TIRANE- Tërhiqet në momentin e fundit nga gara për një mandat të dytë kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Skënder Bruçaj.

Një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, Shqiptarja.com mëson se Bruçaj ka marrë vendimin personalisht për t'u tërhequr për arsye familjare. Ndërkohë që po sot një tjetër kandidat është hequr nga lista, jo për vendim të tij personal, por për shkak se nuk plotësonte kriteret e garës. Bëhet fjalë për Gëzim Abdishakun, inspektori i xhamive i KMSH.

Në garë mbeten vetëm 4 kandidatë, Ylli Gurra, myfti i Tiranës, Bujar Spahiu, aktualisht nënkryetar i KMSH, Islam Hoxha, Myftiu  i Kukësit dhe Gramoz Blliku, Myftiu i Lushnjës. Favoritë për të fituar garën shikohen Ylli Gurra ose Bujar Saphiu.

I ftuar sot në Report Tv, Gurra u shpreh se  "Këto zgjedhje në gjykimin tim duhet të jenë një shembull edhe për politikën. Zgjedhjet për kreun tonë duhet të jenë pasqyra jonë më e sinqertë. Për të kandiduar për këtë post duhet të jesh një myfti me bagazh dhe përvojë por këta kandidatë kanë detyrimin të komunikojnë" (lexo ketu).

Ndërkohë që nënkryetar i KMSH-së, Bujar Saphiu theksoi se “Mendoj se ka ardhur koha që myslimanët shqiptar të përfaqësohen nga një teolog, i pa ndikuar nga influenca të çdo kahu qofshin. Të përfaqësohen denjësisht ashtu siç ata meritojnë. Populli shqiptar në tërësi ka nevojë të ruhet paqja, stabiliteti dhe harmonia e ngritur me aq mund nga paraardhësit tanë. Unë, me ndihmën e Zotit, do të jem zëri i çdo besimtari dhe besimtareje mysliman, do ta përfaqësoj atë me drejtësi. Do jem larg çdo retorike, e cila nuk i përket dhe bie ndesh me fenë islame”, thekson Spahiu.

Zgjedhjet do të mbahen në datë 2 mars për kreun e ri të KMSH-së. Ndërkohë që janë 35 myftinj, 12 anëtarët e kryesisë së KMSH dhe 45 anëtarë të shoqërisë civile, që me votë të fshehtë zgjedhin kryetarin me një mandat 5-vjeçar.