Një qeveri që nuk habit më

Një qeveri që nuk habit më
Prej drekës së djeshme, kam ndjekur me kureshtje reagimet e kolegëve dhe të komentuesve të paktë, të gjithë të lodhur nga i nxehti afrikan dhe llapashitjet e politikanëve nga e majta në të djathtë. Janë skandalizuar nga arnimet e fundit të kryeministrit Berisha në qeverinë e vet, të cilës i thotë me pathos “qeveria ime”. I jap të drejtë kryeministrit: Po është qeveria jote, nuk është e jona, nuk është për vendin, nuk është për shqiptarët.

Kolegët po çmeriten se si ai që deri dje mbante çelësat e selisë së PD-së, do të jetë titullar i superministrisë së Brendëshme, e cila ka nën hyqëm Policinë e Shtetit, Gardën e Republikës, Gjendjen Civile, Rendin dhe sigurinë e jetëve tona. Mero Baze, me idhësinë e vet tipike e denigronte edhe më tej, duke i numëruar dhëmbë e dhëmballë. Pastaj nxjerr dhe një lolo, anëtar në KQZ që komunikon me ministrin e ardhshëm të Brendëshëm se kur dhe si i do ai komisionerët për zgjedhjet e 8 majit 2001, duke e parë këtë si ogur të zi për zgjedhjet parlamentare të vitit 2013. Pastaj përmden me radhë emrat e LSI-së që bënë rokadë, apo hynë në kabinet, duke folur me vehten se si ka mundësi që veterineri të jetë i pari i diplomacisë, apo se si përkthyesi i anglishtes të jetë njëshi i Ekonomisë.

Por nuk ka asgjë për tu çmeritur, as për të shkulur leshtë e kokës: Sali Berisha është kryeministër, është edhe 14-ministërsh, është drejtor, është gjithçkaja. Ato emra që çon atje për të qenë sejmenët e pushtetit të tij, janë thjesht zbatues të urdhërave, për ta degjeneruar deri në palcë qeverisjen. Sepse e ka nisur prej rikthimit në pushtet në 2005. Ne kemi ministër të mjedisit një ish-ministër Mbrojtje që u akuzua për biznesin kriminal të Gërdecit, ku u vranë 26 njerëz të pafajshëm dhe ku askush nuk mori dënimin më të vogël. Patëm përpara Flamur Nokës, ministër të brendëshëm, Lulzim Bashën, në ditën kur u vranë 4 demonstrues të pafajshëm përpara selisë së qeverisë shqiptare dhe ky, edhe pse me këtë akuzë të re dhe me akuzën e vjetër se zhduku të paktën 240 milionë euro në “Rrugën e Kombit”, është prej një viti kryetar i bashkisë së Tiranës. Pa kemi sërish ministër, por të Bujqësisë, ish-ministrin e METE të akuzuar se në kundërshtim me ligjin kishte dhënë lejen që një firmë abuzuese të vijonte koncesionin me lejen minerare në Bulqizë.

Raste të tilla nuk mund të na surprizojnë më dhe as arnimet që bën kryeministri Berisha. Ai është mësuar me këtë lloj qeverisjeje dhe kështu e ka më të lehtë të kontrollojë pushtetin e tij në çdo qelizë të Ekzekutivit, pa pyetur se çfarë prodhon qeverisja dhe se çfarë i jep ajo popullit. Duhet që ne të mësohemi përfundimisht dhe t’i nënshtrohemi këtij lloji degjenerimi total të qeverisjes, përderisa nuk kemi as forcën dhe as kurajën për t’i dhënë fund talljes shumëvjeçare.

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Qeveri teknike? Braçe i prerë me opozitën: Koha kur pushtetet vendoseshin në tavolinë ka marrë fund! Te ‘Dezinformimi’ nuk i marr me zor

Qeveri teknike? Braçe i prerë me opozitën: Koha kur pushtetet vendoseshin në tavolinë ka marrë fund! Te ‘Dezinformimi’ nuk i marr me zor