Një boshllëk që besimi mund të mbushë mes shqiptarëve

 Një boshllëk që besimi mund të mbushë mes shqiptarëve

Katedralja e Shën Palit në Tiranë mbushur me besimtarë

“Feja e shqiptarit është shqiptaria”, thonte Pashko Vasa, por kur politika e ndan shqiptarinë, a është besimi ai që duhet ta ribashkojë? A do të mbushë besimi, feja, fetarët, boshllëkun shoqëror që ftohtësia e kohëve moderne, frenezia, nxitimi i grumbullimit të pasurive e të mirave materiale kanë lënë në një shoqëri në zhvillim si e jona? "...Ka një kohë për të urryer, por ka dhe një kohë për të dashuruar, një kohë për luftën dhe një kohë për paqen...", shkruan Bibla. Dhe kohët ndryshojnë dhe në Shqipërinë tonë të vogël. 

Natën e ftohtë të Krishtlindjes, Katedralja e Shën Palit ishte e mbushur plot brenda dhe jashtë saj siç kishte kohë pa u parë në anët tona. Jemi njerëz dhe jemi krijuar të rrimë bashkë, të shkëmbejmë para të gjithash emocione, dashuri dhe ndjenja të larta njerëzore për t’i mbijetuar grackave të shumta që kemi përreth që nga lindja e deri në vdekje. Për shumë vite menduam se grumbullimi rreth politikës dhe politikanëve do të na jepte atë që kemi nevojë. Në të vërtetë, siç e thotë Kryepiskopi Anastas Janullatos në librin e tij në bisedë me dy përfaqësues katolikë të Sant’Egidios, “…varfëria mbetet lloji më i keq i dhunës” dhe ne shqiptarët, të persekutuar nga kjo lloj dhune në kohë të kohëve, u grumbulluam rreth politikanëve sikur të ishin idhujt e kohëve tona moderne. Disa djathtas e disa majtas. Duke harruar se shpirti, më shumë se çdo trup, ka nevojë të ushqehet.

Imzot Arjan Dodaj i Kishës Katolike evokon shpresën në zemrat e të gjithëve në këto kohë kur shpresa duket se qëndron më shumë pezull mbi kryet tona se brenda nesh, duke stërmbushur Katedralen në Bulevardin Zhan D’Ark të Tiranës.

Jemi të përkohshëm në këtë botë, ndërsa ajo që është e përjetshme dhe e sigurtë është alternimi mes të mirës me të keqen, ashtu si i natës me ditën, i dimrit me verën... Një dualizëm pa fund që, nëse nuk harmonizohet, do të na mbajë peng të një gjendje ankthi në gjithë rrugëtimin tonë.

Fetë orientale, budizmi, për të qetësuar këtë luftë të kundërtash, shpikën “rrugën e mesme”, qëndrimin asnjanjës që në një mënyrë apo tjetrën, në shekuj mban shtërnguar njeriun me pjesën e tij shpirtërore duke i dhënë mundësi të qëndrojë në vlera të rëndësishme.

Katër fetë kryesore në Shqipëri, liderët e tyre, veprimet që kanë kryer, fjalët që kanë thënë dhe thonë vazhdojnë të jenë bashkuese, harmonizuese. Kjo harmoni fetare duket se është e vetmja vlerë që i ka rezistuar kohës së tranzicionit dhe sot, më shumë se herë tjetër, në këtë Krishlindje, ka përqafuar shumë qytetarë. Besimet kanë gjithmonë nevojë për besimtarë, por besimtarët, shqiptarët, sot kanë më shumë nevojë se kurrë për besim. Sigurisht që feja e shqiptarit është shqiptaria, por kur shqiptaria rënkon, besimi i bën njerëzit bashkë. Si në këtë Krishtlindje.

a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen