1500 persona në nevojë në Tiranë kanë pasur mundësinë të gjejnë në ditën e Krishtlindjes një vakt të ngrohtë të gatuar me shumë dashuri nga ata që munden të dhurojnë. Një urim nuk mjafton për ti dhënë dashuri atyre që e vuajnë mungesën e saj çdo ditë.

Nisur nga numri i madh i njerëzve të cilët çdo ditë vuajnë mungesën e dashurisë dhe të ushqimit, përmes rrjeteve sociale u propozua nisma “Gatuaj një pjatë më shumë” e cila kishte në fokus dhurimin e ushqimeve për personat në nevojë. 

Qytetarët në nevojë nuk hezitojnë të shprehin kënaqësinë e kësaj dite.

"Duhet të bëhet pak më shpesh se një herë në vit, të bëhet, të hanë fëmijët se gjynah për këta është nuk është për ne," është shprehur njëri prej qytetarëve. "Bravo u qoftë organizatorëve që kanë marrë një nismë të tillë në këtë fundvit me rastin e festës së Krishtlindjeve," është shprehur dikush tjetër duke përgëzuar nismën.

Eneid Mato, ideator i kësaj nisme, shprehet se kjo ide vjen për herë të parë, por do të vazhdojë edhe në ditë të tjera.

"Kjo nisi gatuaj një pjatë më shumë, pastaj një pas një, u bënë 1 mijë pjata. Sot iu përgjigjën diku te 1500 qytetarë thirrjes për të gatuar një pjatë më shumë. Përveç se ushqimit po mundohemi mbi të gjitha t'u japim dashuri, çështja është jo vetëm ushqim, por mbi të gjitha dashuri për festa dhe jo vetëm për festa, por duke thyer akullin, duke hapur shtegun kjo gjë mund të ndodhë dhe çdo muaj dhe çdo javë," u shpreh ai.

Por edhe vullnetarët e tjerë të nismës shprehen të habitur se sa shumë qytetarë i janë bashkuar thirrjes për të dhuruar.

"Nismat vullnetare për të dhuruar jo se kanë munguar por kanë qenë të vogla. Kjo mund të themi që është më masivja, pasi janë përfshirë rreth 1 mijë persona vetëm në Tiranë që përfitojnë dhe që do të hanë falas dhe siç e shikoni po vinë dhe njerëz të tjerë që ne nuk e kishim parashikuar," tha njëri prej vullnetarëve për Shqiptarja.com.

"Unë them që kjo është fantastike dhe unë besoj se sot kemi dhënë një shembull shumë të mirë se kur ka dëshirë dhe vullnet, qytetarët mund të bëjnë për njeri tjetrin. Jetojmë në kohëra të vështira, ku Shqipëria po përjeton një krizë ekonomike, ka shumë njerëz që e përjetojnë më shumë se të tjerët," tha Besjan Pisha, aktivist i shoqërisë civile. 
tirana dhuron
tirana dhuron
tirana dhuron
Redaksia Online
(m.p/shqiptarja.com)