Presidenti Bajram Begaj, mori pjesë mbrëmjen e kësaj të enjteje në iftarin e parë të muajit të shenjtë të Ramazanit në Tiranë, të shtruar nga Komuniteti Mysliman Shqiptar.
Në fjalën e tij, Begaj tha se thelbi i agjërimit qëndron te lartësimi moral dhe devotshmëria.
Sipas Begajt, Shqipëria është bekuar me vlerën e çmuar të vëllazërisë fetare, një trashëgimi që duhet mbrojtur.
Ndër të tjera, Kreu i Shtetit i uroi besimtarëve myslimanë, muaj Ramazani të pranuar, me shëndet e begati.
Përshëndetja e Presidentit të Republikës Sh. T. Z. Bajram Begaj, në hapjen e iftarit të parë
Me nisjen e iftarit të parë troket në vatrat tona një muaj i begatë, një muaj i begatë, i cili për çdo besimtar mysliman shënon një rrugëtim të ri shpirtëror.
Ramazani nuk është thjesht një periudhë privimi nga ushqimi dhe lëngjet. Ai është, mbi të gjitha, një shkollë e lartë e karakterit, një ushtrim i përditshëm i durimit, i vetëpërmbajtjes dhe reflektimit të thellë, është koha kur njeriu kthehet tek thelbi, tek ajo që është e rëndësishme, duke forcuar lidhjen me Krijuesin, dashurinë për familjen dhe përgjegjësinë ndaj shoqërisë.
Libri i Shenjtë, Kurani, na mëson:
“O ju që besuat, agjërimi ju është bërë obligim… që të bëheni të devotshëm” (El-Bekare, 2:183).
Ky ajet e vendos agjërimin në dimensionin e tij të vërtetë: si një mjet për të lartësuar moralin.
Në një kohë kur bota dhe shoqëria jonë shpesh sfidohen nga tensionet, nga polarizimi dhe nga nxitimi i vrullshëm, Ramazani vjen si një ftesë e vyer për të ulur tonet, për të dëgjuar ndërgjegjen tonë dhe për të gjetur paqen e brendshme.
Siç na udhëzon Profeti Muhamed, (Paqja e Allahut qoftë mbi Të), “Kush nuk heq dorë nga fjala e rreme dhe veprimi sipas saj, Allahu nuk ka nevojë që ai të heqë dorë nga ushqimi dhe lëngjet”.
Ky mesazh është sot më aktual se kurrë. Agjërimi pa ndershmëri, pa drejtësi dhe pa vetëpërmbajtje në fjalë e në vepër do të mbetej thjesht një ritual, një formë, por pa përmbajtje.
Shqipëria jonë ka nevojë për këtë përmbajtje, për më shumë solidaritet njerëzor, për më shumë integritet dhe për më shumë kujdes më të sinqertë ndaj tjetrit.
Iftari është momenti i madh i bashkimit.
Rreth sofrës, ashtu siç jemi mbledhur sonte, fshihen dallimet dhe forcohen lidhjet mes familjarëve, fqinjëve dhe miqve. Kjo sofër na kujton se asnjë shqiptar nuk duhet të ndihet i vetmuar, sidomos ata që përballen me vështirësi ekonomike, pasiguri sociale apo pamundësi shëndetësore.
Sakrifica personale e agjëruesit merr kuptimin e plotë vetëm kur shndërrohet në dorë të shtrirë për ata që kanë më pak.
Vendi ynë është bekuar me vlerën e çmuar të vëllazërisë fetare, një trashëgimi që ne duhet ta mbrojmë me xhelozi.
Në këtë muaj të shenjtë, le të punojmë që kjo harmoni të përkthehet në më shumë përgjegjshmëri në jetën publike dhe më shumë ndershmëri në marrëdhëniet tona të përditshme.
Ju uroj nga zemra një muaj Ramazani të pranuar, me shëndet e begati për çdo besimtar e çdo familje shqiptare!
Agjërim të lehtë dhe të pranuar!
Komente











