“Gjurmo të vërtetën” është nisma e fundit e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, që synon ndërgjegjësimin mbi dezinformimin dhe edukimin mediatik në vend. Bashkimi Evropian thotë se “Gjurmo të vërtetën” është një hapësirë e konceptuar për të gjithë konsumatorët e informacionit, që duan të përqafojnë të vërtetën mes kaosit dhe konsumit informativ në mediat sociale.
“Ajo ofron njohuri praktike, se si të dallohet informacioni i vërtetë dhe objektiv nga ai keqinformues, dezinformues apo i rremë, duke u ndalur në tematika aktuale, që jo në pak raste janë shndërruar në target për përmbajtje të pavërtetë”, thuhet në prezantimin e delegacionit të BE.
Në Sheshin “Skënderbej” është krijuar një tunel ku është vendosur një instalacion ku tregohet se si çdo ditë hyjmë dhe përballemi me një mori informacionesh, të vërteta, të rreme, keqinformime dhe pasaktësi.
“I vendosur në qendrën e Tiranës, tuneli ishte nisma më e fundit e BE-së në Shqipëri për të mbështetur qytetarët dhe gazetarët në përpjekjen e tyre të përditshme për të gjurmuar të vërtetën”, thuhet në postimin e BE.
“Delegacioni i BE-së për vite me radhë ka mbështetur gazetarinë dhe komunitetin e kontrollit të fakteve sepse ështe e rëndësishme të gjurmosh dhe t’i saktësosh ato. Njerëzit janë kosumatorë të mëdhenj të medias sociale. “Gjurmo të vërtetën” vlen dhe për ne si konsumatorë dhe përdorues të medias sociale. Ajo çfarë po bëjmë sot përmes këtij tuneli dhe një faqeje të posaçme në internet synon të ndihmojë njerëzit të jenë të vetëdijshëm dhe vigjilentë, të kontrollojnë faktet dhe të vërtetën”, deklaroi në momentin e prezantimit ambasadorja e BE-së në Tiranë, Christiane Hohmann.
Pandemia e COVID-19 ishte një nga periudhat që do të mbahet mend, jo vetëm për vështirësitë shëndetësore që u përball bota, por edhe për morinë e informacioneve dhe dezinformimeve për qytetarët.