Cila është koha më e mirë për të lexuar? Natyrisht pushimet e gjata, kur mendja qetësohet nga streset e punës dhe jetës së përditshme dhe ku gjithcka përreth të fton të prehesh në qetësinë e natyrës. Në mal ap në det, në dhomë apo në rërë, mos harroni të merrni librin tuaj të preferuar. Atë që ndoshta nuk keni pasur mundësi ta lexoni gjatë vitit, ose ndonjë titull të ri që e keni ruajtur për ta lexuar pikërisht gjatë pushimeve. Por nëse jeni në dilemë ja disa tituj që Shtëpia e Librit rekomandon si leximet e verës.

Historitë e dashurisë
Historitë e dashurisë dhe romanet sentimentalë janë nga librat më të preferuar për tu lexuar gjatë verës sidomos nga femrat. Mes titujve të rekomanduar nga libraria Shtëpia e librit , kemi bërë një përzgjedhje më të ngushtë. Kështu në këtë tematikë ju rekomandojmë të lexoni “Pushime ne vilë”, të Sophie Kinsella. Nga kjo shkrimtare mund të zgjidhni edhe romane të tjerë, por ky do të jetë në përputhje të plotë me pushimet që po kaloni. Dy personazhet kryesore të librit gjenden papritmas në të njëjtën vilë pushimesh dhe tensionet nuk do të mungojnë meqë mes tyre ka një të fshehtë nga e kaluara.
Mos harroni të rilexoni “Dashnori”-n e Marguerite Duras. Roman autobiografik u publikua në vitin 1984 dhe deri më sot është përkthyer në mbi 50 gjuhë dhe që më 1984 mori çmimin prestigjioz të letërsisë franceze Goncourt.
Nëse jeni duke kërkuar një guidë për dashurinë mund të filloni leximin e “Cifti i dashuruar”. Ky është libri më popullor i sociologut të madh amerikan, Leo Buscaglia. Në këtë libër do të gjeni një manifest mbi dashurinë, ëmbëlsinë, përkujdesin, dhembshurinë, komunikimin, altruizmin: pjesët më vitale të sjelljes njerëzore. Duke qëndruar në të njëjtën fushë, vna Harville Hendrix mund të lexoni librin “Të marrësh dashurinë që do”, një botim që ka ndihmuar miliona çifte në mbarë botën që të marrin më shumë dashuri, mbështetje dhe një marrëdhënie thellësisht të kënaqshme. Botimi i njëzetë është një rishikim i hollësishëm i këtij libri novator, me një kapitull të ri, ushtrime të reja...
Nëse nuk keni lexuar ende romanin e ri të David Grossman ,mos e humbisni. “Gruaja qe i arratisej lajmit te keq” është një roman që ju mban frymën pezull dhe ju tërheq ta lexoni me një frymë deri në faqen e fundit. Për më tepër kjo është vlerësuar si kryevepra e këtij shkrimtari.
“Tropiku i Kancerit”, nga Henri Miller rekomandohet nga George Orëell I cili shkruante ndër të tjera në komentin e tij: “Nxehtësisht ia rekomandoj cilitdo që të lexojë, të paktën, romanin “Tropiku i Kancerit”. Edhe pse disa nga pjesët e tij do t’ju skandalizojnë, ai do të mbetet i ngulitur në kujtesën tuaj.”
Edhe dy libra të tjerë mund t’I merrni në konsideratë. Së pari “Te vrasesh zogun perqeshes” nga Harper Lee, fitues I çmimit Pulitzer, përkthyer në më shumë se dyzet vende të botës duke u shitur në më shumë se 30 milionë kopje. Sipas një ankete të zhvilluar në bibliotekat e Amerikës është cilësuar romani më i mirë i shekullit.
Dhe nëse nga rekomandimet tona për kohën e lirë në fundjava nuk keni arritur të lexoni “Magjistricat e Firences” atëherë mos e neglizhoni. Salman Rushdie është tepër joshës edhe me këtë roman të përkthyer së fundmi në shqip.

Letra shqipe
Janë të shumtë titujt që mund të rekomandohen nga letërsia shqipe. Së pari mund të lexoni ato që keni humbur gjatë vitit ose të bëni rilexime të romaneve të Ismail Kadaresë, Fatos Kongolit, Zija Celës apo shkrimtarëve të tjerë.
Këtyre mjeshtrave mund t’i shtoni edhe aktorin e poetin Timo Flloko I cili propozohet me “Robi i manive” me poezitë e tij tepër të ndjera.
Nga profesori Edmond Tupe mund të lexoni “69 variacione per nje teme erotike” një libër që lexohet nga faqja e parë në të fundit, por edhe në mënyrë të çrregullt, sipas dëshirës së lexuesit madje ai mund të hapet si një fjalor, sepse të gjashtëdhjetë e nëntë variacionet paraqiten sipas rendit alfabetik të emrave të personazheve.
Por nëse doni dicka më impenjative se letërsia mund të lexoni “Clirimi i Serbise prej Kosoves” të Kadaresë. Shkrimtari flet për temat më delikate dhe ndarjet midis serbëve dhe shqiptarëve, mbi urrejtjen e zgjatur, zemërimin dhe mllefin, mbi miqësinë dhe moskuptimet me shkrimtarët serbë, mbi shtrembërimet e historisë, që e kapërcen dramën ballkanase.
Një libër interesant historik është “Shkrime per historine e Shqiperise” nga Ali Këlcyra. Fansat e kësaj fushe do të gjejnë një antologji historike që përfshin materiale, të cilat i kushtohen historisë së periudhës 1912-1945
Së fundi janë edhe Biografitë dhe librat historikë mbi personazhe të njohur që pëlqehen për tu lexuar gjatë stinës së verës. Këtë verë propozohet “Gjeneral De Gol”, historia e jashtëzakonshme e liderit të Francës moderne shkruar nga Eric Roussel. Mos lini pa lexuar edhe librin e ri për “Steve Jobs” nga Ëalter Isaacson që përmbledh më shumë se dyzet intervista me Steve Jobsin të bëra për një periudhë dyvjeçare, si dhe intervista me më shumë se njëqind shokë, familjarë, kundërshtarë, konkurrentë dhe kolegë.

Shkrimi u botua ne suplementin FUNDJAVA
(sg/shqiptarja.com)