Shqipëria do të blejë një pronë në Bruksel që do të shërbejë si seli e Misionit shqiptar pranë Bashkimit Europian.
Vendimi është marr sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, ndërsa sipas vendimit Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Misioni i Përhershëm i Republikës së Shqipërisë pranë Bashkimit Evropian, do të realizojnë procedurën e blerjes me një fond limit jo më shumë se 240 milionë lekë.
‘Vendimi i Këshillit të Ministrave: Përcaktimin e rregullave dhe procedurave për përdorimin e fondit për blerjen e një pasurie të paluajtshme që do të shërbejë si seli e misionit diplomatik pranë bashkimit evropian, në bruksel. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 14, të nenit 11, të ligjit nr.97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave V E N D O S I:
1. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, në vijim “Ministria” dhe Misioni i Përhershëm i Republikës së Shqipërisë pranë Bashkimit Evropian, në vijim “Misioni”, realizojnë procedurën e blerjes së një pasurie të paluajtshme në Bruksel, Mbretëria e Belgjikës, e cila do të shërbejë si seli e Misionit të Republikës së Shqipërisë pranë Bashkimit Evropian, me një fond limit jo më shumë se 240 000 000 (dyqind e dyzet milionë) lekë, sipas rregullave dhe procedurave, të parashikuara në këtë vendim’, thuhet në vendim.
Për vlerësimin e ofertave ngrihet një Komision i Posaçëm, i kryesuar nga zëvendësministri përgjegjës për punët e jashtme, në përbërje të të cilit ka përfaqësues në nivel drejtues nga: ministria përgjegjëse për administrimin e pronës shtetërore; Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar; Avokatura e Shtetit; Drejtoria e Shërbimit të Trupit Diplomatik.
Komisioni ka këto detyra kryesore:
-Shqyrton ofertat e paraqitura për blerjen pasurisë së paluajtshme, të propozuara, duke vlerësuar plotësimin e kushteve të përgjithshme të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi, si dhe kostot financare të ofertave të propozuara.
-Mbikëqyr kreun e Misionit në procesin e negociatave për blerjen e pasurisë së paluajtshme dhe lidhjen e kontratës së shitblerjes
-Sipas nevojës, vlerëson në terren gjatë procesit të negociatave përmbushjen e kushteve të përgjithshme sipas pikës 2, të këtij vendimi
-Vlerëson kushtet e projektkontratës së shitblerjes së negociuar
-Vendos shpalljen e ofertës fituese ose skualifikimin e ofertave, sipas rastit. Në përfundim të procesit të vlerësimit të ofertave, Komisioni i paraqet ministrit një relacion përmbledhës pr procedurën e ndjekur dhe vendimmarrjen e tij.
-Në rastin kur Komisioni ka shpallur një ofertë fituese, ministri autorizon kreun e Misionit për nënshkrimin e kontratës së shitblerjes.