TIRANE - Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, u ka sugjeruar sot studentëve të teknologjisë së informacionit që ta bëjnë praktikën në laboratorët e informatikës të shkollave të mesme publike. Ndërsa studentët që ndjekin këtë degë janë prioritet, pasi sistemin ynë arsimor parauniversitar ka nevojë për mësues specialist të kësaj lënde.
 
Deklarata është bërë gjatë aktivitetit të Konkursin e Tretë Kombëtar Studentor "Imagine Club Albania" që, në thelbin e tij, ka promovimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve universitare dhe industrisë në një fushën e teknologjisë së informacionit.
 
“Ftoj studentët e degëve të teknologjisë së informacionit që praktikën e tyre ta bëjnë, pikërisht në këto shkolla duke dhënë jo vetëm kontributin e tyre për nxënësit, por duke përvetësuar dhe eksperiencën reale të tregut të punës. Gjithashtu, do të kemi nevojë për mësuese të lëndës së Teknologjisë së informacionit, dhe për këtë, ju, studentët e këtyre degëve, do të keni prioritet”, - ka deklaruar ministrja e Arsimit Nikolla.
 
Më tej ajo ka deklaruar se e studentëve dhe stafeve akademike për të promovuar inovacionin është mënyra më e mirë për të përmirësuar qasjen e përgjithshme ndaj së ardhmes dhe progresit, për përmirësimin e inputeve, teknologjisë, tregjeve, kapitalit dhe ekspertizës.”
 
Është kënaqësi për mua dhe stafin që unë drejtoj, të ofrojmë kontributin tonë, i cili shpresojmë të finalizohet edhe këtë vit me më shumë studentë të punësuar menjëherë pas këtij aktiviteti, me projekte të reja dhe me produkte që do të mund të kapërcejnë kufijtë shqiptarë.
 
Pjesë e punës sonë është zhvillimi i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të ndryshme arsimore, për forcimin e partneritetit publik privat, dhe në këtë kuadër jemi të angazhuar të bashkëpunojmë me biznesin, dhe, së bashku, të bëhemi iniciatorë të një procesi gjithëpërfshirës në të mirë të zhvillimit dhe progresit të vendit”, - u shpreh Nikolla.
 
Ministrja Nikolla, shprehu gjithashtu dhe mbështetjen e veçantë të Kryeministrit Rama, në procesin e digjitalizimit të sistemit arsimor si dhe në prezantimin e pajisjeve të reja digjitale në çdo klasë e në çdo shkollë të mesme të vendit, deri në vitin 2017. Ndërkohë, që në një fazë të dytë do të punohet edhe për përmirësimin e nivelit të përdorimit të teknologjisë në shkollat 9-vjeçare.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)