Një aksident i ndodhur të hënën e 1 majit në fshatin Sheqishte në Fier rezultoi një tentativë vrasjeje. 6 ditë më vonë policia zbardhi dinamikën dhe ka shpallur në kërkim 22-vjeçarin Pavli Dafa. Sipas uniformave blu i riu tentoi të vriste Elis Sheqin, 26 vjeç dhe Daniel Licajn, 30 vjeç, duke i përplasur me automjet, dhe më pas goditi qëllimisht automjetin e tyre për të inskenuar ngjarjen si një aksident. Pas përplasjes që rezultoi në tentativë për vrasje 22-vjeçari u largua nga vendngjarja.
Por, çfarë dinamike solli tentativën e Dafës për të vrarë 2 të rinjtë? Në hetimet paraprake të policisë së Fierit rezulton se para tentativës për vrasje, rreth orës 18:30 në Sheqishte, 22-vjeçari Pavli Dafa dhe babai i tij, Arben Dafa, janë konfliktuar fizikisht me 3 persona, Elis Sheqin dhe Daniel Licajn që tentoi t’i vriste dhe një 15-vjeçar.

Report Tv mëson se shkak i konfliktit është bërë vetë 22-vjeçari Dafa, i cili ka ngacmuar motrën e 15-vjeçarit të mitur. Pasi fillimisht janë ndarë, i riu ka marrë makinën dhe është drejtuar për tek Sheqi dhe Licaj, të cilët në ato momente ishin jashtë mjetit të tyre, duke i përplasur. E dëmtuar mbeti aksidentalisht edhe një mjet i dytë që ishte i parkuar aty afër.
Për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, Dafa mori makinë e personave që donte të vriste, e cila është gjetur si provë materiale e braktisur në fshatin Visokë të Mallakastrës, ndërsa vetë akoma nuk është lokalizuar për t’u arrestuar. Si pasojë e përplasjes Elis Sheqi dhe Daniel Licaj janë dëmtuar dhe raportohet se vijojnë të marrin mjekim në spital. Dafa akuzohet për 3 vepra penale, "Vrasja në rrethana të tjera cilësuese", mbetur në tentativë, ‘Shkatërrimi i pronës’ dhe ‘Vjedhje”.

