuara, filma në kinema, kemi parë dhe një mundësi të artë përmes kësaj nisme që të lidhim bashkëpunim me producentë të botës për ta lidhur me nisma të tjera të Ministrisë së Kulturës.
Kjo nismë bën bashkë shumë sektorë. Do të kemi larmishëmri të aktiviteteve, në korrik-gusht nuk do të ketë aktivitete. Deri në fund të qershorit kemi javët dhe do e rifillojmë në shtator dhe do e mbyllim në fund të nëntorit me Kosovën me të bukurën, me shqiptarinë. Në takimet e ndryshme që kam pasur e kanë mikpritur dhe i kanë dhënë jehonë të madhe kësaj nisme ku Shqipëria shpalos një nga karakteristikat më të mira që është mikpritja.
Kultura nuk është vetëm aksesor por kthehet dhe në aktor kyç. Do fillojmë sot në sheshin Skënderbej në 19:40 dhe për ta vijuar çdo ditë jo vetëm në Tiranë, por edhe në Vlorë, Shkodër, Gjirokastër, Berat e Durrës", tha Margariti.
Kryeministri Edi Rama ka folur për rolin e pushtetit vendor për zhvillimin e turizmit kulturor që të mos jetë kalimtar për turistët duke thënë se kanë krijuar kalendarë specifikë dhe harta për turistët. Nuk la pa përmendur edhe pastrimin e vijës bregdetare para se të nisë sezoni turistik duke thënë se duhet të angazhohen edhe familjarët në mënyrë që fëmijët të mos rriten në mjedis plehrash.
Edi Rama: Sezonet turistike kanë ndryshuar ndjeshëm dhe pse ndryshimi duhet të jetë shumë më i thellë dhe sistematik por ka ndryshuar ndjeshëm qysh se kemi filluar të punojmë. Janë bërë disa vite që gjatë periudhës së sezonit kemi kalendarë specifike aktivitetesh dhe harta specifike për turistët. Edhe bashkëpunimi me bashkitë është strukturuar dhe ka shumë për të bërë akoma, por të jemi realistë, në këtë proces duhet kohë për të ndërtuar sic duhet tradita të caktuara.
Jam besimplotë që ky sezon do të jetë më i miri në të gjitha aspektet sepse kemi punuar për pastërtinë. Kemi një skemë të re për pastrimin e territorit në vijën bregdetare dhe do të kemi ndryshim të dukshëm. Por nuk mjafton vetëm puna e shtetit, por duhet edhe shqiptari të jetë në lartësinë e kësaj nevoje të madhe që ka vendi për të mos u turpëruar në sytë e botës dhe për të mos u bërë pasqyra deformuese e edukimit të fëmijëve tanë.
Në atë mjedis plehrash që shihen ngado që hedh sytë, rrisin fëmijët dhe bëjmë gjynahun e madh të mësimit të fëmijëve me plehrat. Këtë duhet ta ketë parasysh çdo prind që ndot mjedisin. Jo vetëm kaq por sezoni do të ketë edhe kalendarin e vet kulturor dhe do të ketë risi të tjera që do të lidhen me mundësi që lidhen me dixhitalizimin. Sistemi i ndihmës së parë dhe kujdesit shëndetësor është ngritur, është solid dhe do të vijojë të jetë aty në mbështetje të të gjithë turistëve dhe qytetarëve që shkojnë në vijën bregdetare dhe do të jetë i pari sezon ku Apolonia do të arrihet me një rrugë brenda standardit dhe në të gjitha drejtimet, deri në investimet e reja që po bëhen.
Kam shifrën e rritjeve të fluturimeve. Kjo si pasojë edhe e uljes drastike të çmimeve. Nga ana tjetër është edhe rritja e investimeve në fushën e turizmit kështu që kemi të gjithë arsyet të besojmë se industria e turizmit do të njohë rritje të madhe dhe brenda dekadës do të shpallim Shqipërinë kampione në rajon për turizmin.
Rritja e kostove në sektorin e ndërtimit ka çuar në vonesa për fillimin e ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar. Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama në konferencën për fillimin e Javëve Ndërkombëtare të Kulturës, ku theksoi se tërmeti, pandemia dhe së fundmi lufta në Ukrainë, kanë ndikuar në këtë rritje të çmimeve.
Ai theksoi megjithatë se Teatri Kombëtar do të ndërtohet siç është projektuar, duke shtuar se jo të gjitha planet mund të zbatohen në afatet e përcaktuara kur në mes futen faktorë të tjerë.
"U bënë 3 vite që bëjmë plane dhe kemi projekte për të realizuar e ndërkohë vendi përballet me ndërhyrje masivisht të forta faktorësh jashtë nesh. Fatkeqësisht pasi tërmeti, pandemia e lufta në Ukrainë, kanë goditur shumë në aspektin e rritjes së çmimeve në tërësi dhe të rritjes së çmimeve të ndërtimit në veçanti. Jemi duke diskutuar që ka patur një ndikim jo të vogël në industrinë e ndërtimit. Nuk ka asnjë ndryshim sa i përket projektit për Teatrin, por e gjitha lidhet me këtë moment të vështirë për kalimin e projektit nga letra, por gjithçka lidhet me kostot. Është e kotë që me këto çmime t'i kërkosh kompanive të marrin pjesë në gara të tilla. Po merremi me këtë çështje dhe do e gjejmë një zgjidhe, teatri do ndërtohet siç është projektuar. Por jo të gjitha planet mund të zbatohen në afatet e caktuar kur në mes futen ngjarje as mund të parashikohen as mund të evitohen", tha ai.
TI MOR SHKERDHATE PRANDAJ E PRISHE TEATRIN SE I KISHE PARATE,,,TANI NA DEL E THUA NUK KAM, ,,,SI DUKET DO TE BESH KULLAT NGA MBRAPA TEATRIT....HAJDUT ORDINER.....
Përgjigjupo turistet ruse ci doni ketu? nuk e shikoni qe gjithe bota eshte ne lufte me rusine?
PërgjigjuKy rusët nuk i ndalon sepse gjakpirësit ushtark rus në Ukrain duhet që të relaksohen në Shqipëri, ky mashtrues ordiner nuk i prish mardhëniet me Putinin. Mjerim oj Shqipëria jon kush të ka mjeruar…!!!
PërgjigjuMashtrues ordiner dhe i paditur. Jane rritur kostot e ndertimit. Pra sipas llogjikes se ketij kryeministri piktor ai per teatrin po pret uljen e kostove, kur nuk ka asnje tregues qe kjo do ndodhe. Mjere Shqiperia kush e drejton, kush ja menaxhon dhe vjedh parate publike !
Përgjigju