Partia ‘Nisma Thurje’ është regjistruar e vetme në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në 14 maj. Në një deklaratë për mediat, kreu i Nismës Thurje, Endri Shabani tha se synimi i partisë që ai drejton sa i takon Tiranë janë dy qëllime, rregullimi i trafikut dhe ulja e kostos së jetesës. Ai përsëriti akuzat ndaj politikanëve të cilët kanë mbizotëruar skenën politike shqiptare prej 32 vitesh.
“Ne kemi qëndruar gjithmonë në anën e qytetarëve si aktivistë. Mbani mend kur kryeministër ishte Fatos Nano, ne protestonim kundër importit të plehrave, dhe në krah kishim eksponentë të PD-së. Kur erdhi Berisha në pushtet, ne sërish protestonim kundër importit të plehrave dhe në krah kishim eksponentë të PS. Pra gjithmonë ndryshonin interesat sa herë u duhej.
Këta e kanë rrethuar veten me gangsterë, ne këtu kemi mjekë, inxhinierë, pedagogë. Ne kemi një vizion krejt ndryshe. Ajo që ne ofrojmë, ne duam të ndryshojmë çështjen e trafikut në Tiranë. Së dyti, synojmë të ulim koston e jetesës, të ulim koston e banesave, të ulim përfundimisht problemin e ujit. Nuk kemi premtime fantastiko-shkencore por këto dy gjëra mund t’i bëjmë dhe do t’i bëjmë sepse mundësitë janë. Në 32 vite nuk ka qenë kurrë më i qartë kontrasti midis të vjetrës dhe të resë”- u shpreh Shabani.
Ai tha se para datës 27 mars, do të publikoheshin të gjithë emrat e kandidatëve dhe shtoi se fushata do të organizohet në qytetet më të mëdha pasi e kanë të pamundur të jenë të pranishëm në çdo fshat apo qytet.