Nisma e PS, SHBA e BE këmbëngulin në nevojën e një procesi gjithëpërfshirës

Në Shqipëri ambasada amerikane dhe Delegacioni i Bashkimit europian këmbëngulin në nevojën e gjithëpërfshirjes në procesin përmes së cilit, shumica socialiste e kryeministrit Edi Rama, synon realizimin e një cikli të ri reformash që do të duhet të trajtojnë problemet e mirëqeverisjes, sundimit të ligjit dhe luftës ndaj korrupsionit. Dy përfaqësitë kryesore diplomatike në Tiranë, komentuan për Zërin e Amerikës hapat e hedhur në parlament për këtë nismë, ku brenda katër ditësh u miratua rezoluta e më pas dhe ngritja e një komisioni të posaçëm. Ambasada amerikane “vëren nxitimin me të cilin u kaluan në parlament rezoluta dhe vendimi”. Ndërsa Delegacioni i BE-së nga ana e tij, vë në dukje faktin që ngritja e komisionit u bë “pa mbështetjen e opozitës”.Kjo e fundit ka shprehur skepticizëm të hapur ndaj kësaj nisme dhe në të dy rastet zgjodhi të bojkotojë votimin e tyre në parlament.

Si në rezolutë ashtu dhe në objektin e punës së Komisionit të Posaçëm, flitet për një proces të thelluar reformimi “për të përmirësuar dhe konsoliduar praktikat e mirëqeverisjes në të gjitha nivelet”, për “një luftë më të thellë ndaj korrupsionit” dhe “forcimin e mëtejshëm të zbatimit të ligjit”. Komisioni do duhet të realizojë “një vlerësim dhe analizë të situatës në të tre fushat” dhe më pas të kalojë në “hartimin dhe miratimin e një Plani veprimi me kohështrirje afatgjatë dhe të qëndrueshme, duke rekomanduar edhe masa konkrete për ndryshime të mundshme ligjore dhe institucionale”.

Ndonëse në dokumentat e propozuara prej saj, shumica flet për një proces gjithëpërfshirës shoqëruar me konsultime të gjera, mënyra se si ajo avancoi me shpejtësi, përballë një opozite që po i kritikonte hapat e saj, duket se ka bërë që si ambasada amerikane ashtu dhe Delegacioni i BE-së, t’i mëshojnë me forcë këtij momenti. “Besojmë se procesi i propozuar kërkon një diskutim të bashkërenduar, gjithëpërfshirës me të gjithë aktorët, çka është kyç për suksesin e punës se komisionit të posaçëm”, shprehet ambasada amerikane duke vënë në dukje se diçka e tillë do të jetë po ashtu “kyçe dhe për mbështetjen tonë për të”.

Ndërsa Delegacioni i BE-së , thekson se “konsultimet kuptimplotë dhe gjithëpërfshirëse janë po aq të nevojshme sa gjithnjë, duke marrë parasysh rëndësinë thelbësore të çështjeve të trajtuara nga kjo nismë. Do të jetë thelbësore të arrihet një mbështetje ndërpartiake”. Sipas përfaqësisë europiane “është me rëndësi jetike që procesi parlamentar i propozuar të jetë i bazuar në prova, të jetë transparent, të gëzojë mbështetje të fortë ndërpartiake dhe të mbështetet në një konsultim gjithëpërfshirës dhe kuptimplotë me të gjitha institucionet dhe palët e interesuara, duke përfshirë edhe shoqërinë civile”.

Debatet që kanë shoqëruar nismën e socialistëve kanë ushqyer shqetësime për ndërhyrje të mundshme në reformën në Drejtësi, e cila pati SHBA-të dhe BE-në si sponsorët e saj të fuqishëm. Në dokumentat e miratuara socialistët zotohen të garantojnë “pakthyeshmërinë” e kësaj reforme. E megjithatë, ambasada amerikane në komentet e saj për Zërin e Amerikës shprehet se “theksojmë angazhimet e ndërmarra brenda masave të miratuara në parlament për pakthyeshmërinë e reformës në drejtësi, angazhime të cilat njohin shtyllat dhe parimet kushtetuese që janë në themel të reformës në drejtësi të miratuar në vitin 2016. Kjo përfshin pavarësinë dhe paanësinë e institucioneve të drejtësisë dhe vetëqeverisjes së sistemit të drejtësisë. Këto parime janë kyçe për punën e komisionit të posaçëm për të çuar përpara mirëqeverisjen, luftën kundër korrupsionit dhe sundimin e ligjit”. Edhe Delegacioni i BE-së vë në dukje se “parimi kryesor duhet të jetë pakthyeshmëria e reformës në drejtësi të vitit 2016”.

Shumica shprehet se procesi do të ketë si “udhërrëfyes gjetjet dhe rekomandimet e raporteve të Bashkimit Evropian dhe raportit Screening të Komisionit Evropian për grupkapitullin e pare”. Delegacioni i BE-së nga ana e tij nënvizon se “nisma duhet të bazohet në arritjet e mëparshme të reformës dhe të jetë në përputhje me parimin kushtetues të kontrollit dhe balancimit, me gjetjet e raporteve të shqyrtimit analitik të legjislacionit dhe me angazhimet në kuadër të procesit të anëtarësimit në BEDuhet të respektojë plotësisht marrëdhëniet ekzistuese mes Kuvendit dhe institucioneve të pavarura, siç garantohet nga Kushtetuta”.

Mbetet për t’u parë nëse shumica do të përpiqet të tërheqë në këtë proces opozitën, e cila duhet të përfaqësohet me 5 nga 11 anëtarët e komisionit, apo do të vijojë e vetme për ta çuar përpara nismën e saj./ VOA

K.M/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • denis: 02/06/2024 10:20

    Thuhet gjithperfshirje por si ti perfshishe me zor,kjo opozite çdo iniciative te qeverise e ka bojkotuar dhe nga bojkote te tilla opozita ka arritur ne kete gjendje mjerane,....mer pjese dhe kundeshto me argumente....kush ta bej NON GRATA.....me ke duhet gjithperfshirja me NON GRATAT....!!??

    Përgjigju
  • A...Zh: 01/06/2024 14:33

    SHBA e BE kerkojne gjitheperfshirje, pra deshtim te sigurte!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë